Pas vendimit të Kuvendit/ Doshi: Rama sheh karrigen dhe jo deputetin që shkon në burg, vendi s’ka më demokraci

0
111

Gëzim Saliu

doshi pas vendimit te Kuvendit “Të gjithë shqiptarët dhe ndërkombëtarët e morën vesh se kjo ngjarje nuk ishte sajesë, por e vërtetë. Jam gati të ballafaqohem në Gjykatë”

Deputeti shkodran Tom Doshi e cilësoi dje vendimin e Kuvendit për heqjen e imunitetit ndaj tij si të pritshëm, duke theksuar se pas dështimit të eliminimit fizik erdhi edhe votimi në Parlament. Përmes një deklarate nga “Sheratoni”, pas një takimi me Dritan Priftin, Doshi shprehu një mesazh të qartë edhe për Kryeministrin Rama, duke pohuar: “Ai sot ndodhet në një pozitë jo të mirë, sepse, sidoqoftë puna, kam punuar 10 vjet me të, por për të më e rëndësishme është karrigia sesa një deputet që shkon në burg”.

 

Deklarata

Sipas deputetit Doshi, pavarësisht nga vendimi i Prokurorisë dhe i Kuvendit, qytetarët dhe ndërkombëtarët tashmë janë të qartë se ngjarja për të cilën ai foli nuk ishte sajesë, por e vërtetë. “Ju e patë vetë që Prokuroria as kishte nisur hetime dhe asnjë akuzë që u ballafaqua dje me mua. Ata nuk arritën të më eliminonin fizikisht, sepse në fisin tim në kohën e Enver Hoxhës janë pushkatuar 5. Ky është një kontribut për shqiptarët, që të marrin vesh se deri ku ka shkuar krimi i organizuar, derisa një punonjës i policisë shkon dhe kërcënon dëshmitarin t’i vrasë dhe fëmijët, imagjinoni ku ka shkuar ky vend. Që sot nuk ka më demokraci në Shqipëri. Kur nuk zbatohet ligji për deputetët, imagjinoni qytetarët e thjeshtë. Është mesazh se çdo qytetar nëse denoncon një përfaqësues institucioni kudo që të jetë, çfarëdo niveli të ketë, përfundimin e ka në burg”, – tha ai. I pyetur nëse i druhej arrestimit, Doshi tha se e priste atë dhe se nuk kishte asnjë shqetësim. “Por është e rëndësishme që të gjitha ato prova që unë i kërkova dje të bëhen prezent edhe para Këshillit të Mandateve, në Gjykatë Prokuroria është e detyruar t’i sjellë ato prova. Atëherë do ta shohin nëse Tom Doshi ka bërë deklarim të rremë, kallëzim të rremë apo kërcënim. Provat i ka Prokuroria. Kërkesa është bërë me dëshirën time, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe është një provë e patjetërsueshme, çdo gjë është në dosje”, – u shpreh ai. Ndërkaq, deputeti shkodran deklaroi se ai do të ballafaqohet në Gjykatë me Prokurorinë për akuzat që i ka bërë, duke nënvizuar se në fund të çështjes asnjë prej tyre nuk do të dalë e vërtetë.

 

Kur policia ishte në shtëpi/ Doshi: Unë nuk largohem derisa të zbardhet çdo provë, duan të më burgosin politikisht

Në momentin kur policia ishte në shtëpinë e deputetit Tom Doshi duke kryer kontrollin, deputeti nuk ka ngurruar të komentojë në rrjetin social “FB”, duke pohuar se ai nuk ka ndërmend të arratiset nga vendi, pasi do të përballet me Prokurorinë në Gjykatë. Sipas Doshit, e gjithë çështja, nga mospranimi i provës deri tek arrestimi, është një skenar për burgosje politike. “Jam i bindur qe pas seancës dëgjimore të bërë dje në Këshillin e Mandateve të Kuvendit, nuk ka mbetur askush që nuk e kupton pozicionin tim përballë së vërtetës. Kam thënë të vërtetën për porosinë e vrasjes ndaj meje nga Kryetari i Kuvendit. Nuk më vranë dot, dhe tani po përpiqen të më burgosin politikisht. Jam në shtëpinë time, duke pritur përballjen me Prokurorinë në Gjykatë. Kam qenë gjithë kohën në dispozicion të hetimit dhe do jem gjithmonë në dispozicion të hetimit. Nuk do largohem kurrë nga Shqipëria derisa të zbardhet çdo provë e historisë së vrasjes. Do te jem këtu ne dispozicion te drejtësisë dhe përball popullit për ta çuar ketë beteje deri ne fund”, – shkruante ai, duke shtuar se asnjë veprim i Prokurorisë nuk e habiste. “Nuk u habita kur dje përfaqësuesit e Prokurorisë deklaruan në Këshillin e Mandateve se nuk ka akuzë ndaj meje, se nuk janë bërë hetime ndaj meje, porse ka vetëm një regjistrim të çështjes në regjistrat e Prokurorisë së Përgjithshme. Provat që nuk u pranuan të administrohen, shpejt do ballafaqohen në Gjykatë dhe e vërteta do të dalë”.

 

 Deklarata në Parlament/ Rama: PD u bë zëdhënësja e gangsterit të Fushë-Krujës, dekriminalizimi i Parlamentit, absurd

 “Shpifja e politikanëve duhet të konsiderohet vepër penale, s’mund ta përdorin për të shkarravitur njëri-tjetrin”

Menjëherë pasi Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorisë, duke u hequr imunitetin deputetëve Doshi dhe Frroku, Kryeministri Rama mori fjalën në seancën parlamentare, duke akuzuar opozitën se po mbron kriminelët. Edhe pse deputetët demokratë nuk ishin në sallë, falë vendimit për të mos marrë pjesë në votim, kreu i qeverisë nuk ngurroi t’i cilësonte ata si zëdhënës të gangsterit nga Fushë-Kruja, duke iu referuar emrit të Durim Bamit. “PD, partia e lindur nga një shpresë e madhe për një transformim rrënjësor të shoqërisë shqiptare dhe për një ndarje përfundimtare me të shkuarën, të bëhet as më pak dhe as më shumë, por zëdhënësja e një gangsteri nga Fushë-Kruja dhe të lërë pas duke ikur fjalinë më absurde, por edhe më domethënëse për gjendjen dhe për qasjen e kësaj partie ndaj procesit demokratik dhe ndaj procesit zhvillimor të vendit: ‘Jemi pro, por jemi kundër’, ‘Japim votën tonë pro, por nuk e japim’, ‘Jemi në mbështetje të institucioneve të drejtësisë, por në fakt jemi ballë për ballë me institucionet e drejtësisë’”, – tha Rama. Më tej, Kryeministri e akuzoi PD-në se me vendimin e djeshëm nuk mbështet kërkesën e Prokurorisë ashtu si shumica, edhe pse theksoi se e majta ka shumë pakënaqësi ndaj punës së organit të akuzës. “Ne nuk kemi si të jemi të kënaqur me Prokurorinë, kur ende sot, vrasja e katër njerëzve të pafajshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mbetet e pazbardhur deri në fund dhe e pandëshkuar deri në fund. Ne s’jemi të kënaqur me Prokurorinë, kur një sërë çështjesh të tjera madhore mbeten sot e gjithë ditën të pazbardhura dhe të pandëshkuara. Por, nga ana tjetër, kjo nuk na ka penguar në asnjë moment të mbështesim Prokurorinë dhe të mos i bëhemi për asnjë arsye pengesë politike”, – u shpreh ai. Po ashtu, Rama komentoi edhe procesin e dekriminalizimit, duke e cilësuar këtë të fundit si një term absurd. Edhe pse deklaroi se propozimet e demokratëve do të merren parasysh, kreu i qeverisë nuk pranoi të flitej për dekriminalizim të Parlamentit, duke “rrëzuar” kështu indirekt pjesën kryesore të platformës së opozitës. “Dekriminalizimi, një term absurd për një Parlament sovran. E megjithatë, u kemi dhënë mundësinë dhe mirëpresim të na japin opinionet e tyre dhe të na shtrojnë idetë e tyre jo për të dekriminalizuar Parlamentin, sepse të thuash të dekriminalizosh një parlament do të thotë të pranosh që populli ka zgjedhur të përfaqësohet nga kriminelë, por për të çliruar politikën nga të gjithë personat me rekorde kriminale. Ne do të vazhdojmë t’i mirëpresim këtu, por unë jam i bindur se ne duhet të vendosim një vijë të kuqe midis kësaj ane dhe asaj ane. Kjo vijë e kuqe është rregullorja e Kuvendit”, – theksoi ai. Në fund të fjalës së tij, Kryeministri përsëriti edhe një herë propozimin e bërë prej tij për ta kthyer në vepër penale shpifjen e politikanëve. “Franca, një nga vendet më të mëdha të Bashkimit Evropian, në Kodin e vet Penal ka të sanksionuar, dhe kjo jo nga 1800-ta, por nga viti 2010, denoncimin shpifës si një vepër penale që dënohet pa asnjë diskutim. Denoncimin shpifës si një vepër penale, për të cilën duhet të mbajnë përgjegjësi që të gjithë ata merren me politikë, në radhë të parë, sepse nuk mund ta përdorin mandatin e popullit shqiptar për t’u shkarravitur me njëri-tjetrin dhe për të shkarravitur njëri-tjetrin, njësoj si ato qeniet e lëna pa zot atje, në kopshtin zoologjik”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency