Standard.al

Shqipëri – Armeni/ Agolli dhe Berisha, të bindur për suksesin

Ansi AgolliDy nga senatorët e kombëtares janë të bindur se me punën që po bëjnë dhe me pak fat do të mund të dalin nga “Elbasan Arena” me tri pikë

Kryefjala që mbizotëron në kampin kuqezi është fitorja. Ky është premtimi i Etrit Berishës dhe Ansi Agollit, dy titullarë të qëndrueshëm në përfaqësuese, të cilët nga salla e konferencave për shtyp premtojnë se do të japin maksimumin, që Shqipëria të fitojë ndaj një kundërshtari aspak të thjeshtë, si Armenia. Berisha: “E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj një skuadre që ka treguar forcën e saj ndaj të gjithë rivalëve, por për ne objektivi është marrja e tri pikëve”. Agolli: “Të gjithë kërkojmë të bëjmë të lumtur tifozët tanë dhe të marrim rezultatin që kërkohet prej nesh. Megjithatë, duhet të jemi me këmbë në tokë, por nuk mund ta fshehim që objektivi ynë është fitorja”. Me vetëm një gol të pësuar ndaj dy skuadrave të forta të grupit, Etrit Berisha ka qenë pa dyshim një prej pikave më të forta të Shqipërisë deri në këto momente. Ruajtja e paprekur e portës është synimi i tij kryesor edhe në sfidën ndaj Armenisë dhe një sulmuesi të rangut ndërkombëtar si Mkitarian. Berisha: “Kam punuar shumë kohët e fundit dhe këtë ndeshje e kam menduar gjatë. Do të bëj maksimumin tim që skuadra të mos pësojë. Nuk do të jetë e thjeshtë, sepse kanë lojtarë të shpejtë dhe zbresin mirë në kundërsulm, por asnjëherë nuk ka ndeshje të thjeshta dhe e dimë atë që kërkojmë”. Me Mkitarianin do të ketë punë edhe Ansi Agolli, me sulmuesin e Dortmundit në Bundesligë, që pritet të luajë pikërisht në krahun e Agollit. Agolli: “E kemi studiuar kundërshtarin në çdo detaj dhe po punojmë fortë për të mësuar pikat e tyre të dobëta dhe ta ndalim atë në pikat më të forta, siç është dhe Mkitarian”. Për Agollin ndeshja me Armeninë ka dhe më shumë vlerë për të në planin personal, duke qenë se luan në Azerbajxhan, një vend, i cili nuk ka marrëdhënie të mira me armenët. Agolli: “Në Azerbajxhan e ndiejnë shumë këtë sfidë dhe fakti që luaj në atë vend e bën këtë sfidë një derbi për mua. Te Karabagu më thanë të mos kthehem në skuadër, nëse nuk mundim Armeninë, bëj shaka. Por herën e fundit që fituam, presidenti i klubit më dha shpërblim dhe besoj dhe këtë herë do të më japë shpërblim, nëse fitojmë me Armeninë”. Policia e Elbasanit ka publikuar planin e masave që do të marrë për mbarëvajtjen e takimit të 29 marsit. Sipas një komunikate të publikuar nga zyra e shtypit e forcave blu, policia do të punojë për të shmangur incidentet e mundshme, përpara, gjatë dhe pas takimit që fillon në orën 18:00. Sipas komunikatës, tifozët duhet të fillojnë hyrjen në stadium rreth dy orë përpara ndeshjes, ndërsa fëmijët e mitur nuk do të lejohet të hyjnë pa bileta. Segmentet rrugore nga stadiumi deri tek rruga “1 Maji” dhe Rruga e Pedagogjikes do të jenë të bllokuara, ndërsa numri i policëve që do të marrin pjesë në organizimin e masave të sigurisë do të jetë 320. Pavarësisht nga masat që do të marrë policia e Elbasanit, në këtë sfidë nuk parashikohen trazira, pasi edhe numri i tifozëve armenë të pranishëm në “Elbasan Arena” pritet të jetë mjaft i vogël. Ndërkohë, sheshi para stadiumit pothuaj është i shkretë, ndërsa shpresat e tifozëve për të gjetur një biletë për të ndjekur ndeshjen e kombëtares me Armeninë janë të pakta. Disa prej tyre kanë një javë që presin në pikën e shitjes pranë stadiumit “Elbasan Arena”, por ende nuk kanë një biletë në dorë. Të tjerë i janë drejtuar tregut të zi, duke gjetur bileta nën dorë në sheshin para stadiumit në Tiranë, por që për to duhet të paguash më shumë. Sipas zëdhënëses së stadiumit “Elbasan Arena”, biletat janë shitur të gjitha edhe për shkak risisë që i dha mundësinë tifozëve t’i sigurojnë ato mes shitjes online. Ashtu si në Elbasan edhe pika e zyrtarizuar e shitjes së biletave pranë stadiumit “Qemal Stafa” është e boshatisur. Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, biletat e vëna në dispozicion kanë përfunduar si pasojë e kërkesës së madhe dhe shitjes së tyre online.

 

Leo Mesi, më i paguari për vitin 2014, 65 milionë euro

Një vit pa Top të Artë, por me shumë para për Lionel Mesin. Ylli i Barcelonës megjithëse nuk arriti të fitonte asgjë gjatë 2014-ës si me skuadrën po ashtu edhe në planin individual, ka përfituar më shumë të ardhura se të gjithë kolegët e tij. Në një klasifikim të përpiluar nga revista e njohur franceze “France Football” 4 herë fituesi i Topit të Artë qëndron në majë, pasi në vitin që lamë pas ka arkëtuar plot 65 milionë euro. Një shifër vërtet stratosferike e grumbulluar nëpërmjet pagës vjetore tek Barça, por edhe nëpërmjet kontratave të majme me sponsorët. 27-vjeçari paguhet për shërbimet e tij tek katalanasit 20 milionë euro në sezon, ndërsa pjesa tjetër e cila kap më shumë se dyfishin e pagës së tij tek “blaugranët” ose më saktë 45 milionë eurot që mbeten, kalojnë në llogarinë e argjentinasit nëpërmjet kontratave që ky i fundit ka me sponsor të njohur si “Turkish Airlines”, “Adidas” apo “EA Sports”, kompaninë e njohur të lojërave elektronike. Në vendin e dytë ndodhet rivali i tij i përjetshëm, ai që e mposhti Mesin në luftën për Topin e Artë në vitin 2014, por jo në të ardhura të përfituara, Kristiano Ronaldo. Luzitani ka arkëtuar në thonjëza vetëm 54 milionë euro, pra 11 milionë euro më pak se numri 10 i Barçës. Në podiumin e lojtarëve më të paguar është ngjitur një tjetër “blaugran”. Nejmar ka përfituar gjatë vitit të shkuar 36 milionë euro, ndërsa në vendin e 4-t gjendet Gareth Bejl me një arkëtim prej 23.8 milionë eurosh. Përsa i përket pankinave, “France Football” ka listuar në vendin e parë Hoze Murinjon, me portugezin që është shpërblyer për punën e kryer me plot 18 milionë euro.

 

 Alban Hoxha drejt Kievos, Partizani mendon për Frashërin

Performanca e shkëlqyer e dhuruar këtë sezon me fanellën e Partizanit nga ana e portierit Alban Hoxha duket se ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve jashtë vendit, por më të interesuarit për shërbimet e gardianit janë italianët e Kievos, klubi ku aktualisht aktivizohet edhe Armando Vajushi. Kontaktet e para duket se kanë nisur si me vetë 27 vjeçarin po ashtu edhe me drejtuesit e Partizanit, duke qenë se Hoxha vijon të jetë nën kontratë, dhe nëse në verë arrihet marrëveshja për tu transferuar tek veronezët duhet fillimisht “OK” i klubit të kuq. Edhe vetë portieri deklaroi pak kohë më parë se dëshira e tij më e madhe ishte transferimi në një klub të huaj, dhe pa diskutim ideja e të luajturit në një kampionat mjaft të ndjekur si ai italian tundon jo pak zv.kapitenin e demave. Gjatë merkatos së dimrit u përfol për mundësinë që Hoxha të largohej drejt një kampionati më të fortë, ku u shfaq në horizont edhe Parma, por problemet personale si dhe falimentimi i këtij klubi bën që 27-vjeçari të mos lëvizte nga kryeqyteti. Duke parë situatën drejtuesit e kuq kanë filluar që tani të kërkojnë zëvendësuesin e Alban Hoxhës, dhe emri që është shfaqur në majën e listës është ai i Stivi Frashërit. Korçari po kalon një moment të errët në karrierën e tij, ku e ka humbur vendin e titullarit tek Tirana, kështu që largimi i tij nga bardheblutë pavarësisht se është ende nën kontratë duket i sigurt. Në këtë mënyrë nëse Hoxha largohet për te Kievo, Partizani do të kryej edhe lëvizjet vendimtare në drejtim të portierit 24 vjeçar.

 

 Verrati: Gati për të zëvendësuar Pirlon

Mesfushori italian, Marko Verrati, ka deklaruar se mund ta zëvendësojë Andrea Pirlon në kombëtaren e tij. Futbollisti i Juventusit aktualisht është i lënduar dhe njëherësh ka një moshë 35 vjeç kur edhe pritet që në një të ardhme të afërt të pensionohet nga kombëtarja. “Besoj se mund ta zëvendësoj Pirlon tashmë dhe në të ardhmen”, – ka thënë 22-vjeçari në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Bullgarisë. Italiani po kërkohet nga Reali i Madridit dhe Mançester Junajtid, mirëpo ai preferon të qëndrojë te kampioni francez. “Po ndihem mirë te PSG. Nuk dua të largohem”, – ka thënë Verrati.

 

 Lipi: Alegri, si unë

Ish-trajneri i Juventusit, Marçelo Lipi, thotë se gjen një pjesë të vetvetes te trajneri aktual i bardhezinjve, Masimiliano Alegri. Nën drejtimin e 47-vjeçarit, “Zonja e Vjetër” e ka siguruar thuajse titullin e radhës në Serinë A, ndërsa është kualifikuar edhe në çerekfinale të Ligës së Kampioneve, ku do të luajë me Monakon. Lipi, i cili i ka fituar pesë tituj dhe Ligën e Kampioneve me bardhezinjtë, e ka lëvduar Alegrin për implementimin e ideve të tij në skuadër qëkur e zëvendësoi Antonio Konten. “E shoh veten tek ai. Erdhi te Juve përafërsisht në të njëjtën moshë si unë, ka konkretizimin e njëjtë si unë dhe ka udhëheqjen e njëjtë për ta bërë skuadrën më moderne”. “Kemi shumë pika të përbashkëta”, – ka thënë Lipi për “Gazzetta dello Sport”. Trajneri fitues i Kupës së Botës me Italinë beson se Juventusi mund t’i befasojë të gjithë dhe ta fitojë Ligën e Kampionëve këtë edicion.

 

 Marota: Nëse Pogba do të largohet, nuk e ndalon njeri

Drejtori i Juventusit, Xhuzepe Marota, mendon se klubi i tij nuk mund ta ndalë largimin e Pol Pogbasë nëse këtë e kërkon lojtari. Francezi po kërkohet nga klubet e pasura evropiane, mes tyre Real Madridi, Paris Sent-Zhermeni dhe Çelsit, ndërsa çmimi i tij llogaritet deri në 100 milionë euro. Mesfushori deri më tani nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar nga bardhezinjtë, mirëpo Marota thotë se do të ishte e pamundur ta mbanin nëse lojtari kërkon një sfidë të re. “Pogba është protagonist i fatit të tij dhe nëse vendos të largohet, atëherë ne nuk mund ta ndalim. Problemi do të vijë nëse lojtarit i ofrohet një kontratë e cila është dy ose tri herë më shumë nga ajo që përfiton aktualisht. Po flasim për dhjetëra milionë në vit”, – ka deklaruar shefi i Juves për “Corriere della Sera”.

 

 Morata: Ançeloti nuk më trajtoi mirë, i lumtur me Alegrin

Sulmuesi juventin Alvaro Morata ka kritikuar menaxherin e Realit të Madridit, Karlo Ançeloti, për trajtimin që i ka bërë sezonin e kaluar te Reali. 22-vjeçari u largua nga skuadra spanjolle verën e fundit, pasi nuk ishte i kënaqur me minutat e luajtura dhe tani e fajëson Ançelotin për këtë vendim. “Nuk e kuptoj se çfarë ndodhi, luaja mirë dhe përfundova në bankën rezervë. Nuk kërkoja që të jem çdo herë startues, por doja trajtim më të mirë”, – deklaroi Morata. “Nuk kisha asnjë lloj marrëdhënie me Ançelotin. Masimiliano Alegri, për më të mirë apo të keq, është shumë i vëmendshëm për prezencën time në skuadër”, – shtoi spanjolli. Morata po kalon në një formë shumë të mirë tek Juventus, gjë që, përveç se ka ngritur zërat për një rikthim te Reali (klubi spanjoll ka një klauzolë që i jep përparësi që ta kthejë në dy vitet e ardhshme), i ka siguruar edhe ftesën për të luajtur me Kombëtaren spanjolle së fundmi. “E vlerësoj mirënjohjen e Spanjës tani që u largova nga vendi. Kur largohesh nga vendi, piqesh më shumë në çdo aspekt”, – theksoi sulmuesi i Juves. “Kur u largova nga Madridi, një nga qëllimet e mia ishte që të futem në kombëtare dhe disa njerëz mendonin se isha i çmendur. Tani që jam me skuadrën e Spanjës, është diçka e pabesueshme. Në të kaluarën festoja sukseset e tyre, tani luaj me ta”, – tha mes të tjerash ai.

 

 Pike: Kasijas, idhulli i tifozëve të Realit

Mbrojtësi i Barcelonës, Xherard Pike, beson se portieri Iker Kasijas do të ishte heroi i tij, sikur ai të ishte tifoz i Realit të Madridit. Mbrojtësi 29-vjeçar është bashkëlojtar me Kasijas në kombëtaren e Spanjës që nga viti 2009, kur bëri debutimin në këtë kombëtare. Ai shprehet kundër kritikave ndaj portierit të Realit dhe ka shfaqur mbështetje për të. “Ai ka qenë një nga portierët më të mirë në botë për shumë vite. Për të kuptuar fishkëllimat në “Santiago Bernabeu”, besoj se do duhej të ishe atje”, – deklaroi fillimisht Pike. “Po të isha tifoz i Realit, ai do të ishte idhulli im, një standard në të cilin do të bazohesha. Ai është një shembull për të gjithë lojtarët e Realit”, – shtoi spanjolli. Pike u pyet nëse ndonjëherë do të ishte bashkëlojtar me Kasijasin në skuadrën e Realit. “Kurrë nuk mund të thuash kurrë, por dyshoj shumë. Barcelona gjithmonë ka qenë skuadra që unë kam zgjedhur”, – theksoi Pike.

 

 Ozil: Mund të fitoj Topin e Artë

Mesfushori gjerman i Arsenalit, Mesut Ozil, beson se në të ardhmen mund ta fitojë çmimin prestigjioz individual “Topi i Artë”. Ozil u transferua tek Arsenali nga Reali për rreth 42.5 milionë paund, por është kritikuar shumë për shkak se nuk ka treguar gjithë potencialin e tij me performancat për klubin londinez. “Nëse vazhdoj të përmirësohem dhe të jem në gjendje të rregullt fizike, dua që ta fitoj Topin e Artë në vitet në vijim”, – deklaroi gjermani për “Bild”. “Jam një kampion bote dhe luaj në një top-klub në Premier Ligë. Jam i bindur se kjo do të funksionojë”, – shtoi ai.

 

Comments are closed.