Vendimi/ Atentati i inskenuar, Gjykata e Lartë lë në burg Durim Bamin

0
164

Gjykata e Lartë lë në burg Durim BaminRikthehet në qelitë e burgut të Fushë-Krujës pas vendimit të Gjykatës. Avokati mbrojtës e quan të pabesueshëm vendimin, ndërsa Durim Bami nuk e komenton

Durim Bami, personi i cili u bë protagonist i regjistrimit të një videoje, e cilësuar e rreme nga akuza, me qëllimin e vetëm për të kallëzuar penalisht kreun e Kuvendit, Ilir Meta, do të qëndrojë në “arrest me burg”. Vendimi u mor njëzëri nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me relator Aleksandër Muskajn. Durim Bami u paraqit në orët e para të mëngjesit në Gjykatën e Lartë nën masa të rrepta sigurie dhe me të njëjtën mënyrë u largua. Seanca për rivlerësimin e masës së arrestit për Bamin, pas ndryshimit të kualifikimit të veprës penale nga ajo e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të viktimës në kallëzim të rremë, u zhvillua me dyer të mbyllura.

 

Seanca

Durim Bami u vu në pranga mbrëmjen e 3 marsit, teksa po përgatitej të kalonte kufirin e Hanit të Hotit. Pak ditë para arrestimit, Durim Bamit iu vendos një sasi tritoli në gomën e makinës së parkuar para banesës. Emri i Durim Bamit doli në skenë pas një deklarate publike lëshuar nga deputeti Tom Doshi, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie. Po në të njëjtën masë sigurie është edhe deputeti Mark Frroku. Por ndryshe nga Doshi, Frroku ka pozicion më të rënduar. Kjo, për faktin se Prokuroria e Përgjithshme ka nxjerrë të tjera elemente kriminale të kryera prej tij. Sipas akuzës, Durim Bami, Tom Doshi dhe Mark Frroku në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë inskenuar planin e vrasjes ndaj deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi, duke futur në lojë emrin e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Për akuzën e gjithë skena e vrasjes ka qenë një trillim. Por për të arritur deri në këtë përfundim, organi i akuzës shfrytëzoi deklarimet e Durim Bamit në të gjitha fazat e hetimit. Bami mësohet se i ka qëndruar besnik variantit të tij të parë, ku hodhi poshtë çdo pretendim të deputetit Doshi se ishte paguar nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, për të vrarë Doshin dhe Mhill Fufin. Sipas tij, e gjitha ka qenë një inskenim nga Doshi, me qëllimin e vetëm për të nisur procedim penal ndaj Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Para Gjykatës së Lartë, Durim Bami qëndroi për rreth 2 orë e 30 minuta. Ndërsa jashtë sallës së gjyqit avokati i tij e quajti vendimin e padrejtë, duke e cilësuar Durim Bamin një aktor. Avokati Ilir Murati tha se Gjykata vepron me dy standarde. Nga njëra anë mban aktorin në burg dhe nga ana tjetër dërgon në shtëpi protagonistët e shfaqjes, duke quajtur në këtë rast Doshin dhe Frrokun regjisorët.

 

Doshi

Tom Doshi, deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste, është shprehur se pavarësisht nga vendimi i Gjykatës së Lartë për ta lënë në arrest shtëpie dhe për të mos marrë parasysh provat e paraqitura, ka bindjen e plotë se gjatë hetimeve të mëtejshme do të mund të zbardhë të vërtetën. Për Doshin tentativa e vrasjes së tij është e vërtetë dhe nuk ka asgjë të sajuar. Avokatët nga ana tjetër janë shprehur se kanë prova të reja, të cilat do të mund t’i paraqesin në një moment të dytë. Ndërsa deputeti Mark Frroku nuk është paraqitur në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ku u thirr për të dhënë shpjegime rreth përfshirjes së tij në skenën e vrasjes.

 

Sot këshilli i Mandateve, Frroku kërkon të flasë

 Mark Frroku, i vënë në pranga në të njëjtën ditë me deputetin Doshi, tashmë duhet të përgjigjet edhe për një krim që, sipas drejtësisë belge, e ka kryer në këtë shtet në vitin 1999. Por para se të përgjigjet para drejtësisë, Mark Frroku duhet më parë të japë shpjegime para Këshillit të Mandateve, aty ku organi i Prokurorisë së Përgjithshme ka depozituar një kërkesë për arrestim. Do të jetë një mbledhje e dytë ku në qendër të diskutimeve do të jetë vetëm çështja e Frrokut, i cili përveç akuzës për deklarim të rremë para organeve të drejtësisë do të duhet të përgjigjet edhe për akuzën e vrasjes me paramendim të shtetasit Aleksandër Kurti në Belgjikë në vitin 1999. Mësohet se Interpoli ka pasur dijeni për një kërkesë të drejtësisë Belge që prej janarit të këtij viti. Por nuk dihet se përse dokumentacioni i hartuar nga prokuroria Belge qëndroi në sirtarë, pa mundur të ekzekutohet. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë se janë njohur me materialin, pikërisht në fund të muajit mars, atëherë kur Mark Frrokut iu hoq edhe imuniteti dhe iu dorëzua drejtësisë për hetime. Gjatë seancës së diel, avokatët e Mark Frrokut, Saimir Vishaj dhe Genc Gjokutaj kërkuan nga që mbledhja të shtyhej pasi klienti i tyre kërkonte të ishte i pranishëm. Frroku do të flasë lidhur me vrasjen e Luetit në Belgjikë dhe përfshirjen e tij në trafikun e prostitucionit. Sipas relacionit të Prokurorisë së përgjithshme vëllezërit Frroku kanë shfrytëzuar si prostituta katër femra shqiptare në Belgjikë. Por jo vetëm këtu. Informacioni i siguruar nga drejtësia Belge e cilëson Mark Frrokun si person të rrezikshëm dhe që zhvillonte trafikun e shfrytëzimit të prostitucionit në tre shtete, Itali, Belgjikë e Londër. Në Belgjikë Frroku rezulton i dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për krime të rënda. Por vendimi është apeluar dhe ende nuk ka marrë formë të prerë. Porosia e vrasjes sipas akuzës është dhënë nga Arben Frroku, ndërsa Mark Frroku ka qenë i përfshirë në të. Aleksandër Kurti ishte akuzuar nga vëllezërit Frroku se po shkelte në territorin e tyre, madje kishte arritur t’i afrohej një femre që ata e shfrytëzonin.

 

Zihet me të dashurën, 30-vjeçari plagos veten me thikë

Një djalë i ri në Tiranë është vetëplagosur me thikë pas një debati me të dashurën e tij. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se mbrëmjen e së dielës, 30-vjeçari me iniciale K. M., është dërguar me urgjencë në spitalin e kryeqytetit, pasi ishte vetëplagosur me thikë. Të njëjtat burime kanë theksuar se i riu është vetëplagosur me pas një konflikti për arsye xhelozie në Rrugën e Durrësit me të dashurën e tij me iniciale S. L., 20 vjeçe, banuese në Tiranë. Nga të dhënat e para mësohet se çifti kishte probleme prej kohësh dhe se i riu dyshohet se ka qëlluar veten me thikë, pasi nuk pranonte dot ndarje nga e dashura e tij 20-vjeçare. Policia bën me dije se menjëherë pas kësaj ngjarje i riu është dërguar në spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, policia bën me dije se ka nisur hetimet rreth kësaj ngjarje për të zbardhur motivet e plota të saj. Materialet iu referuar Prokurorisë për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

Sarandë/ 56-vjeçari ngacmon seksualisht të miturën me aftësi të kufizuara

Një vajzë e mitur me aftësi të kufizuara nga qyteti bregdetar i Sarandës ka rënë pre e ngacmimit seksual nga një 56-vjeçar. Burime nga Policia e Sarandës kanë bërë me dije se Astrit Kurti nga Saranda, është vënë në prangat e policisë së qytetit bregdetar si i dyshuar për ngacmimin seksual të një 15-vjeçareje me aftësi të kufizuara. Po ashtu, nga të dhënat paraprake mësohet se Kurti i ka premtuar vajzës një shumë parash në këmbim të veprimeve seksuale. Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Ksamil pasditen e së dielës, ku 56-vjeçari e ka çuar të miturën e cila vuante nga autizmi në një objekt dhe ka kryer veprime të natyrës seksuale me të. Mësohet se arrestimi i Astrit Kurtit është bërë në kushtet e flagrancës. Burime nga policia bëjnë me dije se ai është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje rreth kësaj ngjarje. Ndërkohë, materialet në ngarkim të 56-vjeçarit iu referuar Prokurorisë së Sarandës për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency