Kontributet, kush duhet t’i paguajë, efektet në llogaritjen e të ardhurave

0
1051

paguan kontributet ne arkeSubjektet juridikë e fizikë, edhe për efekt të deklarimit të pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor, regjistrohen në organet tatimore, sipas përcaktimit në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Kryefamiljarët, që punësojnë persona si punëtorë shtëpie, i rregullojnë marrëdhëniet e punës nëpërmjet një kontrate me shkrim ndërmjet palëve, ku, veç të tjerave, shënohen, detyrimisht, numri personal i identifikimit të personit të punësuar, koha e fillimit të punës, zgjatja e saj “me ose pa afat”, si dhe paga mujore bruto. Në këtë rast, kryefamiljari përcaktohet në rolin e punëdhënësit dhe, si i tillë, ka detyrimin për regjistrim në organet tatimore dhe për pajisjen, nga këto organe, me numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in). Regjistrimi dhe çregjistrimi nga organet tatimore, i kryefamiljarëve që punësojnë persona si punëtorë shtëpie dhe i personave të vetëpunësuar në veprimtari tregtare, shërbimi apo ambulantë, bëhet sipas një procedure të thjeshtuar, që përcaktohet me udhëzim nga ministri i Financave. Formimi profesional nëpërmjet punës, sipas përcaktimeve në kreun I, realizohet nga punëdhënësi që zhvillon aktivitet ekonomik, sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason). Koha e formimit profesional të personit, për një profesion të caktuar të kualifikuar, mund të zgjatë deri në tre muaj gjithsej dhe vetëm një herë, pavarësisht nga subjektet ku është kryer. Lista e personave pjesëmarrës, periudha e formimit profesional dhe profesioni për të cilin do të kualifikohen deklarohet zyrtarisht nga subjekti, në zyrën përkatëse të punësimit, përpara fillimit të trajnimit. Zyra e punësimit bën evidentimin në një regjistër të veçantë dhe autorizon subjektin për vazhdimin e procesit dhe deklarimin në organet tatimore. Punëdhënësi bën sigurimin e punëmarrësit, duke filluar nga data e fillimit të punës, sipas përcaktimit në kontratën e punës apo në aktin e emërimit dhe vazhdon të paguajë kontribute çdo muaj, gjatë të gjithë kohës që vazhdojnë marrëdhëniet e punës. Kur fillimi dhe ndërprerja përfundimtare e marrëdhënieve të punës bëhen gjatë muajit, si dhe kur gjatë muajit ka ndërprerje të përkohshme, për shkak të përfitimeve afatshkurtra nga skema e sigurimeve shoqërore, kontributet llogariten e paguhen në bazë të pagës së realizuar gjatë ditëve të punës. Punëdhënësit dhe të vetëpunësuarit e kryejnë deklarimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor në total dhe për çdo person, në formë elektronike, në sistemin informatik të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila siguron edhe mbajtjen elektronike të të dhënave të kontributeve të deklaruara nga subjekti, të pagesave të kryera, si dhe të detyrimeve që lindin nga vlerësimet dhe mospagesat.

 

 Në bujqësi

Të vetëpunësuarit në bujqësi i paguajnë kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor individualisht, një herë në tre muaj. Afati i pagesës së kontributeve është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të periudhës së sigurimit, për të përfituar pension mund të kryejnë pagesa kontributesh edhe pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension dhe për këto periudha do të paguhet sipas masës së kontributit të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa. Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore dhe për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për vitin 2015 e në vazhdim, pavarësisht se mund të jenë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat për të cilat nuk janë paguar kontributet nuk njihen periudha sigurimi. Të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhat e kaluara, por që i kanë pasur kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht nga vendbanimi aktual, mund t’i paguajnë kontributet për këto periudha, sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa. Nuk është i detyrueshëm sigurimi dhe nuk mund të llogariten detyrimet e kontributeve e të kamatëvonesave për pjesëtarët e familjeve bujqësore, për periudhën që përfitojnë ndihmë ekonomike, sipas ligjit nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmat dhe shërbimet shoqërore”. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen periudha sigurimi. Për efekt të përfitimeve afatshkurtra nga sigurimet shoqërore dhe të përfitimeve të shërbimeve nga sigurimi i kujdesit shëndetësor, vlerësohen të siguruar për tremujorin pasardhës: a) të vetëpunësuarit, pjesëtarët e papaguar të familjes, të vetëpunësuarit në veprimtari ambulante, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës brenda datës 20 të muajit pasardhës, pas mbarimit të tremujorit; b) punëmarrësit e punësuar tek i vetëpunësuari, i cili ka statusin “i vetëpunësuar me punëmarrës”, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës përpara lindjes së të drejtës për përfitime; c) të vetëpunësuarit në bujqësi, nëse i kanë paguar kontributet e tremujorit pararendës jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik; ç) Këta persona, përpara fillimit të trajtimit me përfitime, paguajnë kontributet e tremujorit në vazhdim, nga dita e parë dhe deri në ditën kur lind e drejta e përfitimit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency