Mbledhja e dytë e qeverive/ Rama: Turp për BE-në që la Kosovën me regjim vizash. Bashkimi kombëtar, përmes Brukselit

0
115

Gëzim Saliu

 mbledhja e dy qeveriveMbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë, Mustafa: Marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve kanë mbetur prapa

Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës u mblodhën dje për herë të dytë në një tryezë të përbashkët, duke vendosur piketat e tjera të thellimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Në takimin e zhvilluar në Tiranë pas atij të Prizrenit, Kryeministri Rama nuk ngurroi të lëshonte kritikat të forta ndaj Brukselit për atë që ai e cilësoi si izolim të Kosovës nga mos liberalizimi i vizave. “Ne i kemi thënë dhe do ta themi kudo dhe kurdo që do të na jepet rasti. Regjimi i vizave sot në Kosovë është një padrejtësi cinike ndaj Kosovës dhe kjo padrejtësi duhet të marrë fund një orë e më parë, sepse nuk cenon vetëm dinjitetin e popullit të Kosovës, por cenon edhe dinjitetin e vetë Evropës. Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është turp për Bashkimin Evropian”, – tha Rama.

 

Mbledhja

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive u zhvillua dje në hollin e Pallatit të Kongreseve, në një tryezë ovale me ngjyrë blu, mbi të cilën ishin vendosur flamujt e BE-së. Në mes të tryezës ishte vendosur një shqiponjë tredimensionale, kurse anash dekori parashikonte vendosjen e flamujve të dy vendeve. Sipas organizatorëve, dekorimi përcillte disa mesazhe njëherësh, ku tavolina e rrumbullakët jepte, sipas tyre, idenë e bashkimit si një komb i vetëm, ndërsa tryeza e veshur me flamurin e BE-së me ngjyrën blu dhe yjet përreth ishte simbol i qëllimeve dhe i rrugës së përbashkët të dy shteteve drejt integrimit evropian. Duke folur para 40 ministrave të dy kabineteve qeveritare, Kryeministri Rama shpjegoi moton e mbledhjes “Një tokë, një popull, një ëndërr”, duke përcjellë edhe mesazhin e tij lidhur me bashkimin kombëtar. “Një tokë: që është terren i pakufishëm bashkëpunimi, një rrugëtim çdo ditë e më i përbashkët. Një popull: bashkësi qytetarie. Një ëndërr: bashkimi kombëtar përmes BE-së, politikëbërja mbi realitete e ka urtësi dhe frymëzim të sajin të përhershëm. Ëndrra e njerëzve është vetë ngjarja, i vetmi realitet autentik i denjë për të jetuar. Kosova dhe Shqipëria do të bëjnë së bashku politikë mbi realitet. Kjo është e vetmja rrugë e vlefshme”, – u shpreh Rama. Nga ana e tij, kreu i qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, mbështeti homologun e tij shqiptar për bashkimin e dy vendeve në BE, porse theksoi se dy vendet duhet të bëjnë më shumë hapa para në planin ekonomik. “Kosova dhe Shqipëria kanë nisur procesin e përfaqësimit të përbashkët diplomatik dhe kjo do të zgjerohet edhe më tutje. Të dyja vendet duhet të kenë gjuhën e përbashkët në të gjitha çështjet. Në planin ekonomik ne duhet të dëshmojmë se ky vend po ndërton një treg ekonomik të lirë. Sistemi, që ne bashkërisht po krijojmë, eliminon subjektizivizimin dhe subjektivizmin për pengimin e qarkullimit të mallrave dhe shërbime në kohë reale”, – u shpreh Mustafa. Ndërkaq, ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, prezantoi në këtë mbledhje dokumentin për partneritetin strategjik, e cilësoi atë të një rëndësie historike për ne dhe për rajonin, duke shtuar se bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë është shumë i rëndësishëm, në situatën e fundit të krijuar në botë. Ndërsa zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, vlerësoi punën e bërë nga qeveria e Shqipërisë në lobimin për njohjen e shtetit që ai përfaqëson.

 

Itinerari i mbledhjes së përbashkët Shqipëri-Kosovë

Ora 10:39 – Delegacioni nga Kosova mbërrin në Tiranë. Ministrat udhëtuan nga Prishtina drejt Tiranës me autobus

Ora 10:50 – Zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes së delegacionit të Kosovës në pallatin e Kongreseve nën muzikën e dy himneve kombëtarë.

Ora 11.00 – Nis mbledhja e përbashkët e dy qeverive të dy shteteve

Ora 12:40 – Përfundon nënshkrimi i 11 marrëveshjeve të përbashkëta mes dy qeverive

Ora 13:00-13:30 – Konferenca e përbashkët e Kryeministrit Rama dhe homologut kosovar Isa Mustafa

 

11 marrëveshjet, memorandumet dhe protokollet e nënshkruara mes dy qeverive

  1. Për bashkëpunim “Të ndërsjellë në fushën e sigurisë”.
  2. Memorandum mbi “Forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm”.
  3. Protokoll mbi “Shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit”.
  4. Protokoll “Për ndjekjen e menjëhershme ndërkufitare”.
  5. Memorandum i mirëkuptimit “Për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.
  6. Marrëveshje e bashkëpunimit “Për organizimin e Përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë”.
  7. Marrëveshje e “Bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”.
  8. Marrëveshje për “Bashkërendim institucional për përparimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar”.
  9. Protokoll “Për zbatimin e marrëveshjes kuadër ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë”.
  10. Memorandum “Mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.
  11. Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.

 

Berisha përshëndet mbledhjen e dy qeverive: Akt pozitiv që meriton përgëzime

Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha përshëndeti dje mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si një akt pozitiv. “Sot dy qeveritë shqiptare, përkatësisht qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, u mblodhën në Tiranë. Në këtë takim ato firmosën një seri marrëveshjesh. Takimi në format kabineti qeveritar, një praktikë e përhapur kjo midis vendeve fqinje, është një akt pozitiv që së bashku me firmosjen e marrëveshjeve meriton përgëzime. Duke vlerësuar takimin e sotëm dhe marrëveshjet e firmosura shpreh bindjen se projektet e përbashkëta transnacionale si hekurudha Tiranë – Prishtinë, infrastruktura e Alpeve, projektet energjetike, njësimi i ligjeve dhe praktikave në të dy vendet, janë interesi jetik i kombit tonë, por edhe rajonit në tërësi!”, – shkruante dje Berisha në rrjetin social “FB”.

 

Shqipëria dhe Kosova së shpejti me konsullatë të përbashkët në Mynih

Shqipëria dhe Kosova do të kenë së shpejti një konsullatë të përbashkët edhe në Mynih. Pas hapjes së konsullatës së përbashkët në Milano, si finalizim i marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e janarit të 2014-ës në Prizren, kreu i qeverisë, Rama, tha se njësimi diplomatik mes dy vendeve do të vijojë edhe më tej. “Guxuam me konsullatën e përbashkët në Milano dhe së shpejti do të hapet konsullatë e përbashkët në Mynih. Reagimi pozitiv i qytetarëve tanë na imponon të shkojmë më tutje në këtë proces dhe të vazhdojmë të unifikojmë shërbimin tonë diplomatik edhe me më kurajë edhe me më shpejtësi”, – pohoi kreu i qeverisë shqiptare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency