NATO-ja, e pazëvendësueshme në Kosovë

0
151

Augustin Palokaj  

Augustin PalokajKur parashtrohet pyetja se kur do të mund të largohet NATO-ja nga Kosova, përgjigjja duhet të jetë: “Vetëm atëherë kur Kosova të jetë gati për të hyrë në NATO”. As idetë për një forcë të ardhshme të mbrojtjes të BE-së, e cila do ta zëvendësonte NATO-n në Kosovë, nuk duken shumë të zbatueshme, sepse me gjithë interesin dhe kapacitetet, BE-ja nuk e ka dhe vështirë që mund ta ketë besimin dhe reputacionin të cilin e ka NATO-ja në Kosovë.

Po mbushen plot 16 vjet nga dita kur avionët e NATO-s në pranverën e vitit 1999 nisën sulmet ajrore ndaj pozicioneve ushtarake serbe dhe infrastrukturës, e cila shfrytëzohej nga kjo makineri në një fushatë të pastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës. Sa herë që afrohet ky përvjetor, rishfaqen emocionet e asaj kohe. Njerëzit kujtojnë se ku ishin kur dëgjuan lajmin për nisjen e bombardimeve, disa tregojnë gëzimin kur dëgjuan që në Kosovë po bombardohen caqe nga avionët, të cilët nuk janë të Serbisë. Me siguri se në Serbi kjo datë shihet nga një kënd tjetër, si një e keqe që u ndodhi atyre.

Por një gjë është shumë e qartë sa i përket asaj ndërhyrjeje: ajo shënoi fundin e agresionit të nisur nga Millosheviçi në tërë territorin e ish-Jugosllavisë në tentim që të krijonte një Serbi të madhe. Në Kosovë në këta 16 vjet u bën shumë analiza, u thurën mite dhe u shkruan libra rreth arsyeve të vërteta se përse ndërhyri NATO-ja në Kosovë. Ato analiza kapin një spektër argumentesh që nga ato se kjo ndërhyrje ishte rezultati i një “miqësie të madhe mes popullit amerikan dhe atij shqiptar” e deri tek ”ndërhyrja për interesa të NATO-s”.

E vërteta është se për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, e cila nisi më 24 mars, nuk ka një arsye, por ka së paku 100 të tilla. Deri te kjo ndërhyrje erdhi pas dështimeve gati 10- vjeçare të bashkësisë ndërkombëtare për ta ndalur Sllobodan Millosheviçin. Këto dështime rezultuan me masakra në Kroaci dhe me gjenocid në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës. Edhe pas këtyre përvojave të tmerrshme nga Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, bashkësia ndërkombëtare besonte se mund të arrinte marrëveshje me Millosheviçin. Kështu me vite u bënë përpjekje maksimale për të arritur një zgjidhje politike të problemit të Kosovës. Së pari arriheshin marrëveshje për çështje humanitare, si lirimi i shkollave për nxënësit shqiptarë në Kosovë, por edhe këto regjimi i Millosheviçit nuk i zbatonte. Të gjitha këto përpjekje rezultuan me Marrëveshjen në Rambuje të Francës, të cilën Serbia po ashtu nuk e pranoi. Dhe vërtet nuk kishte mbetur më asnjë gjë pa u provuar për të ndalur Millosheviçin pos ndërhyrjes ushtarake, sepse edhe derisa bisedonte për zgjidhje Millosheviçi paralelisht vetëm grumbullonte edhe më shumë forcat në Kosovë dhe shtonte krimet ndaj popullatës shqiptare.

E NATO-ja në atë kohë përballej edhe me dilemën se a ka më nevojë dhe vlerë që ajo të ekzistojë apo jo. Lufta e Ftohtë besohej se kishte mbaruar, ndërsa NATO-ja, si blloku i vetëm ushtarak në botë nuk dëshmoi se ishte në gjendje të parandalojë gjenocidin në territorin e Evropës. Prandaj ndërhyrja në Kosovë vërtet për NATO-n ishte edhe gjetje e një arsyeje të re për të ekzistuar dhe këtu mund të thuhet pa asnjë keqdashje se kjo ndërhyrje, shikuar nga ky aspekt, ishte edhe në interes të NATO-s.

Por kur shikoj të gjitha arsyet mendoj se dështimi i NATO-s në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjithsesi ngrihet lart në listën e arsyeve të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Sa herë që zyrtarët e NATO-s takoheshin me ish-presidentin Rugova dhe me politikanë të tjerë të Kosovës, sidomos ideatorin kryesor të LDK-së dhe të lëvizjes politike në Kosovë, Fehmi Agani, dërgonin porosi se “nuk do të lejojnë që në Kosovë të përsëritej një Bosnjë e dytë”.

Askush nuk ka dëshirë që një forcë ushtarake të sulmojë shtetin e tij, kështu që duhen kuptuar edhe ndjenjat e serbëve. Por është koha që edhe fqinjët serbë ta dinë se pse ndërhyri NATO-ja, të mos mendojnë se dikush nga qielli vendosi kot të sulmonte Serbinë. Të dinë se nuk filloi lufta në territorin e ish-Jugosllavisë me ndërhyrjen e NATO-s, por ajo mbaroi me këtë ndërhyrje. Ta dinë se Serbia, e cila në territorin e saj deri më 24 mars nuk kishte ndier asnjë tmerr lufte, por ajo Serbi i kishte shkaktuar dhe ishte duke i bërë luftërat në pjesë tjera të territorit të ish-Jugosllavisë.

Mund të thuhet se Kosova gradualisht po shndërrohet në një sukses të madh të NATO-s dhe në një dëshmi se ka punë për NATO-n edhe jo vetëm në mbrojtje të paqes, por edhe në krijimin e saj. Natyrisht që Kosova nuk është aty ku do të donin ta shihnin jo vetëm ata që i dolën në ndihmë dhe në mbrojtje në vitin 1999, por edhe qytetarët e saj. Kosova është larg nga ndërtimi i një shteti funksional, ku sundon ligji dhe respektohen rregullat demokratike. Kosova përmendet shumë për krim të organizuar dhe korrupsion. Por në Kosovë nuk ka problem të natyrës ushtarake, për të cilat do të mund të fajësohej misioni i KFOR-it, të cilin e udhëheq NATO-ja. Të gjitha sfidat e tjera të cilat janë më shumë dështim sesa sukses janë dështim i pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, nga UNMIK-u i OKB-së e deri tek EULEX-i i Bashkimit Evropian.

NATO-ja edhe sot pas 16 vjetësh sa është në Kosovë mbetet prania më e besueshme ndërkombëtare. Ndoshta para 16 vjetësh kur NATO-ja ndërhyri për të çliruar Kosovën shefat e shteteve të saj anëtare nuk kanë menduar se prania e saj në terren në Kosovë do të zgjatë 16 vjet. Por sot, përkundër zvogëlimit të madh të trupave, duket larg dita kur NATO-ja do të mund të largohet nga Kosova. Ajo është e pazëvendësueshme dhe për këtë pajtohen edhe serbët, edhe shqiptarët e Kosovës.

Sa ka ndryshuar qëndrimi i serbëve ndaj NATO-s dëshmon fakti se Ivica Daçiç dhe Aleksandar Vuçiç, në kohën e bombardimeve, njerëz kryesorë të regjimit të Millosheviçit, që ishin në krye të luftës propagandistike kundër kësaj Aleance, tash kërkojnë garanci nga NATO-ja, madje edhe për zbatimin e marrëveshjeve të cilat me ndërmjetësimin e BE-së i kanë arritur me Kosovën.

NATO-ja pas ndërhyrjes në Kosovë ka ndryshuar tërësisht edhe konfiguracionin strategjik në rajon. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të saj, Maqedonia dhe Mali i Zi janë shumë afër për t’u bërë anëtare e madje edhe Serbia është në partneritet për paqe. Pak a shumë është krijuar një situatë në të cilën mund të thuhet se një shpërthim i ndonjë konflikti të armatosur duket i pamundur.

Por një gjë ende nuk është sqaruar rreth Kosovës, e ajo është ushtria e saj. Prandaj, do të ishte edhe në interes të NATO-s që edhe Kosova, sa për balancë në rajon, të ketë një ushtri, sepse në një rajon, i cili nuk është i çmilitarizuar nuk mund dhe nuk duhet të ketë as Kosovë të çmilitarizuar.

Dhe kur parashtrohet pyetja se kur do të mund të largohet NATO-ja nga Kosova përgjigjja duhet të jetë: “Vetëm atëherë kur Kosova të jetë gati për të hyrë në NATO”. As idetë për një forcë të ardhshme të mbrojtjes të BE-së, e cila do ta zëvendësonte NATO-n në Kosovë nuk duken shumë të zbatueshme, sepse me gjithë interesin dhe kapacitetet, BE-ja nuk e ka dhe vështirë që mund ta ketë besimin dhe reputacionin të cilin e ka NATO-ja në Kosovë.

Por edhe NATO-ja duhet të angazhohet më shumë në Kosovë edhe politikisht, sepse ajo është edhe Aleancë politike e jo vetëm ushtarake. Dhe këtu duhet të punojë, sikur edhe BE-ja, që të tejkalohen ndasitë të cilat ekzistojnë mes shteteve anëtare të NATO-s rreth statusit të Kosovës. Sepse këto ndasi, siç tha një ditë një koleg evropian, kanë bërë që NATO-ja, e cila ndërhyri për të çliruar Kosovën, tash nuk guxon as t’ia përmendë Kosovës emrin në deklaratat e shtypit. Problemet kryesore në Kosovë dhe rreth saj mbeten politike. Korrupsioni dhe krimi nuk luftohet sa duhet pikërisht për shkak të llogarive politike, edhe të elitës politike të Kosovës edhe të Bashkimit Evropian. Përparimi i Kosovës drejt integrimit në BE dhe NATO nuk mund të arrihet për shkaqe politike. Dhe një ditë, për shkaqe politike, mund të duket se edhe ndërhyrja ushtarake nuk solli rezultatin e duhur. Por këtë ndërhyrje edhe tash pas 16 vjetësh duhet parë pikësëpari si një vepër humane, e cila çliroi një popull, i dha fund një regjimi vrastar, dhe për këtë gjithmonë do të mbetet në histori si një operacion i domosdoshëm dhe i suksesshëm, sado që bëmat e pasluftës mund ta zbehin edhe një ndërhyrje të tillë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency