Racë e nënshtruar!

0
101

Artan Fuga

Artan FUGAUnë nuk e di fare raportin mes rektorit të Universitetit të Durrësit dhe dekanit të një nga fakulteteve të tij.

Asnjë sekondë nuk e paragjykoj ose e mbroj rektorin e atij Universiteti. I di vetë punët e tij ai. Nëse është në rregull, bravo i qoftë; nëse ka gabime, të japë llogari ku duhet një më një.

Nuk ka se çfarë më duhet.

Nuk e sheh, aty më rri mendja mua, të di e dëgjoj, të lexoj nëpër gazeta se çfarë ndodh në korridoret, bodrumet a WC-të e Universitetit në fjalë!

Unë di një gjë tjetër, më të përgjithshme, pa asnjë lidhje me rastin konkret, dhe pa e personalizuar me asnjë emër, e di si bukën që ha dhe po e them ta dëgjojë kush të dojë, ta shajë kush të dojë, ta botojë kush të dojë.

Një vartës, një qytetar, një pedagog, një student, të cilit i shkelin me këmbë të drejtat e veta, të drejta që janë fituar nga të tjerët dhe ia kanë dhënë dhuratë, janë arritur me luftë e mundim, me vuajtje, të vrarë, emigruar, persekutuar, nën presion të përditshëm dhe ai nuk di ta përdorë dhuratën që i ka rënë nga qielli, nuk bën zë, nënshtrohet, përulet, qurravitet, nuk flet në një memecllëk të pajustifikuar, pshurret në brekë, bëhet servil, ka frikë si fëmija ujkun e përrallave që nuk ekziston realisht, që s’ka guxim t’i thotë ndal arbitraritetit, kryeneçësisë, interesave të ulëta egoiste të kujtdo qoftë, që i thotë derrit dajë nga frika e ariut dhe e shan dajën, duke e quajtur derr i gënjyer nga dhelpra, që pret të vejë ministria, kisha, spitali, urgjenca, psikiatri, mami, babi, gjyshi, i forti i lagjes, deputeti, gjoja ta çlirojnë nga poshtërimi që ai vetë e pranon, duke i dhënë mundësi dikujt të bëjë show mediatik, krejtësisht naiv, që pranon fatin e vet sikur Zoti t’ia ketë taksur, që sheh se i marrin përditë nëpër këmbë të drejtat e tij dhe e trajtojnë si budalla,

në këtë rast unë i them atij ose asaj:

Mirë ta kanë bërë racë e nënshtruar,

të sillen sikurse u sillesh,

mos u jargavit nëpër media e media sociale duke u ankuar, por lëviz dhe merri të drejtat e tua qytetare,

Zotin ta kanë luajtur ata që të kanë poshtëruar për një krodhe bukë dhe një copë karrige,

burrë a grua i parritur,

rajà, si je ashtu ta vendosin festen,

pak të kanë bërë kur nuk mbron të drejtat e tua,

nuk i duhesh as dreqit,

kërkon që të mbrojë tjetri, duke u bërë alibi paternalizmi që s’ka të bëjë as me shtetin ligjor dhe as me demokracinë,

si, mund të presësh nga ty të mbrosh studentët, universitetin, kombin, vendin tënd kur ti moj grua, mor burrë, mor djalë e moj vajzë, nuk mbron as të drejtat e tua që t’i kanë falur ata që ndofta nuk janë më në jetë, sepse janë sakrifikuar për ty!

Një qytetar sipas këtij modeli unë e përbuz.

Kushdo qoftë, burrë a grua, prind a gjysh, motër a vëlla, koleg a komshi.

As i flas, as e përshëndes, as pi kafe me të, lëre pastaj ta ndihmoj duke i dalë zot.

Shkoftë në dreq!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency