Standard.al

Kemi shumë për të besuar, thjesht duke jetuar përditë

 Tomas Transtromer

William-Adolphe Bouguereau The-proposal-1872Poezi/ Dy ditë më parë është ndarë nga jeta poeti suedez Tomas Transtromer, nobelisti i letërsisë më 2011 për veprat surrealiste, rreth mistereve të mendjes njerëzore, duke fituar njohje të gjerë si poeti më me ndikim në vendet skandinave viteve të fundit. Poezitë e Transtromerit janë vlerësuar për imazhet e fuqishme, të ndërtuara shpesh rreth përvojave të tij të mbushura me dashurinë për muzikën dhe natyrën, një përmbledhje e të cilave ka ardhur në shqip në vitin 2003, “Perandoria e barit”, përkthyer nga Natasha Lako

 

Shubertiana

1.

Në errësirën e mbrëmjes në një shesh jashtë New York-ut vështrimi

është si një pikël kompasi që me një lëvizje të vetme përfshin shtëpitë

e tetë milion njerëzve.

Përtej qyteti gjigant i parë prej një ane duket si një galaktikë spirale,

i mbajtur nën kontroll.

Me një galaksi filxhanësh që u drejtohen klientëve, vitrina dyqanesh

të kërkuara prej kalimtarëve,

dyndje këpucësh që ikin pa shenjë.

Zjarr kacavjerrës që ikën, dyer ashensori që fshehin shkëlqimin prapa

dyerve me roje që kyçin një grumbuj të vazhdueshëm zërash.

Vagonët e metrove të kujtojnë lëkurën e hequr të gjarprit.

Katakombe të dhimbshme.

Unë e di gjithashtu – pa asnjë statistikë – që sapo ka filluar të luhet Shuberti, në një dhomë përmbi dhe për dikë notat janë më reale

se çdo gjë tjetër.

 

2.

Ekspansioni i pafund i trurit njerëzor është bërë shuk në masën

e një grushti.

Në prill dallëndyshja kthehet në folenë e vitit të mëparshëm në të

Njëjtën rrjedhë kaq fëminore kaq të përcaktuar.

Ajo fluturon nga Transilvania, kalon Ekuadorin, kapërcen

Për gjashtë javë

Mbi dy kontinente, si një dhuratë që me përpikmëri ikën dhe vjen

Në një fushë pafund.

Dhe njeriu që kap sinjalet e jetës, në akorde të pakta dhe të

zakonshme harqesh,

që e bën lumin të rrjedhë nëpër syrin e një gjilpëre,

është një xhentëlmen i ri i stërvitur në Vjenë, i njohur nga shokët e

tij si “Kërpudha” i cili ka fjetur bashkë me syzet

mbi tavolinën e tij të shkrimit deri në mëngjes.

Dhe atëherë njëqindkëmbëshat e dorëshkrimit të tij vihen në lëvizje.

 

3.

Kuinteti i harqeve po luhet. Unë shkoj në shtëpi përmes një

Pylli të ngrohtë, me tokën që vrapon poshtë meje,

I mbledhur kruspull si një embrion, bie në gjumë, i vërtitur

Pa peshë në të ardhmen,

Ndjej pa pritur që fushat kanë mendime.

 

4.

Kemi shumë për të besuar, thjesht duke jetuar të përditshmen tonë

Pa u fundosur në tokë!

Beso varganin e borës që kacavirret mbi pjerrësinë e malit në fshat.

Beso premtimin e heshtjes dhe buzëqeshjen e mirëkuptimit, beso që

Telegrami aksidental nuk është për ne dhe që një lëvizje e

Papritur e levës nuk dëshiron të vijë.

Beso në boshtin që të çon në mes të rrugës kryesore, si një masë e

Treqind-fishuar jete me ngrohtësi metali.

Por asnjë nga këto s’ia vlen të ketë besimin tonë.

Pesë harqet thonë se duhet të kemi besim te diçka tjetër…..

Dhe ato na shoqërojnë, kur largohemi që këtej.

Dhe kur kërcitjet e ndara të kohës ikin shkallë-shkallë duke i besuar

Gishtat prekim

Një parmak të verbër që gjen rrugën e tij në errësirë.

 

5.

Skercojmë në piano së bashku dhe luajmë me të katër duart

Në F minor, dy karrocierë në të njëjtën karrocë, në dukje

Pak qesharakë janë duart që lëvizin andej këndej në rezonancë

Me peshën, të temperuara me kundërpeshën

Për të shkaktuar një turbullim të madh midis krahëve që mbajnë

ekuilibrin e tmerrshëm: gëzimi dhe vuajtja

duhet të peshojnë njësoj.

Ani thoshte: “Kjo muzikë është kaq heroike” dhe kishte të drejtë

Por ata që me sytë e tyre ndiqnin plot kënaqësi njerëzit e veprimit,

Ata që pa thënë, përçmonin veten që nuk ishin të vdekur,

Nuk e gjenin veten këtu,

Dhe shume nga ata që i blejnë dhe i shesin njerëzit dhe besojnë se

Çdo kush mund të jetë i blerë, nuk e gjenin veten këtu.

S’ish e tyre muzika. Melodia e gjatë që kujtonte veten ne të gjithë

transformimet e saj, një herë e vezulluar dhe e thyeshme, një

herë e rrudhosur dhe e fortë, guaskë kërmilli dhe tel hekuri.

Fëshfërima që na ndjek – tani

ngre thellësitë.

 

KYRIE

Ndonjëherë jeta ime i ka hapur sytë në mes të errësirës,

me ndjenjën se një turmë po shtyhet nëpër rrugë

plot verbëri dhe ankth drejt mrekullisë,

e unë e di që jam i padukshëm dhe i ndalur.

 

Si një fëmijë që ka rënë në gjumë në terror

në dëgjim të fillit të rëndë të zemrës,

ngadalë, ngadalë deri sa mëngjesi vë në bravë rrezet e tij

dhe dyert e errësirës hap.

 

GURËT

Gurët dëgjoj që hidhen

dhe bien, të kthjellët si qelq mespërmes viteve. Atje në luginë

të gjithë veprimet e paqarta të çastit

fluturojnë të ndera nga

një majë peme te një majë peme, të bëra heshtje

në një ajër më të rreshkur se i sotmi, rrëshqasin

si një dallëndyshe nga një majë kodre

te një majë kodre deri sa

të kenë arritur në pllajën më të afërt

në kufirin e të qenurit. Atje gjithë

bëmat tona rrëzohen

të kthjellëta si qelq

me të gjithë pjesën tonë të sotme që bie

që të përjashtojë veten.

 

KAPRIÇIO

Po ngryset në Huelva: palma ngjyrë blozë

dhe fishkëllima trenash që tromaksin

lakuriqët bojë argjendi të natës.

 

Rrugët mbushen me njerëz.

Një grua që shtyhet mes turmës lë rëndësirën

e dritës së fundit të ditës mbi peshoren e saj të syve.

 

Dritaret e zyrave kanë mbetur të hapura. Ju mund të dëgjoni ende

si i bien të tronditshme ecja e kalit.

Kali i vjetër me kapistër të nderë mbi jele.

 

Deri në mesnatë nuk gjen ndonjë rrugë të zbrazët.

Më në fund në të gjithat zyrat: vjen bulja.

 

Sipër në hapësirë:

trokon heshtur, shndritshëm dhe zi,

i padukshëm dhe pa u sulur,

me kalorësin e tij të rrëzuar qyshkur:

një konstelacion i ri që unë e quaj “kali”.

 

KONTEKST

Shih pemën e hirtë. Qielli ka vrapuar

deri në fibrat që zbresin nën tokë

vetëm një re e rrudhur largohet

e pathithur prej dheut. Hapësira e vjedhur

është mbledhur si gërshet i pleksur

me gjelbërimin.- Një çast i menjëhershëm

lirie lind brenda nesh dhe merr rrugë

që nga pjesa jonë e gjakut për më tutje.

 

MEDITIM I SHQETËSUAR

Shtrëngata shtyn krahët e mullirit egërsisht përqark

errësirës së natës ku nuk bluhet gjë. Ti

je duke qëndruar nga e njëjta ligjësi.

Barku i hirtë i peshkaqenit është llamba jote e zbehtë.

 

Kujtime pa asnjë formë zhyten drejt thellësive të detit

dhe ngrijnë atje si kolona të çuditshme.- E blertë

prej algash është paterica jote. Një burrë

i përbërë prej detrash vjen i ngurtësuar.

 

 

THELLË NË EVROPË

Një trup i errët dhe rrjedhës mes dy portikësh limani,

Mbi shtratin e hotelit ka rënë, mes qytetit që po zgjohet përqark.

Alarmi i heshtur dhe ndriçimi gri,

të ngre ngadalë nëpër shkallët e mëngjesit.

 

Horizont i pafund. Duan të thonë diçka të vdekurit.

Tym duhani lëshojnë ende, por për të ngrënë s’hanë, frymë s’marrin

por ende kanë zë.

 

Nxitoj në rrugë si njëri prej tyre

E rëndë si hëna katedralja e zezë bën baticë dhe rrjedhë.

 

MBRETËRIA E PASIGURISË

Shefja e zyrës i mëshon trupit të shënojë me kryq

dhe vathi i saj luhatet si lavjerrës.

Me flatra fluture fare të padukshme

…lëviz demoni së bashkë me gazetën që hapet.

Një helmetë e mbajtur prej askujt ka marrë pushtetin.

Breshka lëviz, e lëvizshme poshtë ujit.

Comments are closed.