Vendimi/ Vjedhja e Bankës së Shqipërisë, Bitraj e Bruzia përfitojnë gjykim të shkurtuar

0
122

Bankës së ShqipërisëGjykata vendos të veçojë kërkesën civile të Bankës së Shqipërisë që detyron të pandehurin Bitraj të kthejë shumën e 713 milionë lekëve të grabitua në katër vite. Gjykata: Kërkesa civile pengon gjykimin penal

Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, akuzuar për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim, do të gjykohen me procedurë të shkurtuar. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Tiranës pas kërkesës së bërë nga të pandehurit në seancën e mëparshme. Sipas Gjykatës, të pandehurit, në bazë të ligjit, kanë të drejtë të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar. Po kështu, Gjykata në dhënien e këtij vendimi nuk mori parasysh faktin se i pandehuri ka kryer një vepër të rëndë penale, që në këtë rast lidhet me grabitjen e Bankës së Shqipërisë. Në katër vite, i pandehuri Ardian Bitraj, duke përfituar nga neglizhenca e kolegëve të tij në krye të tri arkave, asaj në veprim, arkës transit dhe arkës stok, arriti të nxirrte prej andej në katër vite shumë të mëdha parash. Por ajo që vlen të përmendet është fakti se Bitraj ishte i pari që denoncoi vjedhjen pranë eprorëve të tij. Më pas, ishte ish-guvernatori Ardian Fullani që, pasi bëri një auditim të brendshëm dhe vërtetoi vjedhjen, bëri kallëzim penal në Prokurori. Edhe prokurori u shpreh dakord me kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar. Ardian Bitraj ka pranuar vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Ndërsa nga ana e saj, Bruzia ka pranuar se ka neglizhuar në detyrë, por asnjëherë nuk ka pranuar bashkëpunimin në vjedhje. Po ashtu, në këtë seancë Gjykata ka pranuar edhe kërkesën për ndarjen e çështjes për nipin e Ardian Bitrajt, Klevis Bejtes. Rrëzimin e kërkesë së BSH-së për kthimin e lekëve, Gjykata e ka argumentuar me qëndrimin se kjo kërkesë duhet dorëzuar në Gjykatën Civile dhe se kërkesa për kthimin e parave do të pengonte gjykimin penal.

 

Rrethanat e ngjarjes

Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se nga hetimet ka rezultuar se të sipërpërmendurit janë përgjegjës për vjedhjen e një sasie shumë të madhe parash në Bankën e Shqipërisë. Ardian Bitraj konsiderohet përgjegjës për vjedhjen e mbi 7 milionë dollarëve nga ky institucion dhe nga hetimi është provuar se pjesa më e madhe e parave të vjedhura në BSH janë shpenzuar nga Bitraj në pikat e lotove të sportit të shpërndara në Tiranë. Mimoza Bruzia, ish-përgjegjëse në Bankën e Shqipërisë, rezulton se ka qenë në dijeni të plotë të vjedhjes së Bitrajt, si dhe e ka lejuar këtë vjedhje. Sa i takon Klevis Bejtes, në bazë të hetimeve, Prokuroria bën me dije se ky i fundit ka qenë në dijeni të plotë që i afërmi i tij, Bitraj, kryente vjedhjen e parave në Bankën e Shqipërisë. Është provuar se Bejtaj, pasi telefonohej nga Bitraj, shkonte me makinën e tij në objektin ku punonte Bitraj dhe merrte qeset me para që i vidhte ky i fundit në Bankën e Shqipërisë. Mbi bazën e kallëzimit të ardhur nga Banka e Shqipërisë, më datë 21.7.2014, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Moskallëzim i krimit” parashikuar nga neni 135, 248 dhe 300 i K. Penal, në ngarkim të personave nën hetim Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.

 

Arkat

Arka për veprim është vendi në të cilin mbahen kartëmonedha e monedha metalike të emetuara nga Banka e Shqipërisë, që përdoren nga Banka për aktivitetin ditor me degët e saj dhe bankat e nivelit të dytë, si dhe kartëmonedha e monedha të huaja që mbahen nga Banka për mbulimin e shpenzimeve administrative. Arka stok është vendi në të cilin mbahen kartëmonedha e monedha metalike kombëtare në pritje për t’u futur në qarkullim, si dhe metale të çmuara si ar, argjend, platin, stoli dhe gur të çmuar në pronësi të Bankës së Shqipërisë dhe në ruajtje për llogari të të tretëve. Departamenti i Emisionit drejtohet nga drejtori, i cili drejton dhe bashkërendon punën me përgjegjësit e strukturave organizative të departamentit, ku ndër to bëjnë pjesë përgjegjësi i Zyrës së Arkës për Veprim dhe përgjegjësi i Arkës Stok. Të dy këta së bashku me dy punonjësit me arsim të mesëm për secilën zyrë përbëjnë treshen e ngarkuar me vlera. Të tre këta punonjës kanë në ruajtje dhe administrim vlerat monetare që gjendën në të dyja arkat. Nga viti 2005 deri në vitin 2011, i pandehuri Ardian Bitraj ka ushtruar detyrën e përgjegjësit të Arkës për Verim. Me urdhrin e datës 12.9.2011 të guvernatorit, Ardian Bitraj është emëruar përgjegjës i Arkës Stok dhe në datën 22.11.2011 ka marrë detyrën së bashku me vlerat monetare. Në lidhje me të dhënat e mësipërme është pyetur fillimisht si deklarues e në vijim si person nën hetim, i pandehuri Ardian Bitraj, i cili ka pranuar se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje mekanizmin e vjedhjes. Ai ka deklaruar se nga muaji maj apo qershor i vitit 2010, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Përgjegjësit të Arkës për Veprim ka arritur që të përvetësonte sasi të konsiderueshme parash nga kjo arkë. Edhe gjatë kohës që nuk ka qenë përgjegjësi i kësaj arke ka vazhduar që të përvetësojë sasi të konsiderueshme parash, pasi në mirëbesim futej në ambientet e saj. Sipas tij, sasia e parave të vjedhura nga arka për veprim ishte 600 milion.

 

Deklarimi

I pandehuri Ardian Bitraj ka deklaruar se ka arritur që të marrë shuma nga 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) deri në 2.000.000 (dy milionë lekë) lekë. Në ditë të caktuara ka arritur të marr nga arka për veprim dhe 10 milionë lekë, duke i fshehur në rrobat e trupit. Arkat e prekura i mbushte me libra, me qëllim që të mos humbnin peshën. Gjithashtu i pandehuri ka deklaruar së gjatë muajve maj-qershor të vitit 2014 ka arritur që të përvetësojë rreth 120 milionë lekë të dëmtuara, të programuara për t’u asgjësuar me urdhër të zëvendësguvernatores. Të gjithë sasinë e parave të vjedhura në Bankën e Shqipërisë i pandehuri ka deklaruar se e ka shpenzuar në pikat e loto-sportit. Njëkohësisht, fakti i mësipërm është pranuar dhe nga e pandehura Mimoza Bruzia, e cila ka deklaruar se që në vitin 2010 ka konstatuar se i pandehuri Ardian Bitraj ka përvetësuar shuma të mëdha parash në ambientet e arkës për veprim, ku ajo ushtronte detyrën e specialistes së ngarkuar me vlera nga viti 2009 deri në vitin 2014.

 

Këqyrja

Nga këqyrja në vend e arkave të drurit ku ruhen vlerat monetarë në arkën për veprim ka rezultuar se 8 arka i kishin kapakët të hapur dhe nuk kishin ndonjë element sigurie. Nga procesverbali i këqyrjes në arkën për veprim së datës 04.08.2014 ka rezultuar se arkat e prekura, janë ato më prerje 5-mijëlekëshe, ku secila prej tyre si rregull mban një sasi prej 20 mijë kartëmonedhash të prerjes 5-mijëlekëshe. I pandehuri pasi kishte përvetësuar shumat e parave nga këto arka, i kishte zëvendësuar ato me sende, si libra, blloqe letrash, etj, me qëllim që të ruhej pesha specifike e arkës. Arkat e mësipërme, bashkë me sendet dhe paratë që gjendeshin në to janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale dhe janë në ruajtje pranë Departamentit të Emisionit. Gjithashtu, pas konstatimit të faktit të vjedhjes, bazuar në urdhrin e zëvendësguvernatorit të parë të Bankës së Shqipërisë datë 21.7.2014 është kryer një proces inventarizimi për vlerat materiale e monetare në Departamentin e Emisionit dhe konkretisht në zyrën e arkës stok e asaj për veprim. Komisioni i ngritur pas inventarizimit të kryer ka konstatuar se diferenca në të dy arkat është 713 milionë lekë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency