Grabitja/ Grabiten 4 milionë lekë në një banesë, autorët, me maska

0
144

Grabiten 4 milionë lekë në një banesëPolicia: Në momentin e grabitjes në banesë nuk kishte asnjë person. Grabitja ka ndodhur në fshatin Bubq. Ndërkohë policia është vënë në ndjekje të personave që dyshohet se janë nga e njëjta zonë

Grabitjet në banesa janë bërë të shpeshta. Ndërkohe gjithmonë e më shumë në to marrin pjesën persona të maskuar dhe të armatosur. Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Bupq të Fushë-Krujës gjatë ditës së djeshme, ndërsa policia bën me dije se është vënë në kërkim të personave që kanë kryer krimin. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit kanë bërë me dije se në orët e para të mëngjesit të djeshëm është grabitur një banesë në fshatin Bubq të Fushë-Krujës. Mësohet se tre persona të maskuar kanë hyrë në shtëpinë e Agim Ajazit dhe kanë grabitur një sasi prej 400 mijë lekësh të reja si edhe sende te tjera me vlerë. Të njëjtat burime kanë theksuar se grabitja është shënuar rreth orës 8:00 të mëngjesit të djeshëm, ndryshe nga rastet e tjera që janë shënuar në orët e vona të mbrëmjeve. Ndërkohë, po ashtu mësohet se në momentin kur ka ndodhur grabitja, në banesë nuk ndodhej asnjë njeri, ndërsa banorët të fshatit pohojnë se kanë parë dy persona të maskuar që ecnin me vrap drejt një makinë që i priste në dalje të fshatit. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar blutë e policisë së Krujës dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota të kësaj grabitjeje si dhe identifikimin e autorëve.

 

Grabitja

Grabitja e katër milionë lekëve është shënuar rreth orës 8:00 të mëngjesit të djeshëm, teksa tre persona të maskuar pa asnjë frikë apo druajtje kanë hyrë në banesën e shtetasit Agim Ajazi dhe kanë marrë shumën e parave dhe disa sende me vlerë që mendohen të jenë sende të florinjta. Sipas burimeve të policisë mësohet se nga mënyra e futjes në banesë apo dhe orarit që grabitësit janë futur aty, mendohet se janë banorë të zonës që njohin shumë mirë lëvizjet e pronarëve të banesës që ra pre e grabitjes. Kjo pasi ndodhi në një orar që nuk ishte errësirë dhe në një moment që në banesë nuk ka pasur asnjë person. Por, kjo sipas policisë pritet të vërtetohet gjatë hetimeve. Mësohet se grabitësit kanë hyrë në banesë nëpërmjet derës kryesore të banesës, janë futur brenda saj dhe kanë kontrolluar për të gjetur sasinë e parave dhe sendeve me vlerë. Momentin e grabitjes mësohet se në shtëpi nuk kishte asnjë banorë të saj, pasi kishin dalë të gjithë. Dëshmitarë në vendngjarje kanë bërë me dije se kanë mundur të shohin tre grabitësit me maska në fytyre duke dalë në rrugë dhe duke shkuar në drejtim të një makine e cila i priste në një vend të caktuar, disa metra larg banesës së rënë pre e grabitjes. Grabitësit kanë mundur të marrin në banesën e Agim Ajazit shumën e parave prej 4 milionë lekë dhe shumë sende të tjera me vlerë. Sakaq, lidhur me këtë grabitje vëllai i të dëmtuar ka deklaruar për media se ngjarja ka ndodhur kur në banesë nuk ka pasur njeri, si dhe kërkon ndihmë e shteti pasi dikur i vidhnin natën ndërsa tani po vjedhin edhe ditën. “Në shtëpi nuk ka pasur njëri në momentin e grabitjes, rreth orës 8:00. I bëjmë thirrje shtetit të na mbrojë, se dikur po na vidhnin natën, tani po na vjedhin ditën”, – ka deklaruar ai. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Krujës të cilët kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe identifikimin e personave të maskuar që mundën të vidhnin katër milionë lekë dhe sendeve me vlerë. Ndërkohë, rreth një javë më parë një grabitje me dhunë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në Shkodër. Tre persona të maskuar hunë në banesën ku jetonte i moshuari Lekë Jaku në orët e vona të mbrëmjes, dhe duke e dhunuar atë i kanë shkaktuar edhe vdekjen. Sipas policisë, tre personat e maskuar kanë hyrë në banesën e 72-vjeçarit për të grabitur, por kanë përfunduar duke e vrarë atë.

 

Aksidentoi për vdekje një djalë të ri, pranga në Tiranë 26-vjeçarit

Policia e Tiranës ka vënë në pranga gjatë ditës së djeshme një person të shpallur në kërkim si përgjegjës për aksidentimin me pasojë vdekjen të një të riu në kryeqytet. Burime zyrtare nga policia e Tiranës kanë bërë me dije se Skënder Vathi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë u arrestua pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit, Tiranë, me dy vjet burg për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”. Ngjarja për të cilën akuzohet Vathi ka ndodhur në janar të vitit 2013, pranë Pallatit të Brigadave në kryeqytet. Vathi duke drejtuar automjetin taksi, me targa TR 156 C, i pajisur me dëshmi aftësie të grupit “B”, është përplasur me motorin me targa të huaja AD 269, drejtuar nga 23-vjeçari Ledio Muliu, lindur dhe banues në Lundër, Sauk. Si rrjedhojë e përplasjes drejtuesi i motorit gjeti vdekjen. Sipas burimeve të policisë mësohet se aksidenti i rëndë me pasojë vdekje ka ndodhur në muajin janar, pranë Pallatit të Brigadave në kryeqytet ku 26-vjeçari Skifter Vathi duke drejtuar automjetin taksi, me targa TR 156 C, është përplasur fuqishëm me motorin me targa të huaja AD 269, drejtuar nga 23-vjeçari Ledio Muliu. Pasi përplasi për vdekje të riun, i arrestuari u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë të dëmtuar në rrugë të vdekur. Menjëherë policia ka bërë të mundur identifikim e tij dhe shpalljen në kërkim si përgjegjës për aksidentin. Po gjatë kohës që 26-vjeçari ka qenë në kërkim policor, Gjykata e Apelit e ka dënuar atë me 2 vjet burg. “Seksioni i Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ndaloi shtetasin në kërkim Skifter Qemal Vathi, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit, Tiranë, me 2 vjet burgim për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i K. Penal”, thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës për arrestimin e 26-vjeçarit.

 

Lezhë, aksident me një të vdekur dhe një të plagosur

Një person ka humbur jetën ditën e djeshme si pasojë e një aksidenti automobilistik në Lezhë. Burime zyrtare nga policia e Lezhës kanë bërë me dije se gjatë mesnatës të së enjtes, në aksin rrugor Lezhë – Shkodër në superstradën në afërsi të vendit të quajtur Kryqëzimi i Balldrenit, makina tip “Alfa Romeo”, me targë LE 9462 A, ka dalë nga rruga. Të njëjtat burime kanë theksuar se si pasojë e daljes nga rruga automjeti është përplasur me një traktor rrugor të parkuar jashtë rruge, ku për pasojë ka mbetur i vdekur pasagjeri F. Gjeloshi, 20 vjeç, banues në Gocaj, Lezhë si dhe është plagosur rëndë drejtuesi i mjetit. Nga ana e uniformave blu mësohet se u bë arrestimi i drejtuesit të mjetit Besjan Gjeloshi, 27 vjeç, i cili për shkak të plagëve të marra ndodhet në spital. Materialet lidhur me këtë rast i kaluan Prokurorisë së Lezhës për vazhdime të mëtejshme procedurale, ndërsa policia bën me dije se vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency