Partizani nuk gabon ndaj Laçit, Tirana fiton me Apoloninë

0
112

Tirana ApoloninëNë sfidën midis Tiranës dhe Apolonisë ka ndodhur edhe një gjest i shëmtuar, kur pas hyrjes së një tifozi me flamurin shqiptar, ka qenë portieri serb i fierakëve ai që e ka marrë dhe e ka hedhur poshtë, duke shkaktuar edhe acarimin e situatës së sfidës

Superliga ka vazhduar dje me ndeshjet e saj të javës së 27-të. Partizani është një kockë e fortë dhe nuk do ta lërë pozicionin e tretë. Të kuqtë fituan 1-0 në “Qemal Stafa” ndaj Laçit, me një gol të Racicit, që përfitoi nga një gabim i Mockës për t’u dhënë suksesin të kuqve pas një ndeshje të dominuar. Partizani kërkonte fitoren e tretë radhazi dhe që në fillim këmbënguli për të marrë atë duke marrë dhe kontrollin e lojës. Sinjalin e parë të kuqtë e dhanë në të 10-tën me Vilën por Mocka priti mirë. Dueli mes të dyve u përsërit dhe në të 23-ën me Mockën që doli sërish fitimtar duke ndalur golin e Vilës. Në minutën e 30-të, Racic pati mundësinë më të mirë pas një gabimi të Buljanit, por serbi goditi mbi traversë. Laçi për herë të parë zbriti në portën e Partizanit në të 35-ën, por Sosa nuk goditi saktë. Të kuqtë kërkonin të shkonin në dhomat e zhveshjes në epërsi dhe në të 44-ën Bylykbashi për pak sa nuk realizoi, por Mocka sërish fluturoi për të larguar topin në goditje këndi. Pjesa e dytë nisi sërish me Partizanin më këmbëngulës, që rrezikoi në të 52-ën me Vilën, por topi përfundoi jashtë, ndërkohë që të kuqtë pretenduan dhe për një prekje me dorë të Shetës. Në të 53-ën, Mocka u tregua sërish vendimtar duke mos lejuar Racic të shënojë. Kurbinasit, u kundërpërgjigjën më në fund me Mitren, që nuk shfrytëzoi sic duhet zbritjen e të tijve. Me kalimin e minutave u shtua dhe dëshira e Partizanit për gol, por nuk u rregullua koordinimi i Racicit, që në të 57-ën sërish nuk shfrytëzoi siç duhet një pasim të Vilës. Dhe kur shënjestra ishte e saktë si në rastin e Trashit, Mocka e kishte gati përgjigjen. Seria e rasteve të humbura nga Racic vazhdoi dhe në të 65-ën, kur sërish goditi jashtë nga një pozicion i mirë. Mbrëmja negative e Racic ndryshoi në të 69-ën, kur lojtari më i mirë i Laçit deri në ato momente, Mocka nuk largoi siç duhet një top me Racic që devijoi për në rrjetë topin e 1-0. Racic rrezikoi në të 83-ën të shënonte dhe golin e dytë, por goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit. 1-0 për Partizanin në fund që merr 3 pikë të rëndësishme duke ruajtur vendin e tretë por dhe diferencat me kreun.

 

Tirana fiton ndaj Apolonisë mes skandalit

Ndeshja në “Loni Papuçiu” është e destinuar për të gjeneruar diskutime më shumë se sa për fitoren e Tiranës dhe paraqitjen teknike të dy skuadrave për një episod që ka sjellë në kujtesën e të gjithëve ngjarjet e 14 tetorit në Beograd me protagonist portierin serb të Apolonisë, Cakoviç. Gjithçka ishte brenda kornizave të normalitet deri në minutën e 22-të kur Muzaka po shkonte i vetëm drejt portës dhe Amarildo Dimo i ndërhyri në mënyrë të parregullt nga pas brenda zonës. Për kryesorin Enea Jorgji nuk kishte dyshime, penallti për Tiranën dhe karton i kuq për Dimon, por ndërsa Mario Morina përgatitej për duelin nga pika e bardhë, një tifoz hyri në fushë për të shfaqur para numrit 10 të Tiranës dhe gjithë publikut një flamur kuqezi ku shkruhej “Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri”. Pikërisht në këtë moment, Vilson Cakoviç la portën duke i marrë nga duart tifozit flamurin në një mënyrë ku është e dukshme mungesa e respektit për simbolin tonë kombëtar. Menjëherë futbollistët e Apolonisë morën flamurin nga duart e serbit duke e qortuar ashpër për veprimin, ndërsa publiku u irritua me të drejtë. Minuta tensioni me Cakoviç që u protagonist i një gjesti vërtet sa të panevojshëm aq edhe të shëmtuar, aq më tepër për dikë që ha bukën shqiptare. Nëse serbit i vrasin sytë ngjyrat kuqezi dhe nuk i pëlqen buka, atëherë bën mirë ta kërkojë fatin apo karrierën diku tjetër. Kronika e ndeshjes vijoi me Morinën që nga pika e bardhë e la Cakoviç në tokë për golin e 1-0 por rezultati për tifozët fierakë por edhe ata të Tiranës kishte kaluar në plan të dytë, për shkak të veprimit të portierit të Apolonisë dhe Mërgjyshi me të drejtë e nxori nga fusha duke futur në fushë të riun Endrit Cako në minutën e 28, ndoshta këto janë hapat e fundit të Cakoviç në futbollin shqiptar. Pothuajse në të njëjtën kohë la fushën edhe Mario Morina të cilit shqetësimi fizik ia bëri të pamundur vazhdimin me Maganin që futi në vend të tij Ndikumanën. Pavarësisht superioritetit numerik Tirana po haste vështirësi për të gjetur golin e sigursë. Në të 46 Muzaka doli i vetëm edhe me Cakon por pa mundur ta kalonte, dhe në pjesën e dytë në minutën e 54 Magani vendosi të fustë në lojë Sefën në vend të Kahatës. Rrjedha e ngjarjeve e kishte kthyer ndeshjen në një mal të lartë për Apoloninë që gjithsesi rezistoi e madje rrezikoi edhe të barazonte në minutën e 68 kur Uzuni doli i vetëm me portierin por në vend të golit gjeti shtyllën. Ishte një sinjal i qartë për Tiranën që kërkoi më me ngulm golin që mbyllte llogaritë. Në minutën e 77 Ndikumana provoi ta gjente nga larg por Cako ishte gati për të devijuar goditjen potente të afrikanit. Vetëm 2 minuta më vonë në të 79 Gentian Muça shënoi golin e 2-0. Goditje e Hyshmerit me Cakon që nuk mundi të kontrollonte topin dhe Muça ishte aty i gatshëm për ta çuar në rrjetë ishte goli i sigurisë. Për t’u shënuar në fund edhe traversa e Ndikumanës por edhe 2-0 për Tiranën mjafton për të dhuruar pak qetësi që kishte munguar që nga disfata në derbi.

 

 Mata: Ndeshja më e mirë për Junajtidin

Huan Mata është shprehur tejet i kënaqur me paraqitjen e tij në ndeshjen kundër Liverpulit. Mesfushori i Mançester Junajtidit shënoi dy gola në triumfin prej 2-1 dhe këtë takim e ka etiketuar si më të mirin me fanellën e “djajve të kuq”. “Mendoj se ishte ndeshja më e mirë. Për shkak të rivalitetit, ishte një ndeshje e madhe. Në historinë e futbollit anglez, është ndoshta dueli më i madh. Të vish këtu, të fitosh dhe të shënosh dy gola, është një ditë e pabesueshme për mua”, – ka deklaruar spanjolli.

 

 Mynshengladbah surprizon Bajernin, e mund përsëri

Borusia Mynshengladbah i ka shkaktuar humbjen e dytë sezonale Bajernit të Mynihut duke e mposhtur në “Allianz Arena” me rezultat 2-0. Vetëm një rast e patën mysafirët në pjesën e parë dhe pikërisht atë e konvertuan në gol. Herrmann pasoi te Rafael, i cili dërgoi një goditje drejt portës, ndërsa Nojer gaboi duke mos arritur ta ndalë. Në gjysmën parë, bavarezët mbetën pa Arjen Robenin, i cili u desh ta lëshonte fushën për shkak të lëndimit. Tomas Myler zuri vendin e tij. Përkundër shanseve të vendasve, ishin sërish mysafirët ata që shënuan në pjesën e dytë. Kramer krijoi hapësirë dhe asistoi te Rafael, i cili e mposhti për të dytën herë Nojerin. Mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, e shijoi nga minuta e parë këtë triumf. Bajern Mynih nuk rrezikon asgjë për titull, meqë ka dhjetë pikë diferencë me përcjellësin e parë, Volfsburg. Nga ana tjetër, Borusia Mynshengladbah pozicionohet në vend të tretë me dy pikë më shumë se Bajer Leverkuseni që është në pozitën e katërt në tabelë.

 

 Fitorja e njëzetë e Çelsit në Premier Ligë

Ka ardhur fitorja e njëzet e Çelsit në Premier Ligë. Në javën e 29-të, të zgjedhurit e Hoze Murinjos mposhtën Hull Sitin në “Kingston Communications Stadium” me rezultat 3-2. Mysafirët patën një fillim të mrekullueshëm të ndeshjes duke realizuar dy gola të shpejtë, mirëpo vendasit u kthyen për ta barazuar rezultatin para se të shkonin në pushim. Eden Hazard mori një top nga Kosta dhe bëri gjithçka vet duke krijuar hapësirë dhe duke e dërguar topin në rrjet. Të njëjtën gjë e bëri edhe Diego Kosta, i cili pranoi një top nga Fabregas në anën e majtë, depërtoi dhe e futi topin në portë. Por, Hulli u kthye në lojë me anë të Ahmed el Mohamadit. Robertson kaloi disa lojtarë dhe harkoi për mrekulli në zonë, ku e priti egjiptiani për të shënuar. Menjëherë pas, falë një gabimi të pafalshëm të Kurtuasë, Abel Hernandez e barazoi rezultatin (28’). Të dyja skuadrat patën shanse në pjesën e dytë, ndërsa ishin Blutë ata që rikthyen avantazhin. Dy minuta pasi hyri në lojë, Loik Remy u shndërrua në protagonist. Uillian ishte asistues. Me këtë fitore Çelsi shton në gjashtë pikë diferencën kundrejt Mançester Sitit, ndërkohë që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.

 

Xherrard: Faji im për humbjen

Mesfushori i Liverpulit, Stiven Xherard, ka marrë përgjegjësinë e plotë për humbjen e skuadrës së tij nga Mançester Junajtid në “Anfield” (1-2). Anglezi u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë në vend të Adam Lalanas, mirëpo luajti vetëm 38 sekonda dhe u përjashtua me karton të kuq. “Më duhet ta pranoj, vendimi (i gjyqtarit) ishte i drejtë. Sot i zhgënjeva bashkëlojtarët dhe menaxherin dhe më e rëndësishmja i zhgënjeva tifozët, prandaj e marr përgjegjësinë për veprimet e mia. U kërkoj falje të gjithëve në dhomat e zhveshjes dhe të gjithë tifozëve, sepse unë e marrë gjithë përgjegjësinë për rezultatin e sotëm”, – ka deklaruar Xherard pas ndeshjes.

 

Juventusi mendon për Vitselin

Mesfushori francez Pol Pogba është gjithnjë e më larg Juventusit, ndërsa skuadra italiane synon ta zëvendësojë atë me belgun Aksel Vitsel. Pogba po kërkohet nga shumë skuadra të mëdha evropiane si Barcelona, Real Madridi, Xherrard e Paris Sent Zhermeni dhe sipas gjitha gjasave ai pritet të largohet në fund të sezonit nga Juventus. Ndërkohë kampioni italian ka filluar kontaktet me agjentin e mesfushorit belg Aksel Vitsel, dhe pritet të dalin me ofertë zyrtare për Zenitin. Vitsel ka kontratë deri në vitin 2018 me skuadrën ruse por dëshira e tij është që të luaj në njërin nga kampionatet e forta evropiane dhe për këtë pritet të lirohet nga Zenit. Për t’i fituar shërbimet e belgut, Juventus po bënë gati rreth 30 milionë euro që ta transferojnë ish-anëtarin e Benfikës.

 

 Pele: Mesi, më i mirë se Ronaldo

Legjenda braziliane e futbollit, Pele, thotë se sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, është lojtari më i mirë në botë në dhjetë vjetët e fundit. Pele, që konsiderohet si një ndër futbollistët më të mirë në histori së bashku me Diego Maradonën, thotë se edhe Kristiano Ronaldo është i mirë, megjithatë Mesi është i pakrahasueshëm. “Momentalisht njerëzit gjithmonë duan të krahasojnë Ronaldon me Mesin, por është stil i ndryshëm i lojës. Ata të dy janë lojtarë të mrekullueshëm, por në dhjetë vjetët e fundit Mesi ishte më i miri në botë”, – ka thënë Pele.

 

 Mustafi kërkohet nga Junajtidi

Shkodran Mustafi është ndër futbollistët shqiptar më në formë këtë edicion. Mbrojtësi nga Gostivari i cili është shpallur kampion bote me Gjermaninë, po shkëlqen me fanellën e Valencias dhe kjo ka bërë që ai të kërkohet nga shumë skuadra. Së fundmi në garë për shërbimet e qendërmbrojtësit ka hyrë edhe gjiganti anglez Mançester Junajtid. Sipas medieve angleze dhe atyre spanjolle Junajtid në ndeshjen e fundit mes Elçes dhe Valencias ka pasur agjentët e tyre në stadium për ta parë nga afër Mustafin por edhe mbrojtësin tjetër të Valencias Nikolas Otamendi. Otamendi vlerësohet rreth 35 milionë euro, ndërsa vlera e Mustafit është rreth 18 milionë.

 

 Juventusi fiton ndaj Xhenoas, më afër kreut

Javët po kalojnë dhe Juventusi po i afrohet gjithnjë e më shumë titullit të radhës në Serinë A. Bardhezinjtë mposhtën këtë javë Xhenoan me rezultat 1-0. Vizitorët bënë paraqitje të mirë në gjysmën e parë të lojës, mirëpo ishin vendasit ata që shënuan. Karlos Tevez mori një top nga Perejra, depërtoi në zonë duke kaluar dy mbrojtës dhe në fund e mposhti portierin me një gol fantastik. Bardhezinjtë patën shumë raste në pjesën e dytë për ta mbyllur me kohë takimin, porse nuk i shfrytëzuan shanset e tyre. Tevez madje dështoi të shënonte nga pika e bardhë, kur Perejra nxori një penalti. Sidoqoftë, vendasit e mbrojtën rezultatin deri në fund të ndeshjes duke arkëtuar pikë të plota. Aktualisht, Juventusi është 17 pikë përpara Romës që këtë javë luan kundër Çezenës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency