Pas Lushnjës e Fierit/ Takimi me Ramën, kandidatët e PS-së për Sarandën, Himarën e Konispolin

0
89

Gëzim Saliu

 rama inspektime sarandeRama në Sarandë viziton kurorën e gjelbër të qytetit, punimet për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza si edhe punimet për ndërtimin e shëtitores buzë detit në Himarë

Pas konsultimeve që zhvilloi me bazën e PS-së në kryeqytet, Kryeministri Rama pati dje një takim me socialistët e Sarandës në praninë edhe të deputetëve të zonës. Në këtë mbledhje u prezantuan edhe kandidaturat e propozuara nga baza për Bashkinë e Sarandës, ku kryetari aktual Stefan Çipa kërkon një rikandidim të dytë në krye të qytetit bregdetar. Ndërkaq, kandidatë të tjerë për të garuar në emër të koalicionit të majtë në këtë Bashki janë propozimet e emrave të Adriana Shehut, Ramiz Hysit, Florjana Kokës dhe Shemi Lulos. Ndërsa sa i përket Bashkisë së Himarës i vetmi emër i propozuar ishte ai i kreut aktual Jorgo Goro, i cili para katër vitesh arriti një fitore surprizë në këtë zonë pasi prej shumë vitesh ajo drejtohej nga PBDNJ-ja. Pavarësisht nga mungesa e kandidatëve garues, Goro nuk u shpëtoi dot batutave të Kryeministrit Rama, i cili ka theksuar: “Meqenëse je kandidati i vetëm për Himarën, do të sjell unë dy kandidatë nga Tirana”. Po ashtu në takim u bënë publike edhe propozimet e kandidaturave për Bashkinë Konispol, ku përfshihen në garë Dilaver Papara, Mimoza Arapi dhe Dhimo Kote. Ndërsa në Bashkinë minoritare të Finiqit, emrat që janë propozuar janë ato të Toma Kordhës dhe Leonids Kristos. Ky takim vjen pas atyre që po zhvillohen në çdo njësi ku paraqiten për diskutim propozimet e bazës dhe mbi bazën e mbështetjes nga kryesia dhe më pas nga aleati në koalicion LSI, do të vendosët se cilët do të jenë kandidatët përfundimtarë për 61 njësi. Më parë, PS e kryeqytetit propozoi emrat e Pandeli Majkos, Blendi Klosit, Lindita Nikollës dhe Albana Dhimitrit si kandidatë të mundshëm në garën për Bashkinë e kryeqytetit. Nga ana tjetër, baza socialiste e Fierit ka propozuar për kandidatë të Bashkisë së këtij qyteti në zgjedhjet lokale të 21 qershorit Ervin Koçin, Armando Subashin dhe Xhavit Bushin. Po ashtu edhe baza socialiste e Lushnjës ka propozuar Arben Çukon, Fatos Tushen, Bujar Çelën dhe Astrit Xhekën. Ndërsa për Divjakën propozohet të rikandidojë Alfred Kokoneshi.

 

Rama në Sarandë

Në kuadër të vizitës që zhvilloi në Jug të vendit, kreu i qeverisë u ndal në fshatin Bajkaj në Sarandë, ku po ndërtohet landfilli rajonal për menaxhimin e mbetjeve të ngurta urbane për bregdetin e jugut. Landfilli me kapacitet 365 000 m3 është llogaritur për depozitimin e 25 000 m3/vit mbetje. Duke theksuar rëndësinë e projektit për pastrimin dhe përmirësimin e kushteve mjedisore në bregdetin e Jugut, Kryeministri e konsideroi një pikë kthese historike për turizmin në Shqipëri. “Qëllimi i parë është që të pastrohen të gjitha vatrat e infektuara nga vendgrumbullimet pa asnjë standard dhe nga plehrat e mbledhura kuturu nëpër vite dhe pastaj të garantohet që i gjithë sistemi i mbledhjes në të gjitha njësitë vendore në Himarë, në Sarandë dhe në Konispol të funksionojë, në mënyrë që ky investim të kthehet në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore të të gjithë zonës. Më tej, Rama ka vizituar më pas kurorën e gjelbër të qytetit të Sarandës, ku theksoi se rifitimi i gjelbërimit në gjithë Shqipërinë është objektiv i qeverisë, ndërsa siguroi se mbështetja do të shtrihet edhe në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve. Në këtë qytet, kreu i qeverisë inspektoi gjithashtu edhe punimet për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza, ku deklaroi: “Ky është një investim që çliron Sarandën dhe Ksamilin bashkë, edhe që kishte vite të tëra i bllokuar”. Ndërkohë, Qeparoi ishte ndalesa e fundit e Kryeministrit Rama, ku inspektoi projektin për sistemimin e infrastrukturës nëntokësore, ndërtimin e trotuareve dhe ndriçimin. “Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë, por jam i bindur që të gjithë ata që do të vijnë në këtë sezon në bregdet dhe posaçërisht në Qeparo do të shohin me sytë e tyre se transformimi i filluar premton shumë dhe se Rilindja Shqiptare në këtë zonë kaq të pasur dhe kaq të mrekullueshme turistike do të sjellë çka, për fat të keq, i ka munguar zonës dhe gjithë vendit për 20 vjet të tëra”, – u shpreh kreu i qeverisë.

 

 Takimi i dytë i përbashkët/ Sot qeveritë Shqipëri-Kosovë mblidhen në Tiranë, zbardhet axhenda e punimeve

Sot do të zhvillohet mbledhja e dytë e qeverive të Shqipërisë e Kosovës ku pritet të nënshkruhen marrëveshje për arsimin, ekonominë dhe sigurinë. Sipas axhendës, parashikohet që mbledhja e dy qeverive të nisë në orën 10:45 të paradites në Pallatin e Kongreseve, ku fillimisht do të ketë nga një fjalë përshëndetëse nga dy kryeministrat, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe i Kosovës Isa Mustafa. Më pas axhenda vijon me prezantimin e partneritetit strategjik nga ministrat e Jashtëm Ditmir Bushati dhe i Kosovës Hashim Thaçi. Për të vijuar më tej me shqyrtimin e marrëveshjeve që palët do të nënshkruajnë, që prekin fushën e sigurisë, arsimit, ekonomisë dhe bujqësisë dhe turizmit. Po ashtu është parashikuar që pas 1 ore, të zhvillohet edhe konferenca e përbashkët për mediat, rreth orës 12 e 30. Gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë Kryeministri i ri i Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi se dy vendet do të kalojnë në çështje konkrete, për të lehtësuar biznesin. Në lidhje me këtë aspekt, është hedhur hapi i parë, që ka të bëjë me bashkimin doganor, por nga ana e tyre disa shoqata të biznesit kanë kërkuar marrëveshje më konkrete për krijimin e lehtësirave. Kreu i qeverisë së Kosovës, duke komentuar dje mbledhjen, shprehu optimizmin e tij për suksesin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e cila pritet të hapë një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy vendeve. “Për qeverinë që unë drejtoj, prioritet është bashkëpunimi me Shqipërinë, përmes një politike të bashkërenditur për interesat tona të përbashkëta, për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euroatlantike. Dy shtetet tona, kurrë deri më tash nuk e kanë pasur situatën më të përshtatshme në shtëpi, por edhe atë rajonale e ndërkombëtare, që të krijojnë politika të përbashkëta në të gjitha fushat, që na lidhin dhe i bëjnë marrëdhëniet tona dypalëshe të veçanta”, – tha Mustafa.

 

Axhenda e takimeve mes dy qeverive

Ora 10:40 – Mbërritja e delegacionit të qeverisë së Republikës së Kosovës në Pallatin e Kongreseve

Ora 11:00 – Fillimi i mbledhjes së dy qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës

Ora 12:00 – Ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve në mes dy qeverive

Ora 12:30 – Konferencë për shtyp e dy kryeministrave të qeverive të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency