Trafiku/ Sekuestrohen 2.5 kilogramë heroinë, transportohej drejt Italisë

0
121

trafiku drogaÇështja i kalon Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sasia e drogës ishte destinuar për tregun italian, ndërsa po hetohet për bashkëpunëtorët në këtë rrjet

Policia e Durrësit ka arrestuar një person në Portin e Durrësit, teksa në automjetin e tij është gjetur dhe bllokuar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike të llojit heroinë. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë me dije se rreth orës 22:40 të mbrëmjes të së enjtes, gjatë imbarkimit të tragetit “Adria”, të linjës Durrës – Bari, u bë kapja në flagrancë e shtetasit Petrit Meta, 38 vjeç, lindur ne Lushnjë dhe banues ne Lushnjë. Sipas policisë ky person udhëtonte për në Itali me një automjet “Citroen-C3”, veturë, me targa AA530KZ dhe gjatë kontrollit të ushtruar në të pikërisht brenda serbatorit u gjendën 5 pako të mbështjella me qese celofani. Mësohet se në brendësi të tyre është dalluar një lëndë e cila për nga ngjyra dhe karakteristikat ngjasonte me atë të bimës narkotike të llojit heroinë. Për sa më sipër dyshohet se pesha mund të jetë rreth 2.5 kilogramë. Pas konstatimit të lëndës narkotike është bërë menjëherë shoqërimi në Policinë e Durrësit të Petrit Metës, ndërkohë që ai është marrë gjatë gjithë mbrëmjes të së enjtes në pyetje. Sipas burimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Meta ka pasur rolin e korrierit të grupit kriminal dhe jo të poseduesit të lëndës narkotike. Petrit Meta, më pas është transportuar në drejtim të Tiranës, ku do të dalë për tu njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg”, për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike mbetur në tentativë.

 

Policia

Në Durrës më datë 27.3.2015, nga ana e seksionit për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale të “Trafikim të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i K. Penal i shtetasit Petrit Meta, 38 vjeç, lindur në Lushnje, me gjendje gjyqësore i pa dënuar më parë. Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi është për arsye së më datë 26.3.2015, në ambientet e Portit Detar Durrës gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e kontrollit të automjeteve në automjetin tip “Citroen C-3”, me ngjyrë gri, me targë AA530KZ, me drejtues mjeti me autorizim shtetasi Petrit Meta i cili po udhëtonte nga Porti i Durrësit për në drejtim të portit të Barit Itali me tragetin “Adria”, i linjës Durrës Bari”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë Durrës. Ndërkohë, të njëjtat burime kanë bërë me dije se nga kontrolli fizik të ushtruar në mjetin me të cilin ky shtetas po udhëtonte, konkretisht në pjesën e brendshme të kroskotit u gjeten dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 pako të mbështjella me natriban me ngjyre kafe dhe në mesë një ngjitëse me ngjyrë të bardhë me mbishkrimin “Afganistan”, të mbështjella me letër alumini. Brenda secilës nga këto pako, policia bën me dije se gjendej lëndë në formë pluhuri me ngjyrë bezhë, e ngjashme me atë të llojit heroinë, e cila pasi u peshua rezultoi me peshë 2 kilogramë e 586.5 gramë, së bashku me ambalazhin e saj. Materialet në ngarkim të të arrestuarit do t’i kalojnë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale të “Trafikim të narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal. Hetimet ndaj 38-vjeçarit nga Lushnja vazhdojnë për të zbuluar nëse është i përfshirë në ndonjë grup që merret me trafikimin e lëndëve narkotike jashtë vendit.

 

Pranga punonjësit të Postës, premtonte punë në këmbim të ryshfetit

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 37-vjeçar me detyrë punonjës i Postës Shqiptare, pasi u kishte marrë shuma parash deri në 20 mijë lekë tre qytetarëve me premtimin se do t’i fuste në punë. Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë me dije se në prangat e policisë ka rënë Oltjon Dalipi, 37 vjeç, punonjës i Postës Shqiptare dega Tiranë. Sipas policisë 37-vjeçari u kishte premtuar tre personave se do t’i fuste në punë duke u marrë në këmbim shuma parash. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Dalipi u ka marrë shuma që variojnë nga 10 mijë deri në 20 mijë lekë shtetasve me iniciale B. D., O. H., dhe A. T. Menjëherë ai është vënë në pranga ndërsa materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës. Sakaq, këtë rast sipas burimeve të policisë mësohet se këtë të martë e kanë kallëzuar vetë Drejtues të Postës Shqiptare personin të fjalë nënë akuzën e korrupsionit. Menjëherë pas kallëzimit të bërë në Drejtorinë e Policisë Tiranë nga Drejtuesit e Postës, ka filluar menjëherë ndaj të arrestuarit Oltjon Dalipi, nën akuzën e korrupsionit. Ndërkohë, mësohet se drejtuesit e Postës Shqiptare sapo kanë konstatuar këtë rast, morën menjëherë vendimin për largimin nga puna e punonjësit të postës, si dhe më pas duke bërë kallëzimin në polici ndaj 37-vjeçarit. Pas dëshmive të marra, efektivët e Drejtorisë së Policisë Tiranë bënë të mundur arrestimin e 37-vjeçarit Oltjon Dalipi. Ky rast dëshmon edhe njëherë vendosmërinë e Postës Shqiptare për të denoncuar rastet abuzive. “Pasi konstatuan rastin, drejtuesit e Postës Shqiptare morën menjëherë vendimin për largimin nga puna dhe kallëzimin e tij në polici. Ky rast dëshmon vendosmërinë e Postës Shqiptare për të denoncuar rastet abuzive, duke ruajtur në këtë mënyrë linjën e qeverisë Shqiptare në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratën e Postës Shqiptare lidhur me këtë rast.

 

Finlanda e kërkon për përdhunim, shqiptari dyshohet se është në Angli

Shqiptari Abri Buçpapaj është në kërkim nga autoritetet Finlandeze dhe dyshohet se mund të ndodhet në Barnet të Anglisë. Ai është i akuzuar për tre vepra penale, për sulm ndaj një gruaje dhe një fëmije, tentativë për të përdhunuar një grua dhe tentativë për vrasjen e një tjetër gruaje dhe një burri. Të gjitha këto ngjarje kanë ndodhur në një hark kohor, nga korriku i vitit 2010 deri në nëntor të 2011-ës. Abri Buçpapaj, 35-vjeçari shqiptar është një nga 17 shtetasit e huaj, i cili kërkohet nga policia e Interpolit të Finlandës. Policia finlandeze mësohet se ka shpërndarë foto të shumta të këtyre 17 personave nëpër qytete dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të njoftojnë policinë nëse shikojnë në rrugë këtë person, dhe për asnjë arsye të mos u afrohen atyre. Në një prononcim, detektivi i Njësisë së Ekstradimit Sunfire Four, tha: “Këta persona përbëjnë një rrezikshmëri shumë të madhe për të gjithë qytetarët ndaj është i nevojshëm arrestimi i menjëhershëm i tyre dhe vënia përballë gjykatës”.

 

Vidhte energjinë për lokalin, shoqërohet në polici shtetasi italian

Policia e kryeqytetit ka shoqëruar gjatë ditës së djeshme në ambientet e policisë një shtetas italian, i cili dyshohet se vidhte energjinë elektrike në lokalin e tij në qendër të Tiranës. Burime nga policia kanë bërë me dije se shtetasi italian, E. Leoncini kishte një lidhje të dytë të paligjshme të energjisë, në lokalin e tij në kryeqytet. Bëhet e ditur nga burime brenda policisë së kryeqytetit se italiani Leoncini është shoqëruar në ambientet e komisariatit nr. 1 në Tiranë. Aksioni i Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për evidentimin e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe arrestimin e personave që e kryejnë këtë vepër penale. Burime nga Policia e Shtetit bënë me dije se ky aksion i nisur në të gjithë vendin do të vazhdojë derisa të mos ketë më raste të tilla. Sakaq, materialet ndaj shtetasit italian i kaluan Prokurorisë së Tiranës për vazhdime të mëtejshme procedurale.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency