Flasin të mbijetuarit/ “Kateri i Radës”, si u mbyt anija me 140 shqiptarë

0

Alba Kepi

otranto 3Komiteti i Migrantëve i Mesdheut në qytetin e Brindizit organizon këtë 28 mars manifestimin në kujtim të viktimave të tragjedisë së mbytjes së “Katerit të Radës”. Shoqëri civile, organizata antiraciste e grupime politike janë bashkuar rreth këtij komiteti për të nderuar viktimat e 28 marsit 1997 dhe për t’u kërkuar qeverive evropiane politika reale mikpritjeje e mbështetjeje ndaj vendeve me origjinë fluksi emigrantësh.

Më 27 Mars 1997 parlamentarja italiane Irene Piveti, deputete e zgjedhur nga e djathta politike, Lidhja e Veriut e që për dy vjet 1994-1996 kreu funksionin e Kryetares së Dhomës së Deputetëve, në një intervistë në të përditshmen italiane “Corriere della Sera” do të shprehej: “Emigrantët shqiptarë duhen rihedhur në det. E kur ata qëllojnë forcat tona të rendit, anijet e tyre duhen mbytur”.

Pak orë më vonë dëshira e saj do të realizohej. Më 28 mars 1997 anija shqiptare “Kateri i Radës” me në bord 140 shqiptarë, shumica e të cilëve nuk e kishin dëgjuar kurrë emrin e deputetes italiane, por veç ëndërronin tokën e saj si e vetmja rrugë shpëtimi nga një realiteti i frikshëm anarkik i Shqipërisë së ’97-ës, mbytet në Kanalin e Otrantos. “Kateri i Radës” ishte një anije e vogël ushtarake, 21 metra e gjatë me kapacitet 9-10 marinarë në bord, e ndërtuar në Bashkimin Sovjetik në vitet ’50 dhe e përdorur më ’70 për patrullimin e brigjeve shqiptare. E vjedhur nga porti i Sarandës për të organizuar nga grupet kriminele trafikun ilegal të emigrantëve, “Kateri i Radës” niset nga porti i Vlorës drejt brigjeve italiane të Puljas më orën 15.00 të pasdites. Sapo kishte kaluar ishullin e Karaburunit kur zbulohet nga fregata italiane “Zeffiro”, e cila i kërkon të ndryshojë drejtim e të kthehet mbrapsht. Por “Kateri i Radës” e patrulluar nga “Zeffiro” vazhdon rrugën drejt Brindizit deri më orën 17:30, kur i dorëzohet një tjetër anijeje italiane “Sibilla”. Kjo e fundit i afrohet disa herë në mënyrë të rrezikshme anijes shqiptare deri në atë orë të keqe 18:45, kur harku i “Sibillës” godet dhunshëm “Katerin i Radës”. Ndodh gjëma! Brenda pak minutash anija shqiptare nis të zhytet nën ujin acar të Kanalit të Otrantos. Më 19.:03 mbytet plotësisht. 34 emigrantë shqiptarë munden të shpëtojnë. Mungojnë 108 të tjerë… Nga fundi i detit i kthyer në një varrezë humane u mundën të rikuperoheshin trupat e 81 viktimave e 27 të tjerë u përpinë përgjithmonë nga uji…”

Ujërat ndërkombëtar mes dy brigjeve të Adriatikut bëhen dëshmitarë të një beteje marine për të jetuar. Nga bregu i nisjes disa presin telefonatën e mbërritjes. Në bregun e shpresës disa të tjerë kishin dhënë urdhrin për t’i prerë rrugën.

Ishte e premtja e shenjtë në vigjilje të pashkëve e miliona italianë përgatiteshin për të këtë prag feste fetare. Po atë mbrëmje të së premtes edicioni qendror i lajmeve në kanalin publik italian të orës 20.:00 jep lajmin e tragjedisë së Otrantos. Në anën tjetër të bregut në errësirën e mungesës së elektricitetit e frikës së të shtënave anarkike të armëve, shqiptarët gjëma merr dhenë. Koha ndalet deri në mëngjesin e së nesërmes kur reporterët italianë mundin të konfirmojnë se janë mbi dhjetëra e dhjetëra të mbytur… janë fëmijë, gra, djem të rinj e burra, familje shqiptare që nuk u bashkuan kurrë.

Por këtij hidhërimi i shtohet një tjetër akoma më i madh dyshimi gjithnjë e më i fortë se “shqiptarët u mbytën nga italianët” e “anija shqiptare u mbyt nga flota italiane”. Fatkeqësia mbushet me zemërim. Ndërsa familjarët e 140 shqiptarëve të nisur nga Vlora drejt Brindizit kërkojnë e shpresojnë të gjejnë gjallë o vdekur trupat e të afërmeve, politika e opinioni publik në të dy brigjet merr zjarr nga polemikat. “Kush e mbyti “Katerin e Radës”? Kush i mbyti shqiptarët?”

Pak ditë më vonë në molin e portit të Brindizit asnjë përfaqësues institucional i qeverisë italiane nuk ndodhet aty për të kryer homazhe viktimave. Mungon Kryeministri italian Romano Prodi, asnjë ministër, asnjë përfaqësues lokal. Mbërrin vetëm me helikopter nga Sardenja Silvio Berlusconi, i cili derdh lot bashkë me të afërmit e viktimave e të mbijetuarit. Njëzet minuta mbyllet në një bashkëbisedim me gazetarët e propozon të mirëpresë në shtëpinë e tij të mbijetuarit. Askush nuk pranon. Shqiptarët kërkojnë veç rikuperimin e trupave nga uji.

Sot, 28 mars 2015, kanë kaluar plot 18 vjet nga kjo tragjedi. 81 viktimave, 27 të humburve, 140 shqiptarëve të nisur atë natë marsi ende nuk u është kthyer dinjiteti, ende nuk u është dëmshpërblyer sakrifica, ende nuk u njohur e drejta që kishin për të jetuar. Vendimi i fundit gjyqësor i marrë më vitin 2011 nga Gjykata e qytetit të Leçes, pas seancave shumëvjeçare vendos se kapiteni i “Katerit të Radës”, shqiptari Namik Xhaferri dënohet me tre vjet e 10 muaj burgim, ndërsa komandanti italian i “Sibilës” Fabricio Laudadio me dy vjet e katër muaj.

Ekspertiza tekniko-shkencore e muajit tetor 1997 besuar inxhinierit italian Dell’Anna konfirmon dy goditje fatale në anijen e mbytur shqiptare në 800 metra thellësi nën det.

Tragjedia e Otrantos u arkivua kështu si një gabim aksidental i atij që drejtonte “Katerin e Radës”. Dëshmitë e të mbijetuarve u injoruan, e drejta e humanëve për të jetuar u harrua.

“Kateri i Radës” tashmë është një relikte e nxjerrë nga fundi i detit. Shpirtrat e të humburve në fund të detit nuk do gjejnë kurrë paqe, trupat e viktimave të mbytura ulërasin pafajësinë e tyre e ata pak të mbijetuar nuk i harrojnë klithmat e asaj nate marsi.

 

Flasin të mbijetuarit e Katerit të Radës

Ndryshe nga sa ndodh në Shqipëri, ku politika e shoqëria për 18 vjet rresht nuk qe e aftë të imponojnte të drejtën për të zbardhur e mbrojtur deri në fund të vërtetën mbi një nga tragjeditë më të hidhura të historisë së emigracionit shqiptar pas ’90, në Itali çdo vit nuk mungojë iniciativat, aktivitetet përkujtimore, manifestimet e homazhet e organizatave antiraciste, shoqërive civile e grupimeve politike, për të mos harruar këtë ngjarje. Falë reporterëve italianë, gazetarëve e shkrimtarëve që këtë ngjarje e kanë kthyer në libra e reportazh përcillen dëshmitë e të mbijetuarve të asaj nate marsi.

Krenar Xhavara një nga përfaqësuesit e viktimave të kësaj ngjarje ka humbur në këtë tragjedi gruan e vajzën 6-muajshe, ndërsa i vëllai i tij tre fëmijët e gruan:

“Kam para syve ato momente kur vdiqën mbi 100 persona. Kujtoj terrorin e të gjithëve, ulërimat, zhurmën e përplasjes me anijen “Sibilla”. Kur u nisëm nuk e kishim menduar kurrë se do të kishim këtë fund… Atë natë pas një ore që ishim nisur nga Sazani, ndiqemi në krah nga anija italiane “Zeffiro”, e cila ruan distancën pa kryer manovra të rrezikshme. Me megafon na kërkuan të kthehemi prapa. Ne ishim të dëshpëruar e zgjodhëm të mos ndalemi. Përballë nesh nga Brindizi shohim të afrohet një tjetër anije ushtarake, “Sibilla”. Ishte errësirë por dallonim mirë gjtihcka që po ndodhte para syve tanë, madje dhe një ushtarak italian me mitraloz të drejtuar kundër nesh. Pas një ore e gjysmë ndjekje mbërrin dhe një helikopter. Pas nesh qëndron anija “Sibilla” e nuk na ndahet deri sa në goditje. Qe e tmerrshme…!”

Krenar Xhavara mundi të rikuperonte trupin e gruas së mbytur vetëm më tetor 1997. E njeh nga ora e dorës, akrepat e së cilës qenë ndalur më 19:03 të mbrëmjes së 28 marsit.

“Po na godasin…!”

Qemali rri e shikon errësirën. Qe i pari që thirri se kishte parë dritat. Në bashin e anijes mbërritën shumë të tjerë duke parë dritat që afroheshin me shumë shpejtësi. Agimi kishte të drejtë. Po na sjellin rimorkiatorin. Dikush nisi të thërrasë nga gëzimi e të kërcejë. Agimi ulëriti: “Qëndroni atu ku jeni. Mos iu afroni bashit e mos u hidhni. Racë budallenjsh…!”

Iluzioni zgjati pak, qe zëri i megafonit që e harroi. Thoshin të njëjtën gjë që kishte thënë më parë anija ushtarake. I njëjti ton, të njëjtat fjalë. “Kthehuni mbrapsht!” Duhet të ktheheni përsërisnin. Ishim pothuajse në mbërritje e na kërkonin të ktheheshim. Me atë det, me atë lodhje, pleq, fëmijë e gra të sëmura, na duhej të ndryshonim drejtim 180 gradë e të ktheheshim pas. Heshtëm.

Megafoni vazhdonte te jepte urdhra. Qëndrojmë si të paralizuar pa ditur se çfarë të bënim derisa papritur ura e anijes u ndriçua si në ditë. U verbuan nga drita e aty u shfaq sa e lartë qe anija italiane. Papritur Agimi ulëriti: “Drejtimin nga e majta, nga e majta. Largohu nga e majta se po na godasin!” Drita na gëlltiti. Dëgjoj një goditje e më pas një zhurmë. Shumë rrëshkitën në det, të tjerë u hodhën jashtë anijes, fluturonin si kukulla lecke. Më pas një zhurmë e tmerrshme si një bombë. Drunj, copa hekurash, xhamash fluturonin ngado. Kisha rënë në ujë e po e pija. Kishte shijen e acidit o ndoshta qe naftë. Ndieja këmbët të lëviznin, por nuk ngjitesha dot lart. Diçka më kalon pranë e instinktivisht zgjat krahët për ta kapur. Po ngjitesha bashkë me të lart për të marrë frymë…”

28 mars 1997- 28 mars 2015. Kundër çdo forme racizmi!

Komiteti i Migrantëve e Mesdheut në qytetin e Brindizit organizon këtë 28 mars manifestimin në kujtim të viktimave të tragjedisë së mbytjes së “Katerit të Radës”. Shoqëri civile, organizata antiraciste e grupime politike janë bashkuar rreth këtij komiteti për të nderuar viktimat e 28 marsit 1997 dhe për t’u kërkuar qeverive evropiane politika reale mikpritjeje e mbështetjeje ndaj vendeve me origjinë fluksi emigrantësh.

“Kundër çdo forme racizmi, kurrë më beteja marine e të vdekur në det!” Këto janë sloganet e këtij manifestimi që sot më shumë se kurrë është kaq domethënës e problematik në brigjet e Mesdheut. Me dëshirën e promovimit të një kulture shumetnike, bazuar në solidaritetin human, Komiteti i Migrantëve në Brindizi fton fëmijë, të rritur, migrantë, italianë e institucione të nderojnë kujtimin e viktimave të kësaj tragjedie me fjalë paqeje, lutjeje, heshtje e lule në det.

Klithmat e asaj nate le t’u bashkohen jetëve e gjuhëve të ndryshme të lagura nga uji i të njëjtit det.