Ironia e memorandumit midis dy ministrave

0

 V.Murati

Loading...

dy ministrat kumbaro dhe homologu kosovarNuk është hera e parë që midis Kosovës e Shqipërisë nënshkruhen memorandume bashkëpunimi. Të gjitha kanë pasur arsyen politike brenda. Edhe këtë herë, por me dy qeveri të tjera, Kosova e Shqipëria kanë parë show-n politik dhe firmën e ministrave për marrëveshje të reja bashkëpunimi. Këtë herë u tha se janë nënshkruar 11 të tilla, me synimin e forcimit të marrëdhënies mes dy vendeve, për të përcjellë vlera të përbashkëta kulturore dhe historike. Dilema konkrete lidhet me këtë fakt. Realizimi i disa aktiviteteve të përbashkëta kulturore nuk është ndonjë mund i madh për dy ministritë, heqja e valles është thjesht një “qerasje” dypalëshe. Por në thelb apo çfarë ngjet konkretisht me realitetin kulturor të të dyja vendeve ose së paku të këtij krahu performanca të tilla, si kjo e nënshkrimit të marrëveshjeve s’lënë gjurmë. Për ironi të kësaj vetëm një ditë më parë, organizatorët e festivalit PriFilmFest kanë anuluar mbajtjen e saj, duke e transferuar në Tiranë me buxhet zero. Meqë kjo ndodhi pikërisht ditën e mbledhjes së qeverive, asnjë nga ministrat e kulturës, të Kosovës dhe Shqipërisë, nuk kanë reaguar deri më dje. A thua se kjo është një axhendë jashtëkombëtare?! “Ministria e Kulturës së fundmi ka terrorizuar një pjesë komunitetit artistik, sidomos disa prej festivaleve kryesore në vend. Buxheti i alokuar nga kjo Ministri është zbritur dukshëm. 78% është zbritja që i ka ndodhur festivalit PriFilmFest, kjo më e madhja në mesin e të tjerave ngurtësime të buxhetit. Nga 22 mijë euro sa ka marrë PriFilmFest vitin e kaluar, këtë vit janë alokuar vetëm 5 mijë euro. Me këtë zbritje drastike ne kemi vendosur që festivalin ta bartim në Tiranë, dhe festivali do të quhet PriFilmFest në Ekzil. Ne jemi vetëm 1 muaj para festivalit dhe kjo zbritje veç sa na ka gjetur të befasuar” ka thënë Vjosa Berisha, drejtoreshë e festivalit.

“Kemi ardhur në këtë vendim për shkak të tri elementeve. E para, sepse kemi zbritjen më të madhe në përqindje dhe në sasi, e dyta sepse Ministria e ka ngurtësuar edhe Teatrin Kombëtar, institucionin me të cilin ne kemi pasur bashkëpunim për disa vite dhe as aty nuk na lejohet mbajtja e festivalit, si dhe mendojmë se këto shenja tregojnë që kjo Ministri nuk e do këtë festival dhe mirëqenien e tij”, – është shprehur për “Kultplus” edhe Fatos Berisha.

E njëjta skemë ka ndodhur edhe me festivalet që organizohen në Shqipëri, ku prej dy vitesh janë pezulluar për shkak të një buxheti mjaft qesharak që ka akorduar Ministria e Kulturës.

Është e njëjta metodë pune për të dy qeveritë, favorizo një festival e shkatërro një tjetër.

“Ne jemi gati për çdo iniciativë që ky vendim të mos qëndrojë i tillë, sepse edhe evenimentet tjera janë dëmtuar po ashtu. Dua të shtoj se duke e favorizuar një festival dhe duke shkatërruar të tjerët, nuk përparojmë. Nëse nuk ka konkurrencë mes festivaleve të vendit, atëherë kjo mbetet politikë e gabuar, – ka thënë Berisha për rastin e PriFilmFest. Nëse ky është qëllimi i nënshkrimit të marrëveshjes mes dy ministrave, atëherë në vetvete ironia e memorandumeve do mbahet mend gjatë; si shkatërrues, e jo bashkëpunues!

 

 

Loading...