Analiza/ Sa përfitojnë 588 mijë pensionistët

0
132

pensionistët“Numri i pensioneve të reja është 39.072 pensione nga 36.055 që janë caktuar në vitin 2013. Janë caktuar 14.5% pensionet e reja të pleqërisë më shumë se 2013 dhe një ulje prej 8.2% për pensionet e invaliditetit dhe 7.3% më pak pensione familjare”

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka zhvilluar analizën vjetore ditën e djeshme, ku dolën të dhënat se sa kanë përfituar të moshuarit. Sipas drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2014 ishin planifikuar të siguroheshin si të vetëpunësuar në bujqësi 121,611 kontribuues dhe janë siguruar 127,728 kontribuues ose 105% me 6,117 kontribuues më shumë se planifikimi. Në krahasim me vitin 2013 janë siguruar 63,454 kontribuues më shumë dhe DRSSH-të më të mira përsa i përket numrit të kontribuuesve të të vetëpunësuarve në bujqësi duke e dyfishuar atë në raport me vitin 2013 janë Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier me 12,456 kontribuues më shumë; Korçë me 7,867 kontribuues më shumë; Elbasan me 6,826 kontribuues më shumë; Tiranë me 6,783 kontribuues më shumë. Gjatë vitit 2014 u futën në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi 48,121 fermerë të rinj, ku të gjithë Drejtoritë Rajonale kanë bërë një punë të mirë dhe veçojmë këtu Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Fier, Tiranë, Korçë dhe Elbasan që kanë futur në skemë respektivisht 8,073; 6,764; 6,420 dhe 4,977 kontribuues të rinj. Edhe numri i të siguruarve vullnetarë është realizuar 114% me 1,032 kontribuues më shumë se planifikimi. Influencën në rritjen e numrit të kontribuuesve në skemën e sigurimit vullnetar e dhanë Drejtoritë Rajonale e Sigurimeve Shoqërore: Tiranë me 416 kontribuues më shumë; Durrës me 122 kontribuues më shumë; Fier me 114 kontribuues më shumë. Gjatë vitit 2004 u realizuan menjëherë të gjitha procedurat administrative të rritjes së pensioneve, si dhe pagesave për mbi 598 mijë përfitues nga data 1.8.2014, si dhe në favor të pensionistëve, me një efekt financiar prej 998 milionë lekësh, si dhe realizua në një kohë rekord e gjithë procedura administrative e dhënies së shpërblimeve për vitin e ri, për afër 600 mijë përfitues, me një efekt financiar rreth 1,296 milionë lekë. Numri i pensioneve të reja është 39.072 pensione nga 36.055 që janë caktuar në vitin 2013. Janë caktuar 14.5% pensionet e reja të pleqërisë më shumë se 2013 dhe një ulje prej 8.2% për pensionet e invaliditetit dhe 7.3% më pak pensione familjare. Tendenca e rritjes së numrit të pensioneve të pleqërisë ndodh si rezultat i faktorëve demografikë dhe puna nga degët e përfitimeve ka qenë më e madhe. Krahas caktimeve të pensioneve të reja janë rishqyrtuar të gjitha pensionet e invaliditetit, familjar, pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensioneve suplementare shtetërore, duke përballuar një punë goxha të madhe dhe voluminoze.

 

Veliaj

Gjatë vitit 2014, skema e sigurimeve shoqërore u shëndosh me afro 100 milionë dollarë, falë punës me ndërgjegjësimin për pagesën e detyrimeve të prapambetura, por edhe efekteve që solli reforma e re të pensioneve, e cila hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti. Këto të dhëna i bëri të ditura dje Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, gjatë analizës së punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2014. “Kostoja e buxhetit të shtetit për të subvencionuar pensionet ka qenë 450 milionë dollarë, ndërsa falë reformës kemi patur një rritje të të ardhurave nga sigurimet me afro 100 milionë dollar. Çka do të thotë, më pak subvencion nga shteti dhe më shumë para për shkolla, për kopshte dhe rrugë”, – tha ministri Veliaj. Ai konfirmoi se në 2014, falë ndërgjegjësimit të bërë nga qeveria për zbatimin e ligjit, u bë e mundur që në regjistrat e ISSH-së të kishte një rritje me 93.392 persona më shumë të deklaruar si të punësuar dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore.  “Askush nuk është naiv që të thotë se këto janë të gjitha vende të reja pune. Disa janë vende të reja pune, të tjerat janë vende pune që janë zbardhur nga puna në të zezë”, – shtoi z. Veliaj. Heqjen e tavanit të pensionit deri në 240 mijë lekë, ministri Veliaj e cilësoi si një nga arritjet më të mëdha të reformës në pensione. “Ndaj viti 2014 do të mbahet mend si viti i suksesit për pensionet sepse bëri të mundur që falë skemës së re të kemi një rritje të pensioneve me mbi 340 mijë lekë ose deri në 40 për qind më shumë”, – tha Veliaj. Si një tjetër arritje ai listoi edhe reformën për uljen e moshës së pensioneve për minatorët dhe rritjen e moshës për funksionarët e lartë. “Menduam se duhej bërë një rokadë: minatorëve t’u ulet mosha e daljes në pension nga 60 vjeç në 55 dhe funksionarët e lartë të shkojnë nga 55 në 60 vjeç. Ndaj është mirë që këto dy skema kompensojnë njera tjetrën”, – shtoi ministri. Por, pavarësisht arritjeve të vitit 2014, ministri Veliaj kërkoi më shumë përkushtim gjatë 2015-ës. Ministri Veliaj vuri në dukje si dy sfida të tjera në fushën e pensioneve edhe dixhitalizimin e sistemit të sigurimeve, duke përfshirë skanimin e të gjitha dosjeve të kontributeve për çdo qytetar, por edhe pajisjen e agjencive me mjete që bëjnë të mundur kontrollin online të gjendjes së llogarisë online për çdo qytetar. Ai bëri të ditur se do të vijojë edhe modernizimi i ambienteve të zyrave rajonale të ISSH-së, duke ndjekur shembullin e zyrave të punës.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency