Decentralizimi i qeverisjes vendore si centralizim absolut pushteti

0

Nga Andi Përmeti

Loading...

Nga Andi PërmetiRama ka filluar një aksion personal për të centralizuar çdo fuqi njerëzore-politike të akumuluar nga bashkiakët socialistë dhe për të vendosur diktatin personal jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj çdo individi që pret të kandidojë.

E filloi me Gjikën, i cili ka tri mandate në krye të Bashkisë Vlorë. Telenovela u çel me padi penale ndaj tij, por që u mbyll me pafajësi të Gjikës. Shpresa e Ramës se Gjika do të jetonte i qetë, si pensionist në SHBA, ndërsa Rama do të drejtonte i vetëm dhe pa ndikimin e askujt Vlorën u shua shpejt. Për fatin e keq të Ramës, Gjika kishte akoma ambicie politike, por ky ishte edhe fati i keq i Gjikës. Vijoi një tjetër padi penale dhe një arrestim alla Escobar, a thua se qytetari i parë i Vlorës, i cili nuk kishte asnjë arsye të mbahej në arrest burgu, ishte krimineli më i rrezikshëm. Reagimi i Gjikës: Arrestim politik, po prisni, s’ keni parë asgjë akoma!

Ky moment, në fakt, shënon sulmin e hapur të Ramës për të centralizuar të gjithë pushtetin e të zgjedhurve lokalë në duart e tij. Më herët, duke shkelur hapur Kushtetutën me një VKM absurde, i hoqi të drejtën çdo këshilli bashkiak apo komunal dhe drejtuesve përkatës për të dhëne leje ndërtimi, me argumentin qesharak se mund të abuzohet me këtë të drejtë në fund të mandatit të tyre. A thua nuk ishte Rama, si kryetari i PS-së, që i vuri në kandidim këta kryetarë bashkish apo komunash dhe këshilltarët e tyre. A nuk do të ishte e udhës që Rama, si Kryeministër, të aktivizonte KKRRT-në për të kontrolluar këto leje ndërtimi të paragjykuara, në vend që të shkelte Kushtetutën? A nuk është e dyshimtë kjo lëvizje e Kryeministrit, ndaj të cilit, të paktën tre biznesmenë ndërtimi kanë pretenduar publikisht se u ka kërkuar deri në 1 milion euro për lejë ndërtimi, si kryebashkiak Tiranës? Atëherë askush nuk ia mori me dhunë shtetërore, në shkelje të Kushtetutës të drejtën për të dhënë leje ndërtimi.

Vetëm disa javë më parë, kryetari i Bashkisë së Pogradecit dha dorëheqjen, me pretendimin se donte të linte të lirë garën e kandidatëve për zgjedhjet e 21 qershorit. Pretendim shumë absurd. Në një emision televiziv Shkëmbi deklaroi se ai u tërhoq jo për shkak të presioneve nga Rama, por sepse ishte në kulmin e karrierës së tij. Kjo deklaratë është sa absurde, po aq edhe paradoksale.

Ndërkohë, Rama intensifikoi sulmet ndaj çdo të pabinduri ndaj tij. Radha ishte e Fierit, Gjirokastrës, ku kryetarët e bashkive përkatëse deklaruan se do të kandidonin edhe të pavarur, pavarësisht nga presionet.

Është shumë e qartë se Rama ka hapur luftë me të zgjedhurit vendorë të PS-së, jo sepse ata kanë disa mandate rresht, por sepse nuk i janë nënshtruar atij vetë. Nuk lidhet aspak me faktin se kanë kryer masakra urbane, por vetëm me faktin se nuk i janë bindur verbazi atij. Edhe pse shumë prej tyre, me kohë kanë shkelur kontratën me qytetarët, duke pasur si qëllim vetëm përfitime personale apo të rrethit të ngushtë të tyre, nuk është në thelb kjo arsyeja pse Rama po i heq qafe.

Argumenti më i qartë për këtë është heshtja e Ramës për drejtuesit socialistë në bashkitë e Durrësit, Korçës, Elbasanit apo dhe bashki të tjera! Vallë në këto bashki nuk ndeshim të njëjtat probleme dhe keqmenaxhim si në Vlorë, Fier, Gjirokastër? Sigurisht që po, me të njëjtin intensitet dhe frymë. Ka disa prej tyre që kanë edhe dy mandate, por ata nuk po sulmohen. Pse?! Shumë e thjeshtë. Ata janë ushtarë të bindur të Ramës dhe si të tillë, pavarësisht nga keqmenaxhimi apo masakrat urbane, nuk preken. Asnjë presion, të paktën publikisht, për kryetarin e Bashkisë Durrës, pavarësisht nga xhungla e betonit që ka krijuar në qytetin bregdetar. Edhe më keq në rastin e Korçës, ku të gjithë e dinë se kryetari aktual e njëkohësisht kandidat për kryetar Bashkie, në këtë raund zgjedhor është ushtar dhe zbatues i bindur i çdo urdhri të zv.kryeministrit Peleshi, që merr urdhra drejtpërdrejt nga Kryeministri. Vetëm për ekzibicionet e Ramës u shpenzuan 2.5 milionë $ për një kullë që jo vetëm shëmtoi qendrën e Korçës, por që u ndërtua në kundërshtim të plotë me ligjet e urbanistikës në vend. Mesazhi është i qartë: binduni qorrazi që të mbani karriget! Por mesazhi thelbësor i Ramës është edhe më i rëndi. Këto veprime autokratike të Ramës synojnë akaparimin real të të gjitha pushteteve nga Rama. Ai po tenton të jetë jo vetëm Kryeministër, por edhe kryebashkiaku ‘de facto’ i çdo njësie vendore që mund të fitohet nga socialistët. Interesat e klikës së tij oligarkike duan të përfitojnë çdo qindarkë që investohet si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel lokal. Dhe që ta ketë sa më të lehtë, i duhen vetëm ushtarë të bindur në krye të tyre.

Ky qëllim i Ramës është i vetmi “parim” i tij. Është imperative që këtij oreksi për monopolizimin e pushteteve çdo qytetar t’i përgjigjet me votën e tij kundër. Vetëm vota e ndërgjegjshme qytetare, larg partizanizmit politik, mund t’i thotë ndal këtij plani ogurzi të Ramës dhe interesave okulte të oligarkëve që ai përfaqëson.

 

Loading...