Mashtrim optik

0
183

Agron TufaProza të shkurtra nga Danjill Harms (1905 – 1942, pushkatuar nga pushteti sovjet) shkëputur nga libri “Iluzione optike”, përkthyer nga Agron Tufa

Semjon Semjonoviçi vë syzet, vështron një pishë dhe dallon: në pishë gjendet një muzhik që i kanoset me grusht.

Semjon Semjonoviçi heq syzet, vështron pishën dhe dallon që në pishë nuk është askush.

Semjon Semjonoviçi vë syzet, vështron pishën dhe prapë dallon një muzhik që i kanoset me grusht.

Semjon Semjonoviçi heq syzet, dhe prapë dallon që në pishë nuk është askush.

Semjon Semjonoviçi prapë vë syzet, prapë vështron pishën dhe prapë dallon që një muzhik i kanoset me grusht.

Semjon Semjonoviçi nuk dëshiron të besojë në këtë fakt dhe e quan atë mashtrim optik.

* * *

Rrallë më ndodh të shoh njeri e të mos ia karravesh surratit. S’ka gallatë më të madhe se t’ia këllcasësh tjetrit në surrat!

Rri në dhomë dhe s’merrem me asgjë.

Ja, dikush më vjen mysafir, dhe po troket në derë.

Unë i them “Hyni!” Ai hyn dhe thotë: “Tungjatt! Sa mirë që të gjeta brenda!” Kurse unë ia përvesh surratit, dhe pastaj edhe një herë me çizme në të ndenjura. Mysafiri im plandoset përtokë nga dhimbje të tmerrshme. Kurse unë ia jap dhe një herë me taka në sy! Pse bre qafir, hallakatesh nalt e poshtë kur s’të grishin!

Se ka dhe më keq. I propozoj mysafirit një filxhan çaj. Mysafiri pranon, zë vend në tavolinë, pin çaj dhe diç më tregon. Unë luaj pjesën, kinse e dëgjoj me kureshti të madhe, tund kokën, psherëtij, zgurdulloj sytë nga habia, gajasem. Mysafiri merr zemër nga vëmendja ime dhe i jepet llomotisë me frymëzim edhe më të madh.

Unë marr çajnikun me ujë të valuar, mbush fixhanin dhe ia derdh mysafirit në surrat. Mysafiri hidhet përpjetë dhe zë fytyrën me duar. Kurse unë i them: “Thyej qafën!” Dhe i jap të shtyrë.

 (1939)

 

Çfarë shesin tani nëpër dyqane

Koratigini u nis për tek Tikakjejevi dhe nuk e gjeti në shtëpi.

Kurse Tikakjejevi në këtë kohë ish në dyqan ku bleu aty sheqer, mish dhe kastraveca.

Koratigini u vërdallos përqark dyerve të Tikakjejevit dhe gatitej t’i linte shënim, kur befas sheh vetë Tikakjejevin ngarkuar me rrjeta dhe trasta.

Me ta vënë re Koratigini, iu gërmush Tikakjejevit:

– U bë një orë e tërë që po ju pres!

– S’është e vërtetë, – i thotë Tikakjejevi, – gjithëqysh ka njëzet e pesë minuta që kam dalë nga shtëpia.

– Ehu, nuk e di unë, – thotë Koratigini, – po një orë fiks po të pres.

– Mos rreni tashi! – tha Tikakjejevi. – Turp me rrejt.

– O Zot i madh e i plotfuqishëm! – tha Koratigini. – Mundohuni t’i zgjidhni shprehjet.

– Unë e konsideroj… – deshi t’ia nisë Tikakjejevi, porse e ndërpreu Koratigini.

– Nëse ju e konsideroni… – tha ai, por këtu Koratiginin e ndërpreu Tikakjejevi dhe i tha:

– Vetë jeni i tillë!

Këto fjalë aq shumë e xhindosën Koratiginin, sa ai shtypi me gisht njërën flegër, kurse me tjetrën fryu qurret mbi Tikakjejevin.

Atëherë Tikakjejevi rrëmbeu nga rrjeta kastravecin më të madh dhe ia veshi Koratiginit për kaptine.

Koratigini zuri kokën me duar, u shemb përtokë dhe vdiq.

Ja, pra, se çfarë kastravecash shesin tani nëpër dyqane!

 

Rënia e plakave

Një plakë, nga kurioziteti i papërballueshëm u hodh nga dritarja, ra dhe u përshesh.

Në dritare qiti krye një plakë tjetër e po bënte sehir mbi të përsheshurën poshtë, por nga kërshëria e papërballueshme edhe ajo u hodh poshtë, ra dhe u përshesh. Pastaj nga dritarja u hodh plaka e tretë, mandej e katërta, mandej dhe e pesta…

Por, kur u hodh dhe plaka e gjashtë, mua m’u shpif kjo pamje dhe shkova në pazarin e Malcjevskijt, ku thonë se një të verbëri i paskan dhuruar një shall të thurur me dorë.

(1937)

 

Fletorja e kaltër nr. 10

Na ish një njeri i kuqërremtë, i cili nuk kishte sy dhe veshë. Ai as flokë s’të kish, kështu që të kuqërremtë e quanin sa me la gojën.

Ai nuk arrinte të fliste sepse s’kishte gojë. Hundë – jo e jo.

Madje as duar e këmbë s’të kish. Po dhe bark nuk kish. Asgjë prej gjëje nuk kishte. Kështu që s’po merret vesh se për cilin njeri po flitet.

Pra, më e mira është të mos e zëmë më në gojë.

7 janar 1937

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency