Ndryshimet e Kodit Zgjedhor/ PD: S’janë përfshirë rekomandimet e OSBE-së. Refuzohen propozimet e grave për listën e partive

0
108

Gëzim Saliu

 ligjetNë këshillat bashkiakë, 50% do të jenë gra, dyfishohen gjobat për partitë që nuk respektojnë kuotat

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të miratuara dje në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, u cilësuan si të nxituara nga ana e demokratëve, pasi, sipas tyre, në këto vendime nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ODIHR-it si edhe propozimet e PD-së për dekriminalizimin. “Ne ngulim këmbë që ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të përfshijnë patjetër procesin e dekriminalizimit, sepse është një proces shumë i rëndësishëm. Përveç kësaj, ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të përfshijnë patjetër rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it”, – tha deputeti demokrat Ristani. Por sipas kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, i përket komisionit të ngritur posaçërisht për dekriminalizimin, që të merret me ato propozime. “Ka një dakordësi të shprehur përmes një rezolute të miratuar nga Kuvendi, ka një komision të posaçëm, në momentin… Ne nuk jemi përgjegjës. Ai atribut i është dhënë atij komisioni të posaçëm parlamentar dhe e ka ai të drejtën të bëjë propozimet përkatëse, mund t’i kalojë, mund të mos i kalojë përmes Komisionit të Ligjeve, t’ia kalojë drejtpërdrejt seancës”, – tha ai. Në ndërhyrjen e tij, Eduard Halimi tha se reforma duhet të bëhet, ose me konsensus të plotë, ose në të kundërt me një komision të posaçëm parlamentar.

 

Amendimet

Ndërkaq, ndryshimet e djeshme në Kodin e ri Zgjedhor sjellin dyfishim të gjobave për partitë politike që nuk respektojnë kuotizimin gjinor. Por ndërkaq në këtë mbledhje nuk u pranua amendamenti i grave deputete për refuzim të listës shumemërore. “Refuzimi i listës është e vetmja mënyrë që do krijonte mundësitë për të respektuar propozimet që janë bërë nga ana e Aleancës së Grave Deputete”, – tha deputet e PD-së Mesila Doda, Në reagimin e tij, relatori i çështjes tha se kjo masë nuk mund të pranohet, porse sipas tij, dyfishimi i gjobave i jep zgjidhje diskutimit. “Sigurisht që kjo do të ishte një masë ekstreme. Ajo që kam propozuar është rritja e masës së gjobës. Nëse në zgjedhjet e përgjithshme është 1 milion lekë të reja mosrespektimi i kuotës gjinore për zgjedhjet lokale le të jetë 500 mijë lekë të reja, për çdo rast që evidentohet”, – tha Armando Subashi. Por duke i qëndruar argumentit të saj, deputetja Doda theksoi: “Nuk zgjidh asgjë refuzimi në bazë të një çmimi të caktuar. Në qoftë se kalon kjo atëherë të gjitha propozimet tona kanë rënë”. Nga ana tjetër Komisioni i Ligjeve nuk mori në shqyrtim amendamentet për 20% gra kryebashkiake dhe 40% deputete, por miratoi pas polemikash, propozimin për 50% gra në këshillat bashkiakë. Në diskutimin e tij mbi këtë pjesë që hapi debate në mbledhje, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, tha se ka parti që nuk mund plotësojnë kuotizimin me 50% të grave. “Ka shumë forca politike të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në zgjedhje, më shumë se gjysma e tyre nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje për shkak të kufizimeve. Më thuaj cila parti X që nuk është parlamentare, si do e zgjidhi këtë problem, ku do t’i gjejë. Ka parti për shembull që mbrojnë të drejtat e meshkujve dhe janë meshkuj, si do t’ia bëjnë do marrin pjesë në zgjedhje apo jo. Nuk marrin dot se s’kanë mundësi të gjejnë 50 për qind të kuotave femra”, – u shpreh Mediu.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency