Standard.al

Marrëveshja Rama-Idrizi/ PDIU braktis PD-në, lidh “kurorë” me PS-në: Zbardhen bashkitë që merr për 21 qershorin

edi rama shpetim idrizi lsa sakte mars 2015Rama: Me PDIU-në ne do të jemi në bashkëqeverisje. Idrizi: Politika e jashtme e Shqipërisë ka qenë dinjitoze në qeverinë e majtë

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet braktis PD-në dhe kthehet në pushtet pas thuajse pak më shumë se 1 vit e gjysmë opozitë. Kreu i kësaj force, Shpëtim Idrizi, dhe kryesocialisti Rama përmbyllën dje marrëveshjen mes dy forcave politike, e cila ka marrë edhe bekimin e LSI-së pas takimit paraprak që zhvilloi kreu i qeverisë me kreun e Kuvendit. Marrëveshja e lidhur mes PDIU-së dhe mazhorancës, e cila ishte përfolur prej kohësh, ka në thelb bashkëqeverisjen e ndërsa bashkëpunimi i parë konkret mes palëve do të jenë zgjedhjet vendore të 21 qershorit ku PS-LSI dhe PDIU do të dalin me 61 kandidatë të përbashkët për bashkitë. “Finalizuam marrëveshjen për të ecur në rrugën e partneritetit politik me PDIU, e drejtuar nga Iidrizi. Diskutimi është përqendruar në radhë të parë tek vija kryesore e këtij partneriteti politik, çka do të thotë se së bashku me PDIU ne do të jemi në bashkëqeverisje dhe natyrshëm kemi diskutuar edhe për stacionin e parë të këtij rrugëtimi që është stacioni i zgjedhjeve vendore të 21 qershorit ku do të dalim së bashku me 61 kandidatë të koalicionit qeverisës”, – tha Rama.

 

Takimi

Pas gjysmë ore takim në selinë e Partisë Socialiste kreu i qeverisë, Rama, dhe Idrizi zyrtarizuan bashkëqeverisjen mes tyre. Duke iu referuar nisjes së bashkëpunimit për zgjedhjet e 21 qershorit, Rama tha se nuk bëhet fjalë për ndarje kandidatësh mes partish, por për bashkimin e të gjitha partive të koalicionit në mbështetje të kandidatëve në çdo bashki. “E drejta për të propozuar nuk është një ndarje sinorësh. Thirrja jonë për qytetarët do të jetë të votojnë kandidatin tonë të përbashkët të koalicionit tonë. Kandidatët do të marrin përsipër të çojnë para punën e koalicionit tonë në nivel vendor, të çojnë para programin, të përfaqësojnë interesat e qytetarëve në nivel vendor. Do vazhdojmë të ndajmë përgjegjësi së bashku. Besojmë tek bashkimi i kontributeve”, – pohoi Kryeministri. Ndërsa kreu i PDIU-së e cilësoi fillesë të këtij bashkëpunimi votën që PDIU dha pro për reformën administrative-territoriale, duke theksuar nga ana tjetër se me këtë marrëveshje forca që ai drejton synon të rrisë peshën politike. “Kemi marrë pjesë në këtë reformë, kemi dhënë dhe piketat tona. Kemi rënë dakord të dalim me 61 kandidatë të përbashkët dhe atje ku kemi zonat tona do propozojmë edhe kandidatët. Ne mbështesim që të paktën për politikën e jashtme të Shqipërisë, e cila ka qenë dinjitoze, gjatë qëndrimit të zotit Rama në Serbi apo dhe me kërkesat e tjera në lidhje me Greqinë. PDIU do bëjë një presion pozitiv për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë”, – u shpreh Idrizi.

 

Çfarë përftoi PDIU

Pavarësisht se Kryeministri Rama këmbënguli se ende nuk është folur për kandidatësh mes dy forcave politike, mësohet se PDIU ka arritur të marrë 4 bashki nga 61 gjithsej. Sipas burimeve pranë selisë së PS-së, PDIU do të propozojë kandidatët e saj në Bashkinë e Patosit, Rrogozhinës, Konispolit dhe Peqinit.

 

Comments are closed.