Vendimi/ Matura 2015, kriteret për korrigjimin e testeve

0
129

Matura 2015, kriteret për korrigjimin e testeve“Një risi këtë vit do të jetë certifikimi i vlerësuesve të testeve. Asnjë korrigjues nuk do të futet në proces, pa u pajisur me dokumentin që do të lëshohet nga AKP-ja dhe që vërteton kriteret që duhet të plotësojë vlerësuesi”

Administratorët që janë kapur me shkelje gjatë procesit të maturës së vitit të kaluar, nuk do të jenë më pjesë e administrimit të provime. Edhe pse nuk raportohen shifra se sa shkon ky numër, drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Provimeve shprehet se këta mësues janë hequr nga lista e administrimit të procesit, pasi nuk kanë zbatuar rregulloren. Ndërkaq, ajo jep edhe disa hollësi rreth zhvillimit të testimeve. “Është i saktësuar edhe numri i nxënësve për secilin mjedis. Ne shfrytëzojmë edhe palestrat dhe mjediset e universiteteve. Ka administratorë që janë penalizuar në vitin e kaluar, sepse emrat e tyre janë dërguar nga AKP-ja që janë parë në procesin e administrimit, difekte të caktuara që mund të kenë shfaqur, sigurisht nuk bëjnë më pjesë”, – tha Rozana Vrapi, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Një risi këtë vit do të jetë certifikimi i vlerësuesve të testeve. Asnjë korrigjues nuk do të futet në proces pa u pajisur me dokumentin që do të lëshohet nga AKP-ja dhe që vërteton kriteret që duhet të plotësojë vlerësuesi. Numri i këtyre të fundit shkon në mbi 1200. “Është një certifikim që garanton në mënyrë shumë të mirë cilësinë e korrigjuesve, sepse certifikim do të thotë që ata të përmbushin një sërë kriteresh që nga vjetërsia në punë, cilësia e profesionalizmit të tyre, cilësia që kanë dëshmuar në korrigjimin e maturës shtetërore që identifikohen nga stafi i AKP-së dhe pastaj ata marrin certifikata që i bën të vlefshëm për të qenë pjesë e këtij procesi. Nuk do të ketë asnjë korrigjues që nuk e ka këtë lloj certifikate”, – tha Vrapi. Një ditë më parë, ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë publike edhe datat e zhvillimit të testimeve. Provimet e maturës fillojnë me gjuhën e huaj më 23 maj, gjuhën shqipe dhe letërsinë në 29 maj, matematikën në 9 qershor dhe ato me zgjedhje në 19 qershor.

 

Rregullorja për provimet

Maturanti duhet që në çdo provim të sigurojë të paktën 20 për qind të pikëve që të kualifikohet si kalues. Maturanti përjashtohet nga provimi kur ndryshon vendin që i është caktuar, kopjon, bën komente për përmbajtjen e testit, mban telefon ose mjete te tjera të komunikimit. Po kështu përjashtime ka edhe kur maturanti refuzon kontrollin nga administratorët në momentin e hyrjes në provim, përdor lapsa apo më shumë se një ngjyrë në provimin e testit, kur dëmton testin apo barkodin. Mjediset kudo te zhvillohen provimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre.
Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta
Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet. Maturantët/kandidatët të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim. Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40×60 cm;
Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.

 

ISSH/ Kompensimi i energjisë, shtyhet afati i kompensimit

Shtyhet edhe me dy muaj afati për dorëzimin e dokumentacionit përkatës për të gjithë pensionistët që përfitojnë kompensim të energjisë elektrike. Burime zyrtare pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëjnë me dije se afati i përcaktuar deri në fund të muajit prill, shtyhet deri në fund të muajit qershor. Gjatë kësaj kohe çdo pensionist që kërkon të përfitojë nga masa e kompensimit, mund të aplikojë pranë zyrave rajonale të ISSH-së, duke plotësuar formularin përkatës. Një vendim i tillë u ndërmor nga drejtuesit e ISSH-së nisur nga fluksi i lartë dhe radhët e gjata të pensionistëve pranë sporteleve të ISSH-së. Për tu ardhur në ndihmë pensionistëve, me qëllim që mos të mundohen në radhë të gjata, është menduar shtyrja e afatit edhe me dy muaj të tjerë. Një zgjidhje për shmangur radhët është edhe eliminimi i orëve të para të paradites, me qëllim që shërbimi të merret përgjatë 8 orëve. Një lehtësi që ISSH i ka krijuar qytetarëve është shtimi i personelit të specializuar për të ndihmuar pensionistët të plotësojnë formularët, që duhen për të përfituar kompensimin financiar për energjinë elektrike. Janë afro 81 mijë pensionistë që përfitojë kompensim të energjisë elektrike, në një vlerë prej 648 lekë në muaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency