Hapja e dosjeve/ Mazhoranca rrëzon draftin për lustracionin, PD: Mos u mbroni me turpet e Abdiut dhe Topit

0
146

Gëzim Saliu

 komisioni i ligjeveDebatet në Kuvend, Subashi: Varianti i deputetëve Doda-Idrizi, antikushtetues. Halimi: Projektligji i qeverisë është hipokrizi

Mazhoranca qeverisëse rrëzon projektligjin e dosjeve të iniciuar nga deputetët Doda-Idrizi dhe shoqëria civile, i cili kërkon që krahas transparencës në këtë proces të përfshihet edhe lustracioni. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputetët e majtë e cilësuan draftin antikushtetues dhe të njëjtë me atë të 2008-ës të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, duke i dhënë votën pro vetëm projektligjit të qeverisë “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Nga ana e saj, PD nuk ngurroi ta cilësonte si hipokrizi projektligjin e qeverisë për hapjen e dosjeve, duke theksuar ndërkohë se argumentet e shumicës për rrëzimin e draftit të shoqërisë civile janë ato të përdorura nga ish-presidenti Topi dhe ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu.

 

Debati

Sipas të majtëve, drafti i deputetëve Mesila Doda e Shpëtim Idrizi i PDIU-së si dhe shoqërisë civile është germë për germë i ngjashëm me atë të 2008-ës të propozuar nga demokratët. “Relacioni që kanë përgatitur, në mënyrë shumë përmbledhëse kemi disa momente të cilat kanë të bëjnë me antikushtetutshmërinë e ligjit të 2008-ës i cili vlen, pra të njëjtat parime që ka sanksionuar gjykata kushtetuese ne na vlejnë edhe për ligjin që kemi përpara sepse në thelb është e njëjta gjë”. Por pavarësisht se PD ka shprehur pakënaqësi ndaj deputetes Doda për mosbindjen ndaj urdhrave të grupit si edhe ndaj Shpëtim Idrizit si braktisës i koalicionit, demokratët dolën dje në mbrojtje të nismës së tyre për dosjet. “Këta persona që jo vetëm që janë gjallë, por vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e shtetit dhe të paguhen nga qytetarët shqiptarë, këta duhet të largohen. Ky është propozimi në thelb që vjen nga deputetët”, – tha Halimi. Në të njëjtën linjë, deputeti Strazimiri theksoi se mazhoranca po e rrëzon draftin e shoqërisë civile, duke u mbështetur në argumente të dhëna më parë nga ish-presidenti Topi. “Minimalisht nëse vërtet e konsideroni veten juristë, njerëz të lirë sot, se kemi 25 vjet që jetojmë në liri, nuk mund të më sillni sot këtu si argumentim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Fehmi Abdiut dhe Bamir Topit, një turp për jurisprudencën shqiptare”, – tha ai. Ndërkohë, lidhur me projektligjin e qeverisë të mbështetur me votë nga deputetët e majtë, opozita theksoi në Komisionin e Ligjeve se ai përbën një hipokrizi të mazhorancës. “Projektligji i qeverisë vetëm informues, projektligji i deputetëve parashikon largimin nga poste zyrtare të atyre njerëzve që kanë bërë barbari gjatë 45 viteve. Nëse ne u themi qytetarëve vetëm mund të informoheni, pa i bërë gjë, atëherë kemi të bëjmë me hipokrizinë ndaj qytetarëve, me retorika boshe. Është njësoj siç po ndodh tani ku në administratë ka njerëz me rekorde kriminale”, – tha Halimi. Ndërkaq, sipas mazhorancës, ligji parashikon thjesht të drejtën e informimit. “Nuk gjeta element antikushtetues, është në përputhje me standardet. Mund të ketë nevojë për disa rregullime në nene të ndryshme. T’i hapim rrugë, ta miratojmë në parim”, – tha Subashi. Ndërkohë, gjatë diskutimeve, i vetmi që ka shprehur kundërshti ndaj të dy varianteve ka qenë deputeti Nard Ndoka, i cili i u shpreh se të dy projektligjet janë vetëm për propagandë dhe se nuk përmbushin kriteret. “Të dy projektligjet për propagandë. Nuk përmbushin kriteret. Duhet një ligj nga të dy palët ose t’ua lëmë shoqatave ta bëjnë”, – tha Ndoka.

 

Doda: Vendi ka nevojë të dijë të vërtetën

Megjithëse në Komisionin e Ligjeve Doda nuk ishte e ftuar, ajo shprehu mendimin për draftin e mbështetur prej saj dhe shoqërisë civile në Komisionin e Çështjeve Sociale, ku tha se shoqëria duhet të dijë të vërtetën. “Kemi nevojë që të dimë të vërtetën, e vërteta nuk vret askënd, e vërteta çliron kombin, e vërteta çliron vendin. Unë nuk pres që kryetari i Komisionit të Ligjeve, i cili përfshihet në këtë projektligj, të jetë dashamirës me ne ashtu siç bëri edhe sot, që në fakt nuk ftoi iniciatorët”.

 

Debatet

Armando Subashi: Ligji 2008 bashkë me këtë të ardhur nga dy deputetët janë njësoj në përmbajtjen e vet, mund të ndryshojnë vetëm në presje.

Genc Strazimiri: Minimalisht nëse vërtet e konsideroni veten juristë, njerëz të lirë sot, se kemi 25 vjet që jetojmë në liri, nuk mund të më sillni sot këtu si argumentim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Fehmi Abdiut dhe Bamir Topit, një turp për jurisprudencën shqiptare.

Armando Subashi: Varianti i qeverisë thjesht parashikon të drejtën e informimit. Nuk gjeta element antikushtetues, është në përputhje me standardet.

Halimi: Nëse ne u themi qytetarëve vetëm mund të informoheni, pa i bërë gjë, atëherë kemi të bëjmë me hipokrizinë ndaj qytetarëve, me retorika boshe.

Nard Ndoka: Të dy projektligjet janë propagandë. Nuk përmbushin kriteret. Duhet një ligj nga të dy palët ose t’ua lëmë shoqatave ta bëjnë.

 

 Sot, Këshilli i Mandateve/ Çështja e Frrokut, PD: Meta ka konflikt interesi. Berisha: Është i tmerruar, do seancë të mbyllur

Partia Demokratike kërkon që kreu i Kuvendit, Ilir Meta, të heqë dorë nga drejtimi i mbledhjes së sotme të Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës për arrestimin e deputetit Frroku pasi, sipas opozitës, ai ka konflikt interesi. “Drejtimi i këtij Këshilli nga Ilir Meta, në procesin e shqyrtimit të arrestimit ndaj deputetit Mark Frroku që cilësohet prej organit të akuzës si dëshmitar kyç në çështjen Doshi-Meta, përbën pa as më të voglin dyshim një konflikt të hapur interesi, fakt ky i pranuar publikisht dhe nga Ilir Meta. Shkresën e kemi dorëzuar që ditën e sotme duke i krijuar mundësinë mazhorancës që të marrë masat e duhura për zhvillimin e seancës së nesërme dëgjimore, me një drejtues tjetër të këtij këshilli dhe jo Ilir Metën”, – tha Halimi. Për të njëjtën çështje reagoi dje edhe ish-kryeministri Berisha, i cili tha se kreu i LSI-së është i tmerruar, sipas tij, nga kjo seancë dhe e do zhvillimin e saj me dyer të mbyllura. “Meta, i akuzuar se porositi vrasjen e dy deputetëve Doshi dhe Mhilli, skenar të cilin për herë të parë Doshit ia tha Frroku, ka frikë se ndaj kërkesës së dytë për arrestim, Frroku mund të thotë të vërtetën për fshehjen nga Meta prej 7 muajve të kërkesës së autoriteteve të Brukselit për ekstradimin e tij në shkëmbim të deklaratës se ai, Frroku, nuk njihte mikun e tij Durim Bami. Thuhet se Rama dhe Meta kanë porositur Nasipin që Frroku, dëshmitar kyç në akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë, për porosinë e tij për vrasjen me pagesë të deputetëve Doshi dhe Fufi, në asnjë mënyrë të mos ekstradohet në Bruksel. Kjo, sepse atje, ai jashtë kërcënimeve të Metës dhe Ramës mund të dëshmojë të vërtetën për Metën, Doshin, Bamin, Tonin”, – shkruante Berisha.

 

 Kërkesa/ PD për vakancën në Këshill: Strazimiri i përhershëm, Bylykbashi dhe Bumçi zëvendësues

Grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar dje plotësimin e vendit vakant të opozitës në këtë Këshill, në mënyrë që përbërja ditën e sotme të jetë e plotë, siç kërkohet ekzaktësisht nga neni 13 i rregullores së Kuvendit, në numra të barabartë deputetësh, të mazhorancës po aq dhe të opozitës. Gent Strazimiri është propozuar si anëtar i përhershëm në këtë këshill, duke plotësuar vendin vakant të lënë që prej ndarjes nga jeta të deputetit Sokol Olldashi. Gjithashtu, ndonëse rregullorja e Parlamentit, por edhe Kushtetuta nuk e përcakton shprehimisht, demokratët kanë propozuar deputetin Oerd Bylykbashi e Aldo Bumçin si anëtarë zëvendësues, por në këtë rast propozimi i demokratëve bazohet në modelin e funksionimit të komisioneve të përhershme parlamentare. Propozimet e Partisë Demokratike vijnë në një kohë kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet është mjaft aktiv në diskutimin e kërkesave të Prokurorisë në lidhje me deputetin e qarkut të Shkodrës, Mark Frroku, por edhe në një moment kur pritet të diskutohet dhe kërkesa e opozitës për heqjen e mandatit të deputetit socialist Koço Kokdhima.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency