Shpërthimi/ Tronditet Lazarati, tritol banesës së babait të kreut të PD Gjirokastër

0
128

fshati LazaratSasia e tritolit është vendosur pak pas mesnate në Kordhocë. Policia njoftoi se nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Familjarët: Nuk dimë gjë

Shpërthimet me tritol duket se janë zhvendosur tashmë në fshatin Lazarat të Gjirokastrës. Policia bëri me dije se pak pas mesnatës së të dielës, Lazarati u trondit nga një shpërthim, i cili, për fat të keq, ishte vendosur në banesën e babait të kreut të Partisë Demokratike në Gjirokastër. Sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Shtetit, bëhet me dije se një sasi tritoli u hodh në portën e jashtme të shtëpisë së Hysen Bejkos, babait të kryetarit të Partisë Demokratike të Gjirokastrës, Roland Bejko. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi në orën 00:10, në lagjen “Kordhocë”. Në njoftimin e saj saktësohet se lënda plasëse ishte aktivizuar me fitil. Nuk është ende e qartë nëse shpërthimi ka lidhje me detyrën partiake që ushtron Roland Bejko. Efektivët e policisë thanë se nga shpërthimi i lëndës plasëse janë shkaktuar dëmtime të pjesshme të llamarinës së portës së jashtme të oborrit.

 

Policia

Policia e Gjirokastrës deklaroi se shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes. Ndonëse janë kryer veprimet e para hetimore, policia nuk ka arritur të identifikojë asnjë prej personave që mund të kenë shkaktuar shpërthimin. Jo vetëm kjo, po ende mbetet enigmë fakti i vendosjes së kësaj lënde shpërthyese në portën e babait të kryetarit të Partisë Demokratike, Roland Bejko. Janë marrë në pyetje disa persona nga Lazarati për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes. Mes tyre janë pyetur edhe familjarët e kryetarit të PD-së Gjirokastër, pasi dyshimet e para shkojnë se tritoli është vendosur për t’i dërguar një paralajmërim kryetarit të Partisë Demokratike, Bejklo. Pra, sipas të dhënave të para, hetimet janë përqendruar tek detyra. Brenda pak ditëve Lazarati është tronditur nga shpërthimet me tritol. Madje, vetëm katër ditë më parë, Policia e Shtetit, e ndihmuar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë gjatë një kontrolli për arrestimin e katër personave të shpallur në kërkim se qëlluan me armë ndaj një patrulle policie, sekuestruan brenda një tuneli 12 kg tritol. Objekt sulmi në Lazarat ka qenë edhe një shtyllë e tensionit të lartë. Dëmet në këtë rast nuk kanë qenë të mëdha, por policia dyshon se një veprim i tillë bëhet për të destabilizuar situatën.

 

Bejko

Babai i kryetarit të Partisë Demokratike në Gjirokastër, Hysen Bejko, ka shpjeguar para policisë se katër ditë më parë para portës së banesës së tij ka gjetur një sasi eksplozivi. Për këtë ai ka lajmëruar edhe efektivët e policisë, të cilët, sipas tij, nuk bënë ndonjë veprim konkret. Nga ana tjetër, Bejko është shprehur se nuk ka dijeni për arsyen e vendosjes së tritolit në portën kryesore të banesës. Ai është shprehur se nuk ka pasur asnjëherë konflikt me persona të tjerë, jo vetëm në Lazarat. Të njëjtën gjë ka deklaruar edhe kreu i Partisë Demokratike Gjirokastër, Roland Bejko.

 

 Bulqizë/ Gjendet një kufomë e seksit mashkull

 Kalimtarë të rastit në Bulqizë kanë lajmëruar policinë e këtij qyteti për një kufomë të seksit mashkull, të cilën e kanë parë pranë një ure. Burime të policisë bëjnë të ditur se janë kryer veprimet e para me qëllim identifikimin e kufomës. Nga të dhënat rezulton se kufoma është e seksit mashkull, rreth 70 vjeç. Ajo është parë mëngjesin e djeshëm nga kalimtarë të rastit pranë Urës së Sheranecit. Me të marrë njoftimin policia tha se shkoi në vendin e ngjarjes duke dërguar më pas kufomën në morgun e spitalit rajonal. Ndërkohë pas veprimeve të para mësohet se 70-vjeçari të ketë gjetur vdekjen nga të ftohtit. Nuk dihet ende nëse ai mund të ketë qenë një endacak apo kalimtar i rastit. Megjithatë, policia është duke hetuar edhe pista të tjera.

 

Vjedhja/ Energjia elektrike, 19 të arrestuar, 14 persona procedohen në gjendje të lirë

19 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike janë arrestuar në flagrancë në të gjithë Shqipërinë, gjatë javës që lamë pas. Burime nga policia bëjnë me dije se janë kryer kontrolle të përbashkëta Polici – OSHEE në 6.440 raste dhe si rezultat i kontrolleve të kryera në terren në abonentët biznes dhe familjarë, janë evidentuar 54 raste të vjedhjes së energjisë elektrike me 54 autorë. Zyrtarisht bëhet me dije se janë shpallur në kërkim 21 persona, si dhe ndiqen në gjendje të lirë 14 persona. Gjatë kësaj jave janë ndërprerë 4.076 lidhje të abonentëve debitorë dhe 54 lidhje të paligjshme, ndërsa janë kontrolluar 145 kabina elektrike dhe abonentët që furnizohen nga këto kabina. Policia e Shtetit dhe OSHEE shprehen të vendosur ta çojnë deri në fund punën e nisur, deri në shkëputjen e fundit të lidhjeve të paligjshme, duke përballur me forcën e ligjit të gjithë ata persona, të cilët abuzojnë me energjinë elektrike, duke e vjedhur atë, qofshin këta përfaqësues biznesesh, individë, apo punonjës të vetë OSHEE-së.

 

Mashtrimi/ 10 vite burg pronarit të ndërtimit, shiti dy herë një apartament

 Prokuroria kërkoi dënimin e shtetasit Petrit Bregu për veprën penale “Mashtrim me pasoja të rënda” me dhjetë vjet burg. U pranua gjykimi i shkurtuar pas pranimit të fajësisë. Ndërkohë, avokati kërkoi pafajësi. Petrit Bregu është me arsim të lartë dhe rezulton i dënuar më parë nga drejtësia. Procedimi penal ndaj Petrit Bregut nisi në vitin 2013. Sipas vendimit të gjykatës shtetasi Agim Deliu, la lidhur një kontratë me shoqërinë e ndërtimit “2AB”, e cila ka marrë përsipër të ndërtojë një pallat 6-7-katësh në pronën e Deliut dh eky i fundit do të përfitonte një apartament me sipërfaqe 81.8 m2 pasi rezultonte bashkëpronar në një shtëpi banimi me sipërfaqe 372 m2. Në muajin tetor të vitit 2006 shtetasi Agim Deliu, pasi ka përfunduar ndërtimi i pallatit nga firma “2 A-B”, bazuar në kontratë është futur në apartamentin me sipërfaqe 75.35 m2. Më datë 12.11.2007 shoqëria e ndërtimit “2AB” sh.p.k e përfaqësuar nga i pandehuri Petrit Bregu përpara noteres Violeta Sulkaj me nr. 5231 rep dhe nr. 4604 Kol ka përpiluar një deklaratë me shtetasin Agim Deli, në të cilën shtetasi Petrit Bregu si përfaqësues i shoqërisë “2AB” ka deklaruar se shtetasi Agim Deliu ka përfituar si pronarë trualli në godinën 6, 7-8 në rrugën “Riza Cerova” një apartament një dhomë e një kuzhinë dhe ambiente ndihmëse me sipërfaqe 75.35 m2 në katin e gjashtë, në pjesën lindore të godinës. Të dy palët e kësaj deklarate kanë deklaruar se kjo pasuri nuk janë tjetërsuar dhe nuk është kryer asnjë veprim juridik me to. Kjo deklaratë është bërë për tu paraqitur në ZRPP Tiranë dhe për t’u pajisur me certifikatë pronësie nga ana e Zyrës së Regjistrimit të pasurive Tiranë, dhe për efekt të kontratës së shkëmbimit. Më pas pronari i banesës ka lidhur kontratën me KESH. Por në vitin 2011, Agim Deliu teksa priste të merrte certifikatën e pronësisë mëson se hyrja e tij ishte shitur një tjetër personi nga firma “2AB”. Nga hetimi rezultoi se apartamentin pronari i ndërtimit ia kishte shitur dhëndrit të tij duke falsifikuar dokumentet tek noterja Mimoza Shehu në vitin 2008. Pronari i ndërtimit përmes dokumenteve të falsifikuara i ka marrë apartamentin shtetasit Deliu, i cili nuk kishte asnjë dijeni,ndërsa qëndronte në banesë. Ai është vënë në dijeni nga zyra e përmbarimit, e cila shkoi për të liruar banesën.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency