Kur mbetesha vetëm me ty

0
278

Zef Zorba

Zef Zorba“E di se punimet e këtij libri kanë mjaft errësi e që vazhdojnë të jenë të tilla edhe pas leximit të vëmendshëm…” Midis subkoshiencës dhe horizontit të hapur prej dritës së mendimit poetik, Zef Zorba na ka lënë të vetmin vëllim poetik, “Buzë të ngrira në gaz”, të shkruar në fshehtësi në diktaturë dhe pa botimin dhe ribotimin pas saj

Kur mbetesha vetëm me ty

(Dimër, 1946)

 

Kur mbetesha vetem me ty,

o zemra ime,

netësh të mbarsura me stuhi,

mërgime kujtesash në atë dhomën e gjatë

pa dritë

 

Anë-mbanë ndërtesa golle se ç’kumbonte

sajimesh

që një mbas një

ndeheshin palë e palë

mbi mua, kapitur gjumi në shpinë

 

me më ba dëshirash një trupore pjalmi

mortore

 

Tjera blerime

– Terezës –

Si lule dyelli gjethet,

veshur me vapë e t’zberë

e nuk lëviznin…

e merrnin frymë me zor…

e… oh…

 

S’andejmi

ku paskeshin ngelur kujtesë brymore

zgjohen flauri

tjera blerime,

rinore.

(A të kujtohet? Atë verë

burimet heshtja na i trazonte.

këndoja vijat e fatit

në dorën tënde flakë.

Endeshim rrugësh të çuditshme,

pa folë.

 

Pastaj n’teatër: një Gjido

i larë në djersë

përpëlitej i falisur.

Ti shkuleshe n’gaz me të madhe,

por në sy të vetëtinte

stuhia e Shtatorit…

A të kujtohet?)

 

Hej, zemërplasura!

Shuhet me rrahje të rralla, të mekura

kënga kujtuese e kombonëve e

mbyllet me gaz qesti të vajzave

mbetë zemërplasura

 

Sepse nuk ka kuptim me vdekë

qind herë në ditë

 

 Shpejto, pranverë…

Shpejto, pranverë!

Kjo shpresa qenkish tharm që shpirtin bren

më keq se urithi dhenë,

gjersa edhe vegimet

në vaje dirgjen,

sikur kjo borë

që shkrin në currila pa bojë.

Shpejto, pranverë…

Kjo shpresa qenkish tharm që shpirtin bren

më keq se urithi dhenë.

(Hej, dreq!

këto dokrra e përralla,

gjithë këto andralla,

hej, rafshin zhyt-e-mbyt

në pus të pafund:

do t’jemi të lumë, të lume

bum!

Të lumë, të lumë

-bum, bum!)

 

Shpejto veç ti, pranverë!…

 

Tema e violës

(Ne, djemtë e vajzat e një mature)

Mbasditesh të tuguara,

e ndrojtur, një kitarë

një himn

kërkonte

ndër basa – një piskamë –

hije për ty që rrugësh tona bije

e zgjoje shqetësime

që dukeshin të pakapërcyeshme.

 

Në bebe të syrit të valavitej

petali i nje vjollce.

 

Por djemtë

shkapërderdhës

mes të rrugës përflakin kohë

– zafira

që kurrë më s’përtërihen.

E kush s’i gien më dot

e aq më pak qyqari maturant,

me kryet thelluar ndër shpatulla,

ai që asnjëherë s’i pati prekë me dorë.

 

Prej ballit flakurime

shituese t’vezullonin.

 

Vajzat pa mëshirë i çarsnin borzilokët;

mbi viza ferr-o-parrizesh litari

ajrin hukatte e pluhurin

e ato, syrreshkura, hynin n’elips

e dilnin të përzhitura.

 

Flokëve t’u vinte era myshk

me të përqethë.

 

Një gozhdë

Një gozhdë e ngulur thik në mur, një gozhdë

e ngulur thik në mur, një gozhdë e ngulur…

 

Një gozhdë e futur thellë në mur, një gozhdë

e futur thellë në mur, një gozhdë e futur.

 

Një gozhdë e mbetur thatë në mur, një gozhdë

e mbetur thatë në mur, një gozhdë e mbetur.

 

e ngulur thik…

e futur thellë ….

e mbetur thatë….

 

 Raki e lirika

– Baladë –

O ndoshta angushtia, o veç nevoja

për hapësi më të madhe se dhomat,

të Djelash mbasdite na shpie në rrugë…

…e rruga qenkesh plym me njerëz që enden

poshtë e përpjetë, e njëri tjetrin shohin

shtrembër, pa fek ndër sy (sikur këqyren

statujat prej porcelani me kukullat

n’vitrinat e Mapos, në prak të Vitit tëRi)

 

Por ne vrojtimin tresim lart

ku rrezet e perëndimit përhudhen

akrobatike çati më çati;

rreze ato, të vetmet që ne kapim

pa cingërime t’ashpëra – frekuencat

 

tona mbi artin, estetikën, fjalën

e zorshme. E bota edhe mund të qeshet

për ne, kur shetitorja ka kaq femra

të bukura, me veshje prej najloni,

ku ijet valë-e-valë e ritmikisht

i përkundin; kur shihen asi burrash

të rëndë e me kostume gri të hapët

që të përshëndesin me ulje qepallash

(por që ka vlerë sa një shpërblim vjetor!)

Fytyra të përditshme… O ndonjë

turist që hulumton për ekzotikë

Arrën e Madhe, Tepen, Bezistanin

o skelën e liqenit me pulbardhat,

e që me një teleobjektiv njëqind

centimetrash, prej kulmit të Turizmit,

jep e merr të fotografojë së largu

Shpellën e Korbit në Cukal, o majën

e Veleçikut.

 

“Eh,po…”-ia bëre ti

e më nuk fole, pse për tjera fjalë

nuk paskërka nevojë as ironia.

 

Por s’u durova unë: “E pse nuk dalim

prej këtij vorbulli? Në qoshen e terraces

së Kafes, te parmaku, qenka bosh

një tavolinë.”- Dakord – ma miratove

ti… dhe ndenjëm.

 

Dikur erdh kamerierja

me gryksen blu, ku hëna dhe neoni

sajonin farfuritje të argjendta;

por pa gaz në buzë (e madje kujtova

mos, automat, ekspresi po na qasej;

a më kupton? Ekspresi vezëllues

që t’i lbyrë sytë, e mbrapa çfryn e qan.)

 

Nejse… Mbi tavolinën brune tonë

vendosi katër gota me raki…

Ti je i përmbajtur, unë aspak: bërtita:

“Duam dy raki, jo katër! dy raki…

e dy lirika…! – “Çfarë?!…” – shkrepi rrufe

e ra mes sheshit sa një obelisk,

pika çuditëse e saj… E trimijë

zemra shtanguan në vend, e dyfish sy

terrin zhbiruan përmbi çatitë, kush pati

dorën në xhep, te goja shpejt e çoi

një britmë për me ndalue. Më në fund,

me zë si gramafon, përsipër grykses

laraska çakarriti: “S’kemi.”

“Desha

me grusht t’i bija tavolinës (gotat

me pije do t’i kish përflakur në erë

siprina prej plastmasi) por ma ndale

doren ti, e mirë e bëre: “Nuk prish pune-

i the e sorra shkoi. Pastaj buzëqeshur

më fole si nën zë: “Mbase lirikat

janë brenda në raki…” Unë zura kryet

me grushta: si të mos kish ndodhur gjë

vozitja xixëlluese stërkeqej

(dhe e quejtkan “gjallëri”) e po harbonte

sërishmi nëpër bulevard, njësoj

me ankth, me po atë ëndërr që s’ia thonë

as vetes: frikë e mërtisur me qeshje

stereotipe manikinash parafine,

me xhupa blu, me organtina,

si ficka verdh… e sy pa kokërdhokë…

(Sikur asi Shtatori, kur karvanet

tona të mjerësh, përmes tyre i zvarritnin

e ata bënin kinse s’po na shihnin.

Pak kush na ndoqi – ndoshta s’u kuptuam

por sidoqoftë, u ftohëm që ngahera…)

 

Ti more një raki në dorë e unë

një tjetër. Në dy gotat mbi tavolinë

notonte nga një yll i bardhë, e dridhej,

e vezullonte….

 

Nuk e çuam rakinë,

por ulëm gotat: yjet u bënë katër.

“Ah, – thirra i shpërbërë – ah, si nuk vjen

sërish kamarierja, të na sillte

dhe njëqind gota tjera me raki.

ta mbushnim tavolinën plot me yje!…”

Ti prap ma miratove, por: “Ç’t’i bëjsh…”

the, dhe e përcolle fialën me nënqeshje.

Mbetem si dy qyqarë…

 

E kush e di

gjer kur kryevarë do të kishim ngelë

të mos na qasej papritur ai çifti

i huaj, i atyre që fotografonin

majat. Na erdhën pranë e po na lutnin:

“Can we join you in your table?”

 

Dhe u ulën

në dy karriget bosh. “Amerikanë?”-

ti ju drejtove.” No, nein, non, njet, no…”

shpejt u përgjigjën.

 

Ishte ajo si plazem.

Në flokët e lëshuar, si penda e korbit,

notonin marramendas blutë e Jonit,

e u vinte era mollë e manaferrë…

Faqet me duar mërtiste, por shkëlqenin

porsi fildish pas gishtash; e dy sytë

– dy buçila që shkëlqejnë mes borës, dy

ekrane stereoskopike ku shfaqen

me ankime saksofoni e tokë e qiell. –

“Shiko – më the – se ku i paska gjetur

lulet e jargavanit, edhe pse

tash në Korrik s’ka lule jargavani;

si në frymëmarrje i ndihet qartë dihatja

e ndeshjes në stadium, o një përqethje

vajzash që zgjat veç një të qindtë sekondi.”

 

Kish bluzën bojë orizi e gjithandej

me guaska, verdh e blu e manushaqe.

 

Ai vinte i hollë e i gjatë, madje më i gjatë

se çdo shejtnor i El Grecos. Pa ndërprerje

thithte llullën e tymi ia mbështillte

kokën për rreth, si brenda një aureole

të bërë me pluhur “spray” varaku t’imtë

që sytë ia mbushnin me shkëndija, e fjalën

ia tingëllonte si në ani kozmike,

qofshin për lutje, o për një gjemb mersine,

e për pajtim të foshnjës kur kjason,

o kur për valën flet që rërën lmon

me ëmbëlsi.

(Fragment)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency