Kushtrimi për pesë breza të shoqërisë

0

Shkëlzen Maliqi

Loading...

lala meridith vulaSpeciale/Ekspozita e Lale Meredith Vula në GAK

Fotografitë dokumentare, sidomos ato që kanë koncept të veçantë të qasjes ose janë regjistrime të ngjarjeve me peshë historike, të bëhen se janë sikur vera – sa më të vjetra që janë shijojnë më shumë. Kështu më duket edhe seria e begatshme e fotografive të Lale Meredith Vula që për temë e kanë pajtimin e madh të gjaqeve në Kosovën e vitit 1990. Kanë kaluar 25 vjet nga ajo ngjarje, gjë që si periudhë shënon kufirin ndër breznitë e një shoqërie. Por ku i shikon fotografitë e Lales ke përshtypjen se ato janë më të vjetra se një brez. Definitivisht, ato i takojnë një shekulli tjetër, janë të dekadës së fundit të shekullit 20., por sintetizojnë edhe një miksturë pamjesh që pasqyrojnë jetën dhe zhvillimet sociale edhe të tre apo katër breznive më të hershme, duke prekur edhe fundin e shekullit 19. Për një përshtypje të tillë të sintezës historike ndoshta jam ndikuar nga krahasimi i serisë së fotografive të Lales me një pjesë të imazheve nga arkiva e pasur e Marubëve, që edhe ai është i pasur me regjistrimet e pajtimit të gjaqeve dhe festave fetare e panagjyreve të ndryshme në ambiente pitoreske ku shihet turmat e mëdha të njerëzve. Nuk është se këtë krahasim e kam si një ide subjektive dhe të çastit. Mendoj se në vetë lëvizjen e pajtimit të gjaqeve kishte ndodhur një replikë e qëllimshme e ngjarjeve të kapërcyellit të shekujve 19. e 20., kur shoqëria shqiptare gjendej nën kërcënimin se a do të mund të mbronte ekzistencën dhe identitetin e vet, ashtu sikunër që edhe në kapërcyellin mes shekullit 20 dhe atij 21, do të ndodhte, në rrethanat e ndryshuara historike, pothuajse e njëjta gjë, lufta për ekzistencë dhe mbrojtjen e identitetit shqiptar.

Në vitin 1990, në Kosovë rreth 2 mijë familje, ose 20 mijë veta, kanë qenë të ngujuar në kullat dhe shtëpitë e tyre për shkak se kanë pasur borxh në gjak sipas Kanunit të lashtë të Lekë Dukagjinit. Në mbamendjen e popullit ka ekzistuar edhe tradita e pajtimit masiv të gjaqeve, si një akt që edhe vetë Kanuni e ka konsiderur si një dalje më sublime nga rrethi vicuos i gjakmarrjes: në rast luftërash dhe kërcënimesh të ekzistencës së shoqërisë si tërësi, është dashur që të harrohet dhe falet çdo hasmëri dhe borxh në gjak, për t’u bërë më homogjen dhe më rezistentë ndaj kërcënimit të jashtëm dhe ndaj pushtimit të huaj.

Në pamjet që sjell Lale Meredith Vula shohim si protagonistë të gjithë brezët e shoqërisë shqiptare në Kosovë të shekullit 20, por edhe ndonjë plak në moshë e të të urtë i lindur nga fundi i shekullit 19. Dhe kjo, ndonëse me dukjen, veshjen dhe sjelljen e tyre shoqëria e pajtimit të vitit ’90 dallon nga shoqëria që e ka regjistruar shkolla marubiane e fotografisë, tregon se ato janë pjesë ose vazhdimësi e një historie të njejtë.

Ndër gati 2 mijë fotografive që ka regjistruar Lale Meredith Vula, që është një arkiv i pasur edhe për etnografinë shqiptare, ajo ka realizuar një projekt që shumëfish tejkalon qasjen thjesht dokumentariste. Në punën e saj që atëbotë konsistonte edhe në rizbulimin dhe mishërimin me identitetin e origjinës shqiptare që e ka edhe vetë ajo, pasqyrohet një pasion që lëvizja e madhe e pajtimit të gjaqeve të paraqitet sa më gjithanshëm, sa më përfaqësuese. Kamera e saj nuk fokusohet vetëm në vetë aktet e faljeve, por regjistron të gjitha lëvizjet e turmave, dëshirën e të gjithëve që të janë pjesëmarrës dhe protagonistë në diçka që e kanë ditur se në të vërtetë synon thyerjen dhe ndërprerjen e pëgjithmonshme të traditës negative paramoderne të gjakmarrjes, dhe përtej kësaj hap rrugën që ai brez i vetëdijesuar dhe brezi pas tij të gjejnë rrugët e emancipimit dhe pavarësimit të plotë të shoqërisë kosovare, e që 18 vjet më vonë edhe do të fillojë të bëhet realitet.

Sot, pas 25 vitesh, kur shoqëria kosovare sërisht lë përshtypjen se është e përçarë dhe e atomizuar sepse kihet përshtypja se promovon vetëm interesa partikulare të grupeve dhe individëve, për brezin më të ri mund të jetë çështje për reflektim fenomeni që e ka regjistruar Lale Meredith Vula e një homogjenizmi të pashoq të shoqërisë kosovare rreth një qëllimi sublim, që padiskutueshëm bëhet kushtrim dhe përgjigjje ndaj kërcënimeve që rrezikojnë vetë mbijetesën e shoqërisë.

Mars 2015

Loading...