Prof. Francesco Altimari:/ Duhet të ndërtojmë të vërtetën në shkencë, jo ta ekzekutojmë!

0
208

Violeta Murati

Prof. Francesco AltimariPrej katër muajsh, 60 studiues kanë përgatitur nga një punë shkencore për t’u bashkuar në një vepër: Studime mbi Francesco Altimarin, albanologun dhe filologun arbëresh që dje festoi në Tiranë 60-vjetorin e lindjes. E gjithë përgatitja e botimit është mbajtur në fshehtësi, si befasi për Frankon, në shenjë mirënjohjeje dhe nderimi në modernizmin e albanologjisë

Edhe vitet e jetës Franko i bën me iluzionin e sistemit arbëresh të numërimit, në ironi perceptimin real të moshës 60-vjeçare, që mbushi dje, e ka ndier mbi shpatulla me të mbërritur në Shqipëri!

Pesha e miqve që dje e befasuan në Tiranë më celebrimin e një libri të rrallë për albanologjinë. Francesco Altimari, albanolog e filolog, është nderuar dje me një botim të rrallë për albanologjinë ku janë përfshirë në mënyrë simbolike 60 studime nga 60 albanologë nga të gjitha vendet e botës. Nisma për këtë botim ka qenë krejtësisht e fshehtë, deri në ditën e djeshme, midis tre studiuesve që lidhin Kalabrinë, Mynihun dhe Tiranën.

Mateo Mandala, Bardhyl Demiraj dhe Shaban Sinani kanë mbledhur dhe përgatitur për botim në një kohë rekord këto punime. Një libër krejtësisht vullnetar, me shpenzime zero. Ky është rasti i parë dhe unik në studimet shqiptare. Në këtë arsye mund të jetë rasti i parë që studiuesit zyrtarë të Tiranës kapërcejnë pragun me një punim të tillë shkencor jo thjesht për të respektuar një miqësi, por për të celebruar misionin e pamundur të deritanishëm për studimet filologjike. Për më shumë se 20 vjet, katedra e gjuhës shqipe në Itali, në veçanti e Universitetit të Kalabrisë dhe ajo e Palermos, kanë pasuruar botime kritike të autorëve arbëreshë. Autorët e tyre, prof. Francesco Altimari dhe prof. Matteo Mandala, gjithmonë kanë kërkuar që këto studime të krijonin ura me Shqipërinë, për t’u botuar në shqip veprat e autorëve të vjetër dhe romantikëve arbëreshë. Konkretisht, para pak kohësh u finalizua botimi kritik i veprës së De Radës, punë e prof. Altimarit, promovuar në Tiranë, por që deri tani janë botuar edhe vepra të Serembes, Jul Varibobës, Skiroit, Gavril Darës i Riu etj.

Ndonëse studiuesit këtu nuk i ndajnë prof. Altimarin nga prof. Mandala, dje u fol për të parin, në 60-vjetorin e lindjes, Franko, që u dha rrjedhë tjetër studimeve shqiptare, por edhe si njeri, në mikpritjen e tij kalabreze.

Studiuesja Floresha Dado, që moderoi këtë vizitë të beftë të prof. Altimarit në këtë ide u ndal se rezistenca e arbërishtes së folme e mban emblemë. Duke u përshtatur me “romantizmin” arbëresh, gjuhëtari Kolec Topalli iu largua racionalitetit gjuhësor, duke kujtuar njohjen me Altimarin, në fillim të viteve ‘90. Me Altimarin e Kalabrisë, kujton ai, e prezantoi poeti Martin Camaj, duke ia rekomanduar për doktoraturën në studimet gjuhësore. “Përmes Altimarit njoha elitën arbëreshe”, – tha Topalli. Një tjetër gjuhëtar, Seit Mansaku, do të pranonte se Franko krijoi nisma të reja në fushën e studimeve filologjike, duke përmendur rastin e fundit, botimin kritik në gjashtë vëllime të De Radës. Një prej protagonistëve të “befasisë”, prof. Matteo Mandala, bashkëpunëtor dhe mik, njëherësh me prof. Altimarin, tha se janë vite që kanë ndarë së bashku projektet, por edhe shqetësimet ku i ka çuar albanologjia.

Qartazi duket se këta dy profesorë të arbërishtes kanë kapërcyer romantizmin, por gjurmët u mbeten, kur Mandala shprehet se është “një gjendje e vështirë shpirtërore, të flas çfarë ndiej për Frankon”, kur ky rast solemn i jep dhe parodinë moderne. Të dy këta profesorë ndoshta e ndiejnë realisht se përballë kanë njerëzit me të cilët u është dashur të përballen, të thyejnë mure, të ngrenë me vështirësi ura komunikimi e të hedhin ura, vetëm ura… për sa kohë janë humbur e përcjellë në heshtje.

“Franko është një model shkencor dhe ky model duhet të bëhet model për albanologjinë e së ardhmes. Kemi nevojë të shkëmbejmë me njëri-tjetrin, por duam më shumë ura…” Të dy, nxënësit e Antonio Guzzetta dhe Francesco Solanos, Mandala thotë se njohin meritën e krijimit të themeleve të albanologjisë, të cilën tradita arbëreshe e modernizoi si shkencë.

“Libri është një nderim për Altimarin”, – tha studiuesi Shaban Sinani. Një nga protagonistët e përgatitjes së studimit për prof. Francesco Altimarin, Sinani thotë se në vetvete ky botim është një përvojë e re. Si ky studim përmend librin me përmbledhje të Lasgush Poradecit kushtuar Naim Frashërit; tjetër rast është botimi i Bardhyl Demirajt për Martin Camajn… megjithatë rastet në Evropë janë të panumërta. “Ishtë një punë në fshehtësi, katër muaj për t’u përgatitur, në mënyrë sinkrone dhe gatishmëri nga të gjithë studiuesit që u përfshinë”. Janë gjithsej 60 punime, nga 54 studiues nga Italia, Rusia, Greqia, Austria, Gjermania etj. Ka një prerje paradigmatike në këtë botim, mbi shqetësimet e sotme albanologjike – thotë Sinani. Bëhet fjalë për çështje të trajtuara, të debatuara ku vetë studiuesit shqiptarë kanë hequr koracën apo refuzimin e heshtjes. “Studimi për prof. Altimarin është një sprovë për të dëshmuar se si duhet të jetë albanologjia sot, ajo modern”, – e mbyll Sinani.

“Më ka befasuar se si botimi u mbaruar në një kohë rekord. Janë emra autorësh ku secili ka një botim të vetin, ku pasqyrohet albanologjia sot. Ky libër i ka shoqet e rralla. Kjo tregon respektin, vëmendjen dhe mirënjohjen për Frankon. Falë njohjes personale me Francesco Altimarin diaspora është bërë më kompakte”, – tha gjuhëtari Bardhyl Demiraj, ardhur nga Mynihu, vetëm për këtë rast, në treshen që realizuan botimin.

E peshon entuziazmin e pritjes prof. Francesco Altimari, pasi është herë e parë që përballë tij ka kolegë, studiues me të cilët po kërkon prej kohësh komunikimin shkencor, mbi atë që brenda ka qenë e debatueshme, si një realitet postdiktatorial.

Gjithë kohën pret si rrallë ndonjëherë një lumë vlerësimesh e çfarë e bind këtë herë, si duket, është dedikimi i librit voluminoz të 60 studiuesve mbi veprën e tij. A do të jetë ky një gur prove se koha ka ardhur që studiuesit zyrtarë të Tiranës të krijojnë ura, nevoja e kërkuar këtë herë pa romantizmin e shquar arbëresh?! Përtej befasisë emocionale, Franko u flet kolegëve, edhe pse në ironinë e “shenjtërimit”, se misioni është shkenca dhe kanë mbi shpatulla këtë përgjegjësi, të themeluar e krijuar nga mjeshtrat tanë, paraardhësit.

“Ne s’duhet të mbyllemi, duhet të lidhemi me kohën tonë. Jo vetëm të ekzekutojmë të vërtetën, por edhe ta ndërtojmë atë. Tani, ne jemi në valë të kontakteve, secili nga ne ka borxhe ndaj njëri-tjetrit. Me kontaktet që kemi vendosur kemi bërë punën tonë, jo se jemi bërë më të mirë”, – mbyll mesazhin e tij prof. Altimari, një rast i rrallë celebrimi në Tiranë.

Ndoshta besoi se “ura” po ndërtohet!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency