Politikat e reja ekonomike çojnë në dështim suksesin e mëparshëm të “Made in Albania”!

0
122

Ervin Kaduku

ministria e financave –  Drejt fundit marrëveshja e qeverisë me “Crown Agents”. Ministri Cani: Unë kisha objeksione e mia, ia kam shprehur edhe Fondit Monetar

Dështon një nga pikat më të forta të ekonomisë shqiptare për vitet e fundit. Deficiti tregtar i shkurtit ishte 21 miliardë lekë ose 150 milionë euro, që dolën nga Shqipëria për blerje mallrash, më shumë sesa ishin prurjet e eksporteve, duke u rritur me 10.9% krahasuar me shkurtit 2014 dhe, madje, në rritje 20% në krahasim edhe me janarin 2015.

Pasi vitin e kaluar rritja e eksporteve u tkurr ndjeshëm, këtë vit eksportet kanë nisur me rënie. Kontributi i sektorit të jashtëm në ekonomi pritet të jetë më i ulët, çka e bën edhe më të domosdoshme përtëritjen e shpejtë të kërkesës së brendshme, për të siguruar një rritje ekonomike më të lartë se vitet e fundit.

Të dhënat e Institutit të Statistikave treguan se eksportet kanë nisur me luhatshmëri këtë vit, duke vuajtur në një masë të madhe rënien e çmimeve të lëndëve të parat në tregjet e huaja.

Eksportet kanë vijuan me performancën e tyre negative dhe për shkurtin, duke zbehur shpresën se ky sektor do të jetë një nga motorët e rritjes ekonomike, siç ka qenë vitet e kaluara.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it për dymujorin e parë të vitit, totali i eksporteve arriti në 35.6 miliardë lekë, duke shënuar një rënie me 6.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “Minerale, lëndë djegëse energji”, që u tkurr me 40% me bazë vjetore, në 7.8 miliardë lekë. Rënia e çmimeve të naftës dhe koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare për minerale janë arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ka rënë ndjeshëm, në vetëm 21% nga rreth 40% që arriti në vitet e arta të industrisë së naftës dhe asaj minerale rreth dy vjet më parë.

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve, që vitin e kaluar ishin motori i eksporteve, shënuan një rritje modeste prej 4% në 14.5 miliardë lekë, larg zgjerimit dyshifror të vitit të kaluar. Aktorët kryesorë të kësaj industria kishin paralajmëruar që në fillim të vitit se ata nuk prisnin të njëjtën rritje si vitin e kaluar për shkak të rritjes së barrës fiskale dhe zbehjes së kërkesës nga partnerët e huaj. Gjithsesi, tekstilet dhe këpucët kanë kaluar në grupin më të madh të eksportuar, me 40% të totalit për dymujorin.

Grupi i tretë më i madh është ai i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, eksportet e të cilit u rritën me 18%, në 5.7 miliardë lekë.

Përmbytjet kanë ndikuar dhe në ngadalësimin e rritjes së eksporteve të ushqimeve, pijeve e duhanit, që janë zgjeruar me vetëm 6% për 2 mujorin, në 2.26 miliardë lekë.

Surprizën për dymujorin e kanë shënuar eksportet e makinerive pajisjeve e pjesëve të këmbimit të cilat pothuajse janë dyfishuar në 2.3 miliardë lekë, duke shënuar dhe rritjen më të madhe vjetore në vlerë absolute. Megjithatë, ato zënë një peshë të vogël në totalin e eksporteve.

 

Rama bëhet pishman për Crown Agents

 Një dështim tjetër i bujshëm i qeverisë “Rama” u njoftua dje në Komisionin e Ekonomisë nga kreu i Financave. Ministri Shkëlqim Cani ka pranuar në Komisionin e Ekonomisë se performanca e kompanisë që do të asistonte Doganat Shqiptare, Crown Agents, nuk ka qenë ajo që pritej

Përballë akuzave të bëra nga deputetët e PD-së, të pranishëm në seancë, ministri Cani është shprehur dje në mbledhjen e këtij Komisioni se ai vetë më herët kishte shprehur objeksione lidhur me kontratën me këtë kompani dhe një gjë të tillë ja kishte referuar edhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Kreu i Financave ka hedhur poshtë zërat se po rinovohet kontrata e Crown Agents me qeverinë shqiptare. Ai tha se kontrata e nënshkruar është dyvjeçare dhe është ende herët të kërkohet rinovim apo mbyllje e saj. Ne do të respektojmë afatet, për të cilat kemi rënë dakord, shtoi ai.

Më 9 prill pritet që të ketë një interpelancë të ministrit të Financave në Kuvend lidhur me aktivitetin e Doganave dhe rezultatin e kontributit të “Crown Agents”.

Sa i përket angazhimit që është pasqyruar më parë më media, se kjo kompani do të sillte të ardhurat shtesë në buxhetin e shtetit me rreth 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit, gjë që nuk është pasqyruar, burime nga ministria e Financave thonë se PBB-ja nuk mund të llogaritet as për një dhe as për dy vjet, kështu që realizimi i këtij angazhimi kërkon kohë për t’u verifikuar dhe kjo gjë ndoshta do të bëhej e mundur kur të jetë ndërprerë kontrata me Crown.

Por, është fakt se, për t’i mbushur xhepat mikut të tij Tony Blair, kryeministri pranoi qorrazi një pakt në dëm të interesave të shqiptarëve. Rezultati ka qenë, pak të thuhet, skandaloz…

 

Pasiguria, qeveria rrit fondin e kontingjencës

Duke qenë se ekonomia e vendit në vitet e fundit po ecën në një terren të pasigurtë, buxheti i shtetit po parashikon gjithnjë e në rritje fondet e kontigjencës. Këto fonde që njohin një histori të vonë buxhetimi, përllogariten si zë i veçantë në buxhet për të përballuar pasoja të paparashikuara në zhvillimet vjetore të arkës së shtetit.

Fondi i kontigjencës do të rritet me më shumë se 12 për qind deri në vitin 2018, ku shuma pritet të arrijnë 10 miliardë lekë më shumë se, dyfishi i fondeve të këtij viti prej 4 miliardë lekësh.

Burimet në Ministrinë e Financave sqarojnë se fondi i kontigjencës më së shumti janë si garanci për parandalimin efekteve negative të sektorit të energjisë në buxhetin e shtetit.

Fondi i kontigjencës përballon efektet e mosrealizimit te ardhurave,nevojën e kryerjes se financimeve te reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara.

Ligji i ri i Menaxhimit te Sistemit Buxhetor konceptin e fondit te kontigjencës e ofron edhe për pushtetin vendor. Fondi i kontingjencës përdoret sipas përcaktimit në vendimin për buxhetin vjetor të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, për të përballuar efektet e mosrealizimit të të ardhurave, nevojën e kryerjes së financimeve të reja dhe shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara, të programeve ekzistuese.

Në praktikën e deritanishme fondi i kontigjencës është përdorur për politika te ndryshme si p.sh. për paga ose ky fond në kushte e krizës se tanishme mund te përdoret për mbështetje apo efekt të krizës financiare që ka përfshirë tërë botën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency