Ku gjenden mjeshtrat e vërtetë të Teatrit!

0
139

Krzysztof Warlikowski2Interanational Theatre Institute (ITI), Organizata Botërore për Artin e Performimit zgjedh çdo vit një personalitet të fushës, i cili shkruan një mesazh për ta përkujtuar e theksuar vlerën e këtij lajmëtari gjenial. Mesazhi i Ditës Botërore të Teatrit për vitin 2015 është realizuar nga drejtori i Teatrit të Varshavës “Nowy Teatër”, studiuesi i histori filozofisë, romancieri dhe dramaturgu i njohur polak, Krzysztof Warlikowski.

 Mjeshtrat e vërtetë të teatrit, më lehtë se kudo, gjenden larg skenës. Dhe përgjithësisht, ata nuk kanë interes për teatrin si një makinë që replikon konvencione e riprodhon klishe. Ata kërkojnë burimin pulsues, rrëketë e gjalla që synojnë të tejkalojnë sallat e shfaqjeve apo mizëritë e njerëzve kërrusur mbi kopjimin e një bote, apo një tjetre. Ndërsa ne kopjojmë botë të krijuara, që përqendrohen apo mbështeten në debate me audienca, në emocione që gëlojnë poshtë sipërfaqes. Dhe në fakt nuk ka asgjë që mund të rrëfejë pasione të fshehura më mirë se teatri.

Shpesh, unë i drejtohem prozës për udhërrëfim. Ditë pas dite e gjej veten tek mendoj për shkrimtarë që rreth njëqind vjet më herët përshkruanin profetisht, e njëkohësisht përmbanin, rënien e zotave të Evropës, muzgun që pllakosi qytetërimin tonë në një errësirë ende për tu ndriçuar. Po mendoj për Franc Kafkën, Tomas Man-in e Marsel Prustin. Sot, do të llogarisja edhe Xhon Maksuell Koetzen (John Maxwell Coetzee) në atë grup profetësh.

Arsyetimi i tyre për fundin e pashmangshëm të botës – jo të planetit, por të modelit të marrëdhënieve njerëzore – dhe të rendit shoqëror e trazirave, është mprehtësisht aktual për ne këtu dhe tani. Për ne që jetojmë pas fundit të botës. Që jetojmë faqe krimeve e konflikteve që flakërojnë në vende të reja edhe më shpejt nga sa e kudondodhura media mund të sjellë. Këto flakë shpejt bëhen të mërzitshme dhe veniten prej raportimeve të shtypit, për të mos u kthyer më kurrë. Dhe ne ndjehemi të pashpresë, të llahtarisur e të mpakur. Nuk jemi më të zotët të ngrejmë kulla, dhe muret që me kokëfortësi ngrejmë nuk na mbrojnë prej asgjëje – përkundrazi, ato vetë kërkojnë mbrojtje dhe përkujdesje që konsumon energjinë tonë jetësore. Ne nuk kemi më fuqinë të përpiqemi e shquajmë atë që rri pas porte, pas muri. Dhe pikërisht kjo është arsyeja që teatri duhet të jetë dhe ku duhet të kërkojë forcën e vet. Të diktojë brenda, aty ku shikimi është i ndaluar.

“Legjenda kërkon të shpjegojë atë që nuk shpjegohet. Sepse ajo ngrihet mbi të vërtetën, ajo duhet të përfundojë në të pashpjegueshmen” – kështu përshkroi Kafka shndërrimin e legjendës së Prometeut. Jam i bindur se të njëjtat fjalë duhet të përshkruajnë teatrin. Dhe ky është lloji i teatrit, që i bazuar tek e vërteta dhe që gjen fundin e vet tek e pashpjegueshmja, që uroj për gjithë punëtorët e tij, ata në skenë e ata në publik, dhe e uroj këtë me gjithë zemër.

Krzysztof Warlikowski

Përkthyer prej anglishtes nga Oltion Kadaifçiu

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency