Tatimet: Si do të mbahet tani e tutje në burim tatimi mbi të ardhurat

0

drejtoria e tatimeveAdministrata tatimore deklaron se në zbatim të nenit 33 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, të gjithë personat, përfshirë personat juridikë, ortakëritë, personat fizikë tregtarë rezidentë tatimorë në Shqipëri, organet e qeverisjes qendrore apo vendore, organizatat jofitimprurëse dhe çdo ent apo person juridik i krijuar si i tillë në Shqipëri, që bën pagesë të çdonjërës nga llojet e pagesave të mëposhtme, është i detyruar të mbajë tatim në burim dhe ta derdhë atë në organin tatimor jo më vonë se data 20 e muajit që pason muajin në të cilin është kryer pagesa.

 

Pagesat

Pagesat, për të cilat, paguesi i shumave duhet të llogarisë, mbajë dhe paguajë në llogari të Administratës Tatimore tatimin në burim në masën 15% të pagesës bruto, janë:

  1. a) dividendët
  1. b) ndarjet e fitimit
  1. c) interesat

ç) pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale

  1. d) pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit
  1. dh) pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues

(pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to)

ë) pagesat për qiratë

  1. f) pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave, të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre
  1. g) të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë.

Për t’u regjistruar me këtë përgjegjësi tatimore, personat e interesuar duhet të paraqiten pranë zyrave të Shërbimit për tatimpaguesit në Drejtorinë Rajonale Tatimore në të cilën janë regjistruar.

 

Deklarimi

Deklarimi i Formularit të deklarimit dhe pagesës së tatimit të mbajtur në burim kryhet vetëm në mënyrë elektronike, nga llogaria e deklarimit elektronik të çdo tatimpaguesi, në faqen e internetit të Administratës Tatimore tatime.gov.al, në menynë Shërbimet – e-shërbimet – Tatimet e mia.

Pagesa e tatimit në burim, mund të kryhet në çdo bankë të nivelit të dytë, duke paraqitur urdhërpagesën, e cila gjenerohet pasi është dorëzuar Deklarata përkatëse e tatimit të mbajtur në burim. Afati përfundimtar i pagesës së tatimit të mbajtur në burim është data 20 e muajit pasardhës të muajit në të cilin është kryer pagesa, përveç deklarimit dhe pagesës së tatimit në burim për dividendët si dhe për faturat e palikuiduara për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, referuar germës “ll”, të nenit 21 “Shpenzime të panjohura” të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar. Për dividendët, deklarimi dhe pagesa e tatimit të mbajtur në burim bëhet brenda datës 20 gusht të çdo viti, pavarësisht nga koha kur do të kryhet pagesa e dividendëve për përfituesit ndërsa për faturat e palikuiduara për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, deklarimi dhe pagesa e tatimit të mbajtur duhet të bëhet brenda datës 20 dhjetor të periudhës tatimore, pavarësisht nga koha kur do të kryhet likuidimi i tyre.

 

Dokumentacioni

Për të evidentuar tatimin e mbajtur në burim, të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore dhe vendore, organizatat jofitimprurëse, si dhe çdo person tjetër i njohur si i tillë nga legjislacioni në fuqi, duhet të mbajnë regjistrimet në librat përkatës të evidentimit, të cilët përmbajnë të dhëna të plota identifikuese për personin përfitues (përfshirë fotokopje të certifikatës së regjistrimit të përfituesit), rastet kur nuk mbahet tatim në burim në zbatim të marrëveshjeve për shmangien e taksimit të dyfishtë, përshkrimin e shërbimeve të marra, referencat në dokumentet që mbështesin shërbimin e marrë, shumën e pagesës dhe tatimin e mbajtur në burim.

Këto të dhëna, duhet t’i vihen në dispozicion Administratës Tatimore dhe personit përfitues të të ardhurave, për të cilin është bërë pagesa, kur një gjë e tillë kërkohet.

 

Radhë të gjata në QKR

Edhe gjatë ditës së djeshme është konstatuar një radhë e gjatë e përfaqësuesve të subjekteve tregtarë pranë zyrave qendrore të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit. Kjo, pasi po përfundon afati i deklarimit të adresave dhe kodeve ekonomike të ndërmarrjeve private.

Administrata Tatimore ka kërkuar para disa muajsh përditësimet e adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve, si dhe kodeve ekonomike të veprimtarive si vijon:

Përditësimi i adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve do kërkohet të bëhet vetëm në rastet kur këto adresa rezultojnë të ndryshme nga regjistrimi i fundit i bërë pranë Qendrës Kombëtare te Regjistrimit.

Përditësimi i kodeve ekonomike të veprimtarisë do kërkohet të bëhet vetëm në rastet kur kjo veprimtari rezulton e ndryshme nga regjistrimi i fundit i bërë pranë Qendrës Kombëtare te Regjistrimit.

Për arsye të fluksit të madh të aplikimeve, afati përfundimtar për përditësimin e adresave kryesore dhe sekondare të bizneseve si dhe përditësimin e kodeve ekonomike pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) është shtyrë deri në datën 31 mars 2015.

 

Ndryshon data e dorëzimit të librave të shitblerjes

Data e dorëzimit të librave të shitblerjes ka ndryshuar sërish, vetëm dy muaj pasi në ligjin e ri të TVSH-së ishte përcaktuar që librat duhet të dorëzoheshin jo më vonë se data 14 e çdo muaji.

Në një ndryshim të fundit të ligjit për TVSH-në, botuar në Fletoren Zyrtare, specifikohet se në pikën 5 të nenit 68 “Libri i shitjeve dhe libri i blerjeve”, fjalët “jo më vonë se data 14” zëvendësohen me fjalët “jo më vonë se data 10”. Më parë, afati i fundit i dorëzimit të librave të shitblerjes së muajit paraardhës ishte data 5 e çdo muaji. Kjo datë ishte kundërshtuar nga biznesi, pasi ishte shumë e shpejtë dhe shkaktonte presion tek bizneset.

Për këtë arsye, ligji i ri i TVSH-së, që hyri në fuqi në 1 janar 2015, vendosi si afat të ri maksimal datën 14, që përkon me afatin e dorëzimit të TVSH-së (librat e shitblerjes janë si bazë për deklarimin e TVSH-së, tatimin që sjell të ardhurat kryesore në buxhet).

Pas 1 janarit të këtij viti, bizneset janë përballur me ndryshime të shumta ligjore, krahas fillimit të funksionimit të faqes së re online të Tatimeve që, pas problemeve të para, duket se tashmë po funksionon normalisht. Por kjo situatë ka sjellë një performancë më të dobët të të ardhurave tatimore në buxhet, që për dymujorin e parë shënuan një rënie prej 1.3 përqindësh në bazë vjetore të të ardhurave. TVSH-ja ishte një nga zërat me performancë negative, me rënie prej 1.4% për 2-mujorin.