Standard.al

Opozita/ Nesër PD mbledh aleatët, Mediu: Jo pazareve me PS-në në Durrës. Zgjedhjet s’fitohen me protesta

Gëzim Saliu

 Nesër PD mbledh aleatëtKreu i PR-së, kritikë ndaj PD-së dhe Bashës: Gabim i madh që deri tani nuk kemi një diskutim konkret me aleatët për zgjedhjet

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, do të mbledhë ditën e nesërme në selinë blu aleatët e forcës më të madhe opozitare për të diskutuar lidhur me marrëveshjen parazgjedhore mes palëve për vendoret e 21 qershorit. Në takimin që është kërkuar prej kohën nga Fatmir Mediu, Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi, pritet që kreu i PD-së të nisë negociatat zyrtare me aleatët për kandidatët për 61 bashkitë. Kërkesat e aleatëve nuk janë të pakta, ku PR ka shprehur që në nisje të diskutimeve kërkesën e saj për Bashkinë e Durrësit me kandidatin e propozuar prej saj, Agron Duka. Ndërkaq, edhe PDK-ja e Nard Ndokës ka jo pak kërkesa ndaj PD-së, duke propozuar kandidatë në tri bashki veriore e ndërsa LZHK-ja ka theksuar se do të kërkojë vetëm këshilltarë. Ndërkaq, çështja kryesore e diskutimit, jo vetëm me aleatët, por edhe brenda PD-së, mbetet ajo që lidhet me garën për Bashkinë e Tiranës, ku ende nuk është vendosur se cili do të jetë kandidati përfaqësues i koalicionit të djathtë. Vetë kryebashkiaku aktual, kreu i demokratëve, Basha, ka deklaruar se shumë shpejt do të bëjë të ditur nëse do të rikandidojë apo jo për Bashkinë më të madhe në vend. Por brenda selisë blu nuk kanë munguar propozimet e bazës, duke përfshirë mjaft emra mes tyre, ata të Lulzim Bashës, Halim Kosovës, Majlinda Bregut, Jorida Tabakut apo Gert Bogdanit.

 

Kritikat e Mediut

Ndërkaq, ditën e djeshme, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh i pakënaqur me mënyrën se si po sillet Partia Demokratike me aleatët për zgjedhjet vendore. Duke bërë të ditur se ditën e sotme PR do të mbledhë Kryesinë për të vendosur lidhur me emrat konkretë të kandidatëve për 61 bashkitë, Mediu tha se sjellja e demokratëve dhe lidershipit të saj në këto kohë nuk ka qenë ajo e duhura. “Mendoj që është një gabim jashtëzakonisht i madh nga ana e PD-së se nuk do ta quaja neglizhim që deri tani nuk kemi një diskutim konkret se si duhet, jo vetëm me PR-në, por me të gjitha partitë e tjera të angazhohemi për të fituar zgjedhjet lokale. PR nesër do të ketë mbledhjen e Kryesisë së saj me kryetarët e degëve dhe kryetarët e rajoneve për të përcaktuar përfundimisht kandidatët e saj për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiak”, – tha ai. Po ashtu, Mediu shprehu pakënaqësi në rritje edhe për rastin e bashkisë Durrës, ku, sipas tij, po bëhen pazare politike. Kandidatura e zotit Duka është ofruar si një kandidaturë fituese, është diskutuar edhe me kryetarin e PD-së. Është pranuar, edhe në bazë të sondazheve që kemi bërë si një kandidaturë e cila tejkalon edhe kandidatët e tjerë që diskutohen dhe në mënyrë të padiskutueshme në duam që të fitohet Durrësi. Nëse Durrësi mendohet se mund t’i lihet pazarit të PS dhe sekserëve të PS atëherë kjo është një çështje që ka vendos ne si PR në një pozicion moral shumë të diskutueshëm”, – deklaroi aleati tradicional i PD-së. Në prononcimin e tij, kreu i PR-së nuk nguroi të kritikonte edhe opozitarizmin e këtyre muajve të fundit duke theksuar: “Unë nuk mendoj që zgjedhjet mund të fitohen qoftë me protesta qoftë me shfaqje të lidershipit është shumë e rëndësishme që kandidatëve të i ofrohet kohë për t’u ballafaquar me opinioni”.

 

Vendimi/ Basha nuk do të jetë kandidat për Tiranën, ja emrat e përzgjedhur nga baza

Pavarësisht se kryedemokrati ka deklaruar se shumë shpejt do ta bëjë publik vendimin e tij për garën e Bashkisë së kryeqytetit, burime pranë selisë blu bënë të ditur dje për gazetën se qytetari i parë i Tiranës nuk do të rikandidojë. Mësohet se vendimi i Bashës është përfundimtar dhe tashmë ai u ka hapur rrugën kandidaturave të tjera brenda partisë për të garuar brenda tyre për të zgjedhur në fund emrin e përbashkët. Ndërkaq, mësohet se baza e PD-së në Tiranë, pavarësisht se ka listuar Bashën në krye te listës, ka rreshtuar katër emra kryesorë që mund të jenë kandidatë në zgjedhjet e 21 qershorit për kryeqytetin. Propozimet e bazës së janë: ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i PD-së Halim Kosova, sekretari i përgjithshëm i selisë blu Arben Ristani, deputetet Jorida Tabaku dhe Majlinda Bregu, deputeti Gert Bogdani, si edhe koordinatorja për marrëdhëniet me publikun Grida Duma. Të katër këta emra pritet të shqyrtohen nga kryesia e PD-së së Tiranës, e cila më pas në bazë të sondazheve brenda partisë dhe vendimit të kryedemokratit Basha në konsultim me grupin do të përzgjedhë kandidatin e përbashkët të opozitës në garën për Bashkinë e kryeqytetit.

 

Në garë si i pavarur/ Gjergj Bojaxhi shpall zyrtarisht kandidaturën për Bashkinë e Tiranës

Edhe pse dy partitë kryesore ende nuk kanë finalizuar kandidaturat për kryeqytetin, Gjergj Bojaxhi u bë dje zyrtarisht kandidati i parë dhe i pavarur për Bashkinë më të madhe në vend. Me premtimin për ta bërë Tiranën një qytet më dinjitoz, në praninë e një grupi të rinjsh, Bojaxhi u shpreh se është i vetëdijshëm se është një sfidë e vështirë, por për të nuk është e pakalueshme. “Tre vjet më parë, së bashku me një grup alpinistësh ngritëm flamurin shqiptar në majën më të lartë të botës. Atje kuptova se nuk ka sfidë të papërballueshme. Nuk ka vështirësi të patejkalueshme kur njeriu gjen brenda vetes vendosmërinë e kurajon. Me këtë nisim para jush një sfidë të vështirë kthimin e Tiranës tek qytetarët. Optimizmi dhe entuziazmi ynë është më i madh se vështirësia e kësaj sfide, sepse ne dimë diçka shumë të rëndësishme. Dimë që ne të zhgënjyer nga partitë dhe biznesi i tyre jemi shumë më tepër se ata që përfitojnë nga ato”, – tha ai. Duke dhënë arsyet se pse duhet votuar, Bojaxhi tha se do të kërkojë rikthimin e qytetit në duart e qytetarëve, por edhe të atyre të zhgënjyer nga partitë dhe biznesi i tyre. “Ne, që në Tiranë jemi pa siguri, pa qetësi pa ajër të pastër, shkolla me dy turne, jemi më tepër se ata që votojnë symbyllur për partitë e vjetra të tranzicionit. Ne jemi shumica. Ju bëjmë thirrje të bashkohemi për ta rikthyer qytetin në duart e qytetarëve. Ne Tirana do të bëjmë një qytet më dinjitoz për të gjithë”, – deklaroi ai. Bojaxhi ka qenë më parë ish-drejtor i KESH-it dhe ish-eksponent i PD-së e ndërsa për t’u përfshirë në garën për Bashkinë e kryeqytetit ai do të duhet të mbledhë 7 mijë firma që KQZ ta regjistrojë si kandidat.

 

 Zbardhet dokumenti/ Prefektja e Vlorës e ka firmosur koncesionin e parkingjeve

Prefektja e Vlorës ka firmosur për ligjshmërinë e koncesionit të parkingjeve. Dokumenti që mban datën 9 tetor 2014, tregon firmën e saj e ndërsa më parë, më 28 mars, prefektja kishte deklaruar se kishin nisur konsultimet për të rishikuar apo revokuar kontratën koncesionare, teksa njoftoi dhe kërkesën për dorëheqje të sekretarit të Prefekturës, Dritan Halili, që kishte hedhur firmën pa dijeninë e saj. Pas publikimit të dokumentit, PD Vlorë ka kërkuar dorëheqjen e prefektes, pavarësisht se këshilltarët e djathtë votuan pro vendimit për koncesionin. “Në gjithë këtë ngërç PD i kërkon prefektes, sekretarit, të gjithë autoritetit të japin dorëheqjen pas këtij akti. Prefektja vetë të jetë e para”, – tha kreu i PD-së Vlorë, Moisi Meminaj. Koncesioni i parkingjeve është kundërshtuar në mënyrë absolute nga qytetarët vlonjatë, që nga ana tjetër vlerësuan kthimin nga prefektja Etjona Hoxha. Kompanisë “Tis Holding LLC+ On Track Innovations” i është dhënë me vendim unanim të Këshillit Bashkiak Vlorë koncesioni për 15 vjet i parkingjeve në 24 rrugë kryesore e dytësore me një tarifë prej 50 lekë/ora.

Comments are closed.