Standard.al

Konferenca e përbashkët/ Rama: Paradoksi i negociatave të Serbisë me BE-në. Mustafa: Me ministrin serb vepruam siç duhej

konferenca rama-mustafaNëse synimi dhe pretendimi i dy qeverive është që të bashkëqeverisin, shoqëruar kjo me marrëveshjet përkatëse që ju sapo përmendët, a mendoni se do të arrihen objektivat përballë një korrupsioni evident në shoqërinë tonë dhe grupeve kriminale gjithashtu që mund të bëhen një pengesë në realizimin e tyre. Si e keni menduar këtë?

Mustafa: Unë mendoj se çështja e korrupsionit nuk është çështje që mund të luftohet vetëm me masa represive. Ne do të qasemi në mënyrë pozitive përmes zhvillimit ekonomik. Për aq sa krijojmë vende pune, perspektivë, ne në këtë mënyrë luftojmë edhe korrupsionin. Çështje tjetër është ajo e prokurorisë, gjykatave, por ne do të mundojmë të zhvillojmë ekonomitë tona.

Rama: Ne besojmë që lufta me themel kundër korrupsionit është lufta me themel për modernizimin e shtetit. Në një shtet modern ka shumë më pak korrupsion sesa në një shtet arkaik, sepse nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin, por është sistemi që korrupton njerëzit. Një sistem i cili funksionon, i bën edhe njerëzit që të funksionojnë si pjesë e tij. Një sistem disfunksional e kthen korrupsionin në alternativë shërbimi, në një alternativë shpeshherë më të shpejtë e më efikase. Dhe, këtu, është pika ku duhet të luftojmë, sepse qeveria nuk është as prokurori dhe as gjykatë, detyrat janë të ndara. Sigurisht si shumicë parlamentare, ne kemi marrë përsipër dhe do të realizojmë një reformë rrënjësore të sistemit të drejtësisë, por si qeveri, ne duhet të realizojmë një proces modernizimi rrënjësor me çdo çmim. Në fund të fundit, të gjithë qytetarët tanë, edhe të Shqipërisë dhe të Kosovës, kur shkojnë në Gjermani, as nuk u shkon ndërmend t’i japin lekë ndonjë nëpunësi, ashtu sikundër edhe nëpunësit as nuk i shkon ndërmend t’i kërkojë lekë qytetarit. E kam thënë edhe herë të tjera, nuk kam parë dhe as e imagjinoj dot, ndonjë shqiptar, të Shqipërisë apo të Kosovës, që t’i japë makinës pa rrip sigurie në Gjermani. Kam parë persona të Ambasadës Gjermane që i japin makinës pa rrip sigurie në Tiranë. Kjo do të thotë që ku të gjesh një shesh, bën përshesh. Varet nga sistemi.

Zoti Rama solli rastin e Gjermanisë dhe Francës si shembull për t’u ndjekur mes Shqipërisë dhe Serbisë, por sot në këtë mbledhje të dy qeverive mungonin ministrat serbë, që prej kohësh, në fakt, kanë bojkotuar të gjitha aktivitetet edhe në Kosovë. Realisht, çfarë do të bëhet për të pasur një bashkëpunim real mes Kosovës, Shqipërisë dhe Serbisë?

Mustafa: Ne kemi bërë përpjekje maksimale që përmes procesit të dialogut të ushtrojmë shtetin e së drejtës në të gjithë Kosovën. Ky ka qenë objektivi, po ashtu edhe integrimi i popullsisë serbe. Është arritur shumë se për herë të parë kemi serbët të përfaqësuar nga të gjitha komunat serbe. Ne e konsiderojmë si një mundësi shumë të rëndësishme për bashkëpunim dhe integrimin e tyre. Ata kanë 10 deputetë dhe janë anëtarë të qeverisë së Kosovës. Ne kemi pasur një çështje të një deklarate të ministrit serb. Dhe është vepruar ashtu siç duhet dhe unë shpresoj se ata do të kthehen përmes bindjes së tyre që do të ishte më mirë që të ishin në Kuvend për të diskutuar problemet e qytetarëve të komunitetit serb.

Rama: Në fakt, problem do të ishte sikur serbët të mos kishin vende, por kur i kanë dhe i lënë është problemi i tyre. Ndërkohë që ata nuk janë aty, qeveria e Kosovës është në krye të detyrës për të plotësuar të gjitha detyrimet që parashikon marrëveshja serbe në Kosovë. Prandaj, është e natyrshme që të ndodhë e njëjta gjë për shqiptarët në Luginën e Kosovës. Në këtë kuadër nuk ka asnjë krahasim mes qeverisë Kosovë-Serbi që njëra qeveri i respekton maksimalisht të drejtat e minoritarëve dhe tjetra jo. Është paradoksale që shteti që i respekton kaq mrekullisht këto të drejta, akoma nuk ka viza, ndërkohë që shteti që ende ka shumë punë për të bërë negocion për t’u bërë pjesë e BE-së. Sa i përket çështjes tjetër, unë besoj se interesi i këtij bashkëpunimi është në çdo plan dhe në çdo aspekt. Nuk është thjesht tregtar apo ekonomik, por në çdo plan dhe çdo aspekt, sepse jemi bij të një toke, jemi një popull dhe kemi të njëjtën ëndërr. Por këtë do ta bëjmë përmes instrumentit të BE-së, sepse nuk ka vend për mitologji dhe nacionalizma.

Dua t’ju pyes për deklaratën tuaj, që tingëlloi shumë e fortë gjatë mbledhjes së përbashkët, përsa i përket regjimit të vizave me Kosovën. Ju e quajtët atë një turp për BE-në. A i rezervoni një ton kaq të ashpër një çështjeje të tillë edhe në Bruksel? Keni arritur ta skuqni Brukselin për një çështje të tillë apo zëri i trashë ruhet vetëm për takimet bilaterale me Kosovën, pasi në rastet konkrete, në takimet me zyrtarët e Brukselit duket sikur çështja trajtohet, por me një ton më të ulët?

Rama: Më falni që nuk e kam zërin aq të hollë sa e doni ju, por secili ka zërin e vet dhe nuk ka çfarë bën tjetër. Rëndësi ka që zërin e vet të mos përpiqet ta hollojë apo ta trashë, se pastaj mund të mos japë efektin e duhur. Përsa i përket pyetjes që bëni ju, gjejani ju një fjalë tjetër Bashkimit Evropian, për faktin se në gjithë hapësirën evropiane, ku unë fus jo vetëm BE-në, por edhe “E”-në, se ne jemi në Evropë, pavarësisht se nuk e kemi “B”-në përpara, 1.3-1.4 milionë njerëz i mban mbyllur. Dhe kë mban mbyllur? Mban mbyllur ata të cilëve u njohu shtetin, pas një luftë çlirimtare ku u përfshi edhe BE-ja, në një pjesë të rëndësishme të kësaj lufte dhe nuk u jep viza. Le ta gjeni ju, bashkë me BE-në, nëse ky nuk është turp. Ky është turp i BE-së, është turp i Evropës. Sa për, a jua them apo s’jua u them unë, në anglisht, ato që mendoj në shqip, të jeni të sigurt se nuk kam problem tjetër, përveç faktit që shqipen e flas pak më mirë se anglishten. Por edhe në anglisht di t’i them ato që mendoj në shqip. Të jesh i sigurt për këtë. Mos ki shqetësim!

 

 Azilkërkuesit/ Eurostat: Kosova, e treta pas Sirisë e Afganistanit. Shqipëria e 11-ta 

Kosova ka kapërcyer edhe Sirinë, sa i përket numrit të azilkërkuesve në Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2014. Sipas Eurostatit, numri i kosovarëve që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së, në fund të vitit 2014, është 13 mijë e 905, duke lënë pas Sirinë e përfshirë në një luftë civile me rreth 12 mijë, si dhe Afganistanin me afro 6 mijë. Numri i përgjithshëm i azilkërkuesve nga Kosova, për vitin 2014 është 37.875, duke u renditur kështu e treta pas Sirisë dhe Afganistanit. Ndërkaq vetëm 7 për qind e aplikantëve ose 905 vetë gjithsej kanë marrë përgjigje pozitive. Në mesin e 6 vendeve me më shumë azilkërkues janë edhe Eritrea, shtet afrikan, Serbia dhe Pakistani. Ndërkohë, Shqipëria është e 11-ta në listë, me afro 17 mijë azilkërkues për vitin 2014. Nga të dhënat e Eurostatit kuptohet se numri më i madh i emigrantëve nga Kosova janë të grupmoshës 18-34 vjeç, me rreth 44.5 për qind gjithsej, më pas në një përqindje më të ulët hyjnë fëmijët deri në moshën 13 vjeç. Numri i të ikurve familjarisht, me fëmijë të vegjël, vjen duke u rritur në tremujorin e fundit të 2014-ës, siç edhe kanë treguar pamjet e përditshme në stacionet e autobusëve. Sipas Eurostatit 191 mijë njerëz më shumë kërkuan azil në vendet e BE-së gjatë vitit 2014, krahasuar me vitin 2013, ku rritja më e madhe është regjistruar në Gjermani, e pasuar nga Italia, Suedia dhe Hungaria.

Comments are closed.