Në grupin e PD-së/ PD nis dekriminalizimin, gati propozimet: Ja si do t’i heqim deputetët kriminelë nga Kuvendi

0
113

Gëzim Saliu

Grupi-PD PD do të mbështesë kërkesën e Prokurorisë për dy deputetët Doshi e Frroku: Protesta deri në fund për largimin e Metës

Partia Demokratike ka vendosur që të paraqesë amendamentet për dekriminalizimin e Parlamentit dhe administratës publike. Pas ngritjes së komisionit të posaçëm dhe nisjes së punës prej tij me dy mbledhje ende në fazën fillestare, PD dhe aleatët e saj diskutuan dje në mbledhjen e grupit parlamentar amendimet dhe propozimet e opozitës për dekriminalizimin i cili do të synojë përjashtimi nga Parlamenti të personave me rekorde kriminale. Mësohet se amendimet e demokratëve arritën në fazën finale pas diskutimeve me juristët të brendshëm të selisë blu si edhe ekspertët e jashtëm. Burime pranë PD-së bënë të ditur se amendimet do të prekin zgjedhjet vendore të 21 qershorit, ku do të kërkohet verifikim i dëshmisë penale së çdo kandidati përpara garimit të tij. Po ashtu mësohet se opozita do të kërkojë të preket edhe kushtetuta, pasi propozimet e saj prekin edhe disa nene të ligjit themeltar të vendit.

 

Basha

Në një prononcim pas mbledhjes së grupit të PD-së, kryedemokrati Basha tha se në këtë takim së bashku me aleatët u vendos që javën e ardhshme në kuadër të dekriminalizimit të bëhen publike propozimet dhe amendamentet kushtetuese dhe ligjore të opozitës. Përmes tyre sipas Bashës do të synohet përjashtimi nga Parlamenti i Shqipërisë dhe nga çdo zyrë tjetër publike, të zgjedhur apo emëruar të personave me rekorde të tmerrshme kriminale. “Pas një pune voluminoze të ekspertëve më të mirë të PD, ne jemi gati të ecim me platformën tonë të dekriminalizimit dhe në këtë kuadër bashkë me qytetarët shqiptarë kërkojmë angazhimin e plotë të deputetëve të shumicës. Bashkëpunimin e tyre në kuadër të marrëveshjes, qoftë kjo edhe kundër urdhrave politik të krerëve të tyre. Pra, dekriminalizimin e plotë të parlamentit përmes amendamenteve ligjore, brenda kohës më të shkurtër të mundshme të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit ose përballjen e qytetarëve shqiptare në sheshet e protestës popullore. Ky është vendimi i grupit parlamentar dhe në funksion të këtij vendimi duke filluar nga nesër do të fillojë hapat për të institucionalizuar amendamentet për përjashtimin nga Kuvendi të personave me rekorde të tmerrshme kriminale”, – tha ai. Po ashtu, Basha iu kthye edhe dy amendamenteve të 20 qershorit, atë te çmimit të energjisë elektrike dhe çmimit të naftës. “Do të kërkojmë brenda afatit kushtetues dhe ligjor edhe shqyrtimin pa vonesë të dy amendamenteve tona të 20 janarit. Për uljen e çmimit të energjisë dhe çmimin e naftës përmes heqjes së TVSH të energjisë elektrike dhe eliminimin e taksës për naftën. Për këto nuk ka kompromis. Ka një ultimatum dhe një afat për mazhorancën”.

 

Çështja “Doshi”

Një tjetër diskutim i rëndësishëm i mbledhjes së grupit të PD-së që nis rreth orës 18:00 të pasdites dhe u mbyll më 19:30 ishin edhe zhvillimet e çështjes “Doshi”. Burime pranë selisë blu bën të ditur për gazetën se PD do të votojë pro sot në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Nga ana tjetër duke theksuar se pa dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit hetimi nuk mund të jetë i pavarur, grupi i PD vendosi dje të vazhdojë protestat për largimin e Ilir Metës nga posti i tij.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency