Korrupsioni/ U merrnin shoferëve 500-2000 lekë, arrestohen dy inspektorët e transportit rrugor

0
127

arrest korrupsionAkuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv. Arrestimi, në kuadër të operacionit të koduar “Transporti 2”. Policia zbaton vendimin e Gjykatës së Korçës për arrestin me burg

Policia e Korçës ka vënë në pranga ditën e djeshme dy zyrtarë të Drejtorisë së Transportit në këtë qytet. Burime zyrtare nga Policia e Korçës kanë bërë me dije se arrestimi i tyre është bërë i mundur pas një pune disamujore nga ana e sektorit për Krimin Ekonomik Financiar, ku u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Transporti 2”. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se në pranga kanë përfunduar Gazmir Demiraj, 28 vjeç, me detyrë përgjegjës i sektorit të transportit të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor, si dhe Dhimitraq Xhima, 56 vjeç, me detyrë inspektor i sektorit të transporti të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë. Sipas policisë dy të arrestuarit me detyrën inspektorë në sektorin e transportit të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë, mësohet se iu merrnin shuma të konsiderueshme parash nga 500-2000 lekë, drejtuesve të automjeteve të transportit të udhëtarëve dhe mallrave, në mënyrë që të mos i penalizonin me masa administrative në rastet e mangësive në dokumentacion.

 

Hetimet

Në bazë të hetimeve disa mujore Policia e Korçës mundi të vërë në pranga dy inspektorë të Drejtorisë së Transportit në Korçë. Këta dy persona, në bazë të hetimeve të kryera, mësohet se u merrnin shuma të ndryshme parash, duke filluar nga 500-2.000 lekë drejtuesve të automjeteve të transportit të udhëtarëve dhe mallrave, në mënyre që të mos i penalizonin me masa administrative në rastet e mangësive në dokumentacion. Pas këtyre veprimeve të cilat sipas hetimeve nuk kanë qenë të pakta, prokuroria kërkoi nga gjykata arrestimin e tyre nën akuzën e “Korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike”. Vendimi i dhënë nga Gjykata e Korçës për dy inspektorët “Arrest me burg”, është zbatuar pasditen e djeshme nga ana e efektivëve të policisë së këtij qyteti. Në pranga mësohet se janë vënë Dhimitraq Xhima, 56 vjeç, banues në fshatin Drenovë- Korçë, me detyrë inspektor i sektorit të transporti të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë. Po ashtu në pranga është vënë edhe Gazmir Demiraj, 28 vjeç, banues në fshatin Eçmenik të Komunës Hoçisht, Devoll, me detyrë përgjegjës i sektorit të transportit të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë. “Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi duke qenë me detyrën inspektorë në sektorin e transportit të shfrytëzimit të automjeteve në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Transportit Rrugor Korçë, iu merrnin shuma lekësh 500-2.000 lekë drejtuesve të automjeteve të transportit të udhëtarëve dhe mallrave, në mënyrë që të mos i penalizonin me masa administrative në rastet e mangësive në dokumentacion”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë, ndaj tyre Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, lëshoi dje (më 23 mars 2015) urdhrin për ndalimin, në bazë të vendimeve numër 110 dhe 111 të datës 22 mars 2015 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, në të cilën është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale të “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.

 

 Gjirokastër/ Tjetër shpërthim në Lazarat, tritol në derën e një lokali, s’ka të lënduar

Një tjetër shpërthim me lëndë eksplozive është shënuar gjatë mbrëmjes të së dielës në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Burime zyrtarë nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:25 të së dielës, në hyrje të Lazaratit mbi vendin e quajtur Pularia, tek dera e lokalit të shtetasit me iniciale A. T. Sipas policisë lënda plasëse eksplozive me fitil të ndezur është hedhur nga jashtë portës në oborr, para derës së lokalit, ndërsa nuk është bërë e ditur sesa ka qenë masa e lëndës eksplozive që shpërtheu në derën e lokalit. Nga shpërthimi i lëndës eksplozive janë thyer xhamat e lokalit, si dhe janë shënuar dëme të shumta të tjera materiale. Megjithatë nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor ku vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit. Deri më tani, sipas burimeve mësohet se po kryhen verifikimet e mundshme të provave të gjetura në vendin ku ndodhi edhe shpërthimi që shkaktoi dëme të shumta materiale, çka do të çojnë në identifikimin e kapjen e autorit që e hodhi lëndën plasëse. Ndërkohë, brenda një jave ky është shpërthimi i tretë me lëndë eksplozive të llojit tritol, në fshatin Lazarat. Më e fundit ishte mbrëmjen e së shtunës së 21 marsit ku u vendos tritol në shtëpinë e babait të kreut të Partisë Demokratike në Gjirokastër, Roland Bejko. Por, ende nuk janë zbuluar personat që e kanë hedhur lëndën eksplozive në portën hyrëse të banesës së babait të Roland Bejkos, ndërsa policia thekson se të gjitha këto ngjarje do të zbardhen dhe autorët e tyre do të përballen me ligjin. “Rreth orës 21:25, datë 22.3.2015 në hyrje të fshatit Lazarat, mbi vendin e quajtur Pularia, tek dera e lokalit të shtetasit A. T., është hedhur nga jashtë portës në oborr, para derës së lokalit një sasi lëndë plasëse eksplozive me fitil të ndezur. Nga shpërthimi i lëndës plasëse janë thyer xhamat e lokalit, si dhe dëme të tjera materiale. Nga shpërthimi nuk ka asnjë të lënduar. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, ku po vijojnë veprimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Policisë së Shtetit.

 

Tiranë/ Arrestohet 36-vjeçari, dënuar nga drejtësia italiane për trafik droge

Policia e Tiranës ka vënë në pranga gjatë pasdites së djeshme një 36-vjeçar, pasi kërkohej nga drejtësia italiane. Burime nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se në pranga ka përfunduar Sajmir Veliu, pasi kërkohej nga autoritet italiane për kryerjen e veprës penale të trafikimit të lëndëve narkotike. Po ashtu, mësohet se 36-vjeçari në vitin 2014 është dënuar me 20 vjet burg për trafikim të lëndëve narkotike, nga Gjykata e Breshas, në Itali. 26-vjeçari mësohet se në momentin e arrestimit nga autoritet shqiptare në Rinas, vinte nga Vjena, ndërsa rezultonte në sistemin TIMS i kërkuar nga Interpoli. Mësohet se 36-vjeçari shqiptar i arrestuar në Rinas pasditen e djeshme, ka qëndruar i lirë përgjatë gjithë kohës që gjykohej nga drejtësia italiane, ndërsa është mundur të arrestohej vetëm dje teksa po futej për në vendin tonë. Ai u vu në pranga për qëllim ekstradimi në shtetin italian për të kryer dënimin e dhënë nga Gjykata e Breshas.

 

Itali/ Trafik droge, arrestohet një hungareze dhe dy shqiptarë

Tre persona janë arrestuar dhe krahas tyre është sekuestruar një sasi prej dy kilogramësh lëndë narkotike e llojit kokainë, në Trevizo dhe Mestre të Italisë. Autoritetet italiane kanë bërë me dije se vlera e lëndës narkotike, nëse do të dilte në treg, do të ishte rreth 200 mijë euro. Fundjavën që lamë pas, karabinierët në Venecia dhe në Trevizo kanë arrestuar tre persona që pritej të shpërndanin lëndën narkotike. Mes tyre, dy shqiptarë janë bllokuar përpara se të hipnin në një avion, që pritej t’i çonte larg Venecias, në një destinacion të pa bërë publik. Fillimisht, karabinierët italianë kanë zbuluar një femër, e cila me shumë mundësi ishte edhe pronarja e lëndës narkotike. Bëhet fjalë për hungarezen 26-vjeçare Zsuzsanna Vajda. Krahas saj kanë rënë në pranga edhe dy meshkuj, të cilët shpërndanin dhe drejtonin shpërndarjen e drogës në Mestre. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Fatjon Murati dhe Qerim Azuni. “Droga nuk ishte e imja. E mbaja në shtëpi për llogari të dy personave të tjerë”, – është mbrojtur përpara gjykatësit, Zsuzsanna Vajda, vajza nga Hungaria.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency