MOZAIK I VOGËL NDJESISH DHE MENDIMESH PËR MUNGESËN E MADHE…

0
135

Nga ATJONI V. ZHITI

zhitiSi vendas them se më vjen shumë keq për mjedisin që keni gjetur, por ky është realiteti dhe, po ta mbroja, do gënjeja, edhe veten.

Fatkeqësisht dhe fatmirësisht, askush nuk u shpëton këtyre ligjeve.
Filozofia, me bindje them, se me mbush, kam filluar të shkruaj, po mundohem të shkruaj sesi prekonceptet, relativizmat, konformizmat, largojnë njeriun nga njeriu. Janë të mjaftueshme per il “me stesso” iniziale, por në një stad më të mëvonshëm duhet tejkaluar dhe vetvetja jonë, duhet të zhvishet prej tyre pikërisht për t’u njohur me të dhe sidomos në një nivel meno calpestato si subkoshienca. Deri tani këtë zhveshje e kam gjetur tek skizofrenia, por s’jam akoma gati momentalisht per të. Aimè, shkrim i thënçin, se informacioni qe kam gjetur e arritur, është i pakët, po ashtu ineksperienca dhe një sërë faktoresh të tjerë që Ju i dini shumë më mirë sesa unë, më pengojnë, por dëshira mbetet.

(Nga një letër dërguar shkencëtarit hebre, dr. M. S.)
                                                            *  *  *

do të mundohem të njoh gjithçka, por nuk do pranoj çka nuk më pëlqen, nuk kam kohë për paragjykime, tabu e budalliqe të tilla.

Puna e diplomatit nuk është për mua, është e bukur, por nuk më duket me shumë sostancë. Në situatën që jemi tani, nëqoftëse do punoja në shtet, do të dëshiroja diçka më vendim-marrëse. Dhe njëkohesisht po aq sa do të doja të provoja të gjitha punërat, po aq nuk do doja asnjërën, e rëndësishme është të jetoj me mendimet dhe çka kam brenda.

…edhe po të doja, nuk kam aq mundësira sa për të bërë Don Kishotin, megjithëse ai kthehet dhe në simbol që të tjerët e kuptojnë dhe e bëjnë më mirë akoma atë çka donte ai, ama me duhet dhe mbështetje, jo vetëm morale..

Ah, se harrova, nuk ka pse të të duket sikur do bëj diplomatin, e vetmja arsye përse ndjek këto gjera, është sepse janë të bukura dhe jetëbërëse, por nuk jam tamam në brendësi të tyre, plus janë eskamotazhi më i mirë që kam për të udhëtuar.

(Nga një letër dërguar babait të tij.)

 

                     *  *  *

Lideri i opinionit publik, tregon Richart Hoggart (sociolog anglez), se ka prirje që nën ndikimin e mediatizimit, të bjerë në narcizëm, pra t’i pëlqejë vetja dhe mendimet e tij në mënyrë të atillë që të mos pranojë asnjë dialog me të tjerët, të mos pranojë gabime, të mos tregojë kufijtë e dijes së vet, përballë së cilës nis injoranca e tij.

A nuk mendoni se ky pohim i përshtatet drejtuesve tanë, kur flasin për administratën shtetërore për ato që vetë nuk i bëjnë dhe nuk flasin për ato që bëjnë?

(nga përgjigjja, dhënë me sms ca shokëve, që e pyetën për këtë çështje.)

 

                    *  *  *

Duhet kuptuar shoqëria për të folur për një fenomen shoqëror, të paktën sado pak. Sot në shoqërinë tonë, tërë jeta e shoqërive, ku mbretërojnë kushtet moderne të prodhimit, prezatohet si një akumulim i madh spektaklesh.

Spektakli, në këtë rast programi juaj, për shembull, nuk është më një bashkësi imazhesh, por një raport social që ka imazhin si medium. Realiteti kështu lind tek spektakli dhe spektakli bëhet real.

Imazhi është mall dhe malli kështu ngarkohet me imazhe, imazhe spektakolare, të cilat e mbushin mallin plot jetë dhe çojnë konsumatorin e pamundur për shumë në iluzion.

Ky mall i kthyer kështu nuk e ka çliruar njeriun nga nevoja, por i ka ushtruar një presion të ri, një kusht të ri, konsumizmin. Në saj të kthimit në mallit në parësi, malli ngarkohet me alegori e kuptim simbolik.

Malli konsumohet me dukjen, nuk duhet më për mbijetesën dhe kështu pra kemi një mbijetesë të mbingarkuar. Akoma më e shterpët se nevoja e mbijetesës.

Në shoqërinë tonë është dramatike se si të qenurit zëvendësohet nga dukja.

            (Mesazhi që donte t’i dërgonte një emisioni të njohur televiziv në Tiranë, 16/12/2014 ora 23:12:43)

 

                  *  *  *

Si jeni? Si je? Ça bëhet? Ça nuk bëhet? Ça zhbëhet? Ça rikonstrukturohet? Ça vritet? Ngjallet? Balsamoset? Shkallmohet? Qetësohet?
Unë mirë. Shkollë. Shtëpi. Planifikime eksperiencash jetësore nëpër Evropë dhe jo vetëm plane.

…Ndërkohe dy letrat e zotit Eugjen me lumturuan shume. Por po aq sa më ka “bërë qejfin”, po aq më lë një përgjegjësi shumë të madhe mbi shpatulla… por në raste të tilla, besoj, duhet vetëm guximi inicial, një shkëndije “marrëzie”, sa për të pasur atë impuls, pastaj gjenden mënyra për të mos lejuar peshën të të shtypë, por të shndërrohet në mirësi e dobi etj., etj… vërdallë ka shumë të rinj më të aftë, me më shumë ëndrra, dije…

Xhaxhi Mërgimit shumë faleminderit. Amanetin e tij (për të mos përdorur fjalë të huaja në shkrime) e dëshiroj, nuk dua vetëm të më “tejkalohet”, por nuk e di se sa leksiku im më lejon, ama dëshira është shumë, shumë e madhe.                                                 Denisi më thotë që ti jo vetëm akuzon… por i sfidon “pa turp” në dije e në kulture, lëshon një predhë dhe s’ke frike nga kundërpërgjigjja….

Një tjetër mik më tha që je personifikimi i elegancës agresive e jo i agresivitetit elegant. Mos ndrysho!

…por, kur mendoj përshkrimin e ç’produkti jam, nuk jam totalisht dakord. Po të isha vetëm produkt i prindërve, do të isha shumë më i mirë seç jam, por besoj pak më i mefshtë (kjo nuk është aspak fjala e duhur). Po e po që falënderoj prindërit për ato që më kanë krijuar e mundësuar, takimet e ndryshme që kane pasur shume influence tek mua, por paralelisht dhe në kontrapozicion ka qenë dhe “ambienti i rrugës”, që nuk dua ta përshkruaj, sepse do skandalizoheshit. Pra ky pluskim i vazhdimtë, kjo luhatje e pambarimtë mjedisesh, më kanë krijuar një panoramë shumë piktoreske dhe me shumë variacion, që më lejon shumë gjëra e nuk më mban të mbyllur. Përkundrazi më bën të jem i hapur karshi çdo lloj situate.

(Pjesë nga letra dhe mesazhe të ndryshëm, nga të fundit…)

 

                                *  *  *

Pamundësia e votimit prej moshës nuk i bën të rinjtë të mospërfshirë në politikën e vendit të tyre, ata duan të jenë pjesë e saj, pasi janë pjesë e saj.

Personalisht besoj në aftësinë tonë si popull për të bërë zgjedhjen më te mirë, një të përbashkët. Nesër nuk pranoj kurrsesi një “rivdekje” të vendit tim, duke gabuar, sepse besohet ende në disa relikte të paafta dhe hipokrite të diktaturës komuniste. Ka pasur një Rilindje Kombëtare, ka pasur dhe në dhjetorin e 90-ës, lëvizja për demokraci, që vazhdon…

Unë besoj në rrugën e nisur, unë besoj në idealet e demokracisë, unë besoj në ndryshimet e bëra…

Përpara, përpara, përpara!

…Këto ditët e fundit jam kthyer nga Barcelona, ku mbahej sesioni i fundit ndërkombëtar i Parlamentit Rinor Evropian, pjesë e delegacionit shqiptar, përvojë e bukur.

Përmbas shkurtova rrugën për shtëpi duke bërë një interrail nëpërmjet Francës, Gjermanisë, Holandës, Republikës Çeke, Serbisë e në fund Republikës së Kosovës.

Takimin tjetër të Parlamentit Rinor Evropian do ta mbajmë në Korçë,

Kam filluar punë dhe shpresoj që Evropa të gjejë Evropë tek ne.

            (Nga mesazhet dhe bisedat…)

                              *  *  *

Mesi radikal synon bashkimin qytetar për të sugjeruar zgjidhje problematikave të ndryshme që na rrethojnë, duke synuar të mirën e përbashkët.                     Mesi radikal është emër i frymëzuar nga rryma filozofo-politike “radical middle”, e cila merr të mirën e çdo bindjeje politike.
Termi ‘radikal’ i referohet vullnetit e dëshirës për reforma themelore institucionale, ndërkohe, ‘mesi’ – besimit që zgjidhjet e duhura kërkojnë realizëm e pragmatizëm, jo vetëm idealizëm e ndjenja.
Ne jemi një grup të rinjsh të zhgënjyer nga realiteti, që ama ende besojnë, e duan sadopak të kontribuojnë në ndryshimin e përmirësimin e tij.
Janë të politizuar, por apartiak, që udhëhiqen nga ndërgjegjja.

Mesi Radikal është një idealizëm pa iluzione.

(Nga faqja informative e gazetës elektronike “Mesi Radikal”, e themeluar nga Atjon Zhiti në fillim të vitit 2014, por… )

…aksidentalisht e vrau mesi i rrugës, betoni i autostradës Tiranë-Durrës, që riparohej, pa asnjë sinjalistike as natën, ndërsa Atjoni udhëtonte pas një feste, e kishte marrë në motorin e tij një bashkëmoshatar, 19 vjeç dhe ai, që ishte rrëzuar dhe herë të tjera. Dikush nga miqtë e Atjonit tregoi se ishin nisur për në Durrës për të parë agimin si do të dukej në det dhe mbeti në natën ku hodhi ai që ngiste motorin, pegasin modern të çmendur.

Megjithatë Atjon V. Zhiti po rendëte drejt dritës, mbase po vazhdon…

Përgatiti V.M

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency