Libra të plagosur

0
126

Nga Enton BidoNga Enton Bido

Libra të moshuar në këmbësore,

shtrirë rresht,

si të plagosurit në spitalin fushor.

Autografet – tatuazhe të palexueshëm

në lëkurë të plakur.

Lexuesit,

infermierë pas bombardimit të fundit,

marrin në shtëpi të gjymtuarit,

që të mos vdesin nga plagët e reja.

 

FORCË RËNDESE

Llampa të përmbysura

kandilët në baticë.

 

«Është fazë e Hënës, – thonë,

josh Tokën, si koketë».

 

Anipse nuk di a më do,

nuk do doja të (k)isha gravitet.

 

 AKT

Prekje

buzësh trandafili tek puthin

Mandej, erandje mjellme në freski liqenesh.

Zbritje

shtegut mes kodrinash të bardha

me kokërr manaferre në majë.

Teposhtë,

dy shtylla alabastri

krijesën e falur të Zotit mbajnë.

 

Mes tyre,

tashmë gishtërinjtë gëdhelin

përbrenda vullkanit të fashitur,

ku jeta zë fill.

 

Nga kreu “Poetika të agut dhe të muzgut”

Një pyllnajë me një liqen, me ujë të kristaltë si lot në qendër. Përngjason me një sy të kaltër në një floknajë të gjelbër. Drenushat brirëdredhur kalojnë në radhë për të pirë ujë aty. Mjellmat, të cilat notojnë më tej, duken të pandjeshme ndaj pranisë së brirartave. Dielli nëpërduket pas reve dhe ndriçon vendin si projektorët një skenë teatri. Kur, befas dëgjohet një e shtënë. Një zog i larmë bie përdhe jetëhumbur. Drerët mblidhen rreth zogut të gjorë dhe nisin të lotojnë. aty vijnë dhe mjellmat, gjer atëherë të pandiera, të cilat dalin nga uji. Edhe retë e fshehin diellin dhe pamja shndërrohet në gri.

 

Bajoneta elektrike u ngulën egër n’eter (n’ajri). Mandej, thika të njëpasnjëshme uji u lëshuan furishëm nga qielli dhe u futën thellë në barkun e dheut. Qielli po mbars tokën. Pas një gjysmë ore nxirje fillon të fryjë bulçitë era dhe qiellit nis t’i dallohet e kaltra. Si kurorëzim i kësaj mbarsjeje, me njërën këmbë në det dhe tjetrën në kurorën e pishave në ajër harkohet shtatëngjyrëshi.

 

Ushtria me miriada fotone drite e agullimit u derdh heshturazi mbi qytetin e përgjumur..U u shpërhap ngadalë nëpër hapësirën qytetëse duke pushtuar njëra pas tjetrës fushën, pemët, ndërtesat, sheshet, gjithçka. Kësisoj, duke zgjuar të fjeturit, metër pas metri, shtëpi pas shtëpie, dita fitoi përkohësisht luftën me natën, të cilën do ta humbë sërish me afrimin e muzgut. E kështu pandërprerë, përjetë, kudo, përjetësisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency