Mjeku anglez që mahniti italianët… me futboll

0
220

Xhejms Riçardson SpensliI lindur në Angli, Spensli ishte shumë i dhënë pas sportit, edhe pse në bibliotekë mbante dy diploma në mjekësi. Xhejms Riçardson Spensli ishte personi që shkroi fjalët e para të futbollit në Itali. Fatlume ishte Xhenova, një qytet bregdetar, ku ai u caktua të punonte. Në kryeqendrën ligure, anglezi tregoi tërë madhështinë e vet. Në 1896, mbërriti në Xhenova anglezi që është pak ta cilësosh si “babai” i futbollit të Ligurias dhe tërë Italisë. Personi në fjalë ishte njëri prej tre anglosaksonëve që bënë shumë për sportin më popullor në Gadishullin Apenin. Po flasim për Xhejms Spenslin, që së bashku me Adolf Xhourdanin (i vendosur në Torino ishte organizator i kampionateve të para italiana) dhe Herbert Kilpinin (sapo erdhi në Milano ngriti Milanin, skuadër për të cilën luajti disa vite) ishin “kumbarët” e kësaj loje.

 

Kirurg, korrespondent… dhe filantrop

Xhejms Riçardson Spensli lindi në Stok Njuington më 17 maj të 1867-ës. Ai ishte i djali një pastori evangjelist. Xhejmsi i shtyrë nga familja u diplomua në mjekësi dhe kirurgji. Në 1891-shin punoi disa muaj në “London Hospital” me profesor Dounin (zbuluesin e sindromës, së cilës i dha dhe emrin e vet). Më pas ai u zhvendos në Sandërlend aty ky u punësua në një shoqëri sigurimesh të mjeteve të ujit. Në 1896-ën, Spensli u dërgua në Xhenova për të asistuar marinarët anglezë të anijeve që transportonin qymyr. Ashtu siç shkruanin shumë në atë kohë, Spensli ishte si një nga personazhet e Rudiard Kiplingut (poet anglez). Ai ishte shumë i kulturuar (njihte gjuhën indiane, greqishten antike dhe hieroglifet egjiptiane), studionte fetë orientale (mbi të gjitha budizmin) si dhe punonte si korrespondent për “Daily Mail”. Por përpos tërë këtyre aktiviteteve që kryente, ai u njoh edhe si një filantrop i pakursyer. Gjatë kohës që kaloi në qytetin e Xhenovas, ai u mor shumë me edukimin e fëmijëve që ishin brraktisur nga prindërit. Ky episod do të kujtohej më vonë edhe nga komisari teknik i Italisë që u shpall kampione bote (’34 dhe ’38), Vitorio Poco. Një ditë teksa po merrte pak ajër në qytetin e vjetër të Xhenovas, ai pa teksa dy fëmijë po grindeshin me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre kishte vënë përfund tjetrin dhe nuk e lëshoi duke e goditur

me grushte. Në atë çast ndërhyri Spensli që i ndau dy të rinjtë dhe “ndëshkoi fituesin duke i thënë: “Never hit a man ëhen he is doën!” (“Mos godit kurrë një njeri kur është përdhe!”). Më pas ai i kërkoi Pocos që ta përkthente.

 

Detyra e re

Kompania për të cilën punonte, i kishte rezervuar një apartament në hotel “Union” në Kampeto (në mes të qytetit antik). Aty ai kalonte një pjesë të mirë të kohës mes qindra librave dhe objekteve ekzotike. Ai gjithashtu studionte misterin e jetës dhe të qenieve njerëzore në tokë. Madje, për teosofinë ai mbajti edhe një konferencë në Universitetin Popullor më 1907. Përveç librave ai kishte edhe një tjetër pasion. Spensli ishte i pasionuar pas sportit. Ai kishte shumë qejf boksin (ishte arbitër) dhe futbollin (sport për të cilin e praktikonte në vendin ku kishte lindur). Spensli ishte i gjatë dhe mbante gjithmonë një kapele. Në fushë preferonte që të luante në mbrojtje dhe në portë. Ardhja e tij në Itali ishte fondamentale për seksionin e futbollit të “Genoa cricket and athletic club” (shoqëri sportive e kolonisë britanike; u formua tre vjet para se të mbërrinte në Itali Spensli). Anëtarët e këtij grupit ishin aristokratë dhe praktikonin më shumë lojën e kriketit. Në asamblenë e 10 prillit të 1897-ës ai ia doli që të miratonte një mocion të tijin që do t’u lejonte italianëve që të bëheshin ortakë në këtë klub (në fillim u lejuan vetëm 50 ortakë italianë, më pas ra dhe ky limit).

 

Hapat e parë

Spensli, që u zgjodh edhe kapiteni i skuadrës së futbollit, filloi që të organizonte Xhenovan si një shoqëri futbolli. Duke parë se fusha e Sampierdarenas (port në Xhenova) ishte e pamjaftueshme, ai gjeti një tjetër vend. Pranë lumit Bisanjo në Ponte Karrenga ai mori pistën e shpejtësisë të shoqërisë gjimnastike “Kolombo” dhe e ktheu në një fushë futbolli. Aktiviteti futbollistik u intensifikua edhe më shumë: në edicionin 1897-98 nisi zyrtarisht edhe futbolli i luajtur në Itali. Më 1 nëntor në Torino (në të njëjtën ditë u formua edhe Juventusi) u mbajt një turne midis katër skuadrave (International Fbc, Football club torinese dhe Società ginnastica di Torino). Por fatkeqësisht Xhenova nuk mundi të luante, pasi sfida u shty nga e diela në të hënë, kështu ligurët u zëvendësuan nga ekipi i dytë i Ginnastica-s. Po e njëjta skemë u përsërit edhe në maj. Kësaj radhe gjithçka vlente më shumë, pasi u nda edhe titulli i parë kombëtar. Në janar dhe në mars u zhvilluan edhe dy takime mes Xhenovas dhe një skuadre të formuar nga më të mirët e ekipeve International Fbc dhe Torinese Fbc, mbaruan në barazim (0-1 përfundoi në Xhenova dhe po 0-1 u mbyll gjithçka edhe në Torino). Ndërsa Spensli me shokë do të bënin më mirë përballë Unione Sportiva në Aleksandri (0-2) dhe përballë Ligurias të Sampierdarenës (4-2). Anglezi në këto ndeshje luajti si qendërmbrojtës. Po të njëjtin rol mbajti edhe më 8 maj 1898 në Torino me rastin e kampionatit të parë. Takimi deçiziv i atij turneu (u luajt pasdite, ndërsa eliminatoret u mbajtën në mëngjes) u fitua nga Xhenova që mundi pas kohëve shtesë 2-1 ekipin International Fbc. Anglo-xhenoanët zbritën në fushë me Baird, Spensli, De Galeani, Giglioti, Pasteur, Giglione, Le Pelei, Bertolo, Daples, Bociardo, Liver (autor i golit deçiziv). 12 muaj më vonë (pasi luajtën paraeliminatoret kundër Liguria Fbc) Xhenova mundi sërish (me Spenslin që kësaj radhe luajti mbrojtës i majtë) International Fbc në finalen që u zhvillua pikërisht në Xhenova me rezultatin e thellë 3-1. Një javë pasi morën trofeun e dytë, Spensli zuri vend në qendrën e mbrojtjes së skuadrës së Italisë që në atë kohë u përball me një ekipi të përbërë nga lojtarë të huaj: në “Velodromo Umberto I” të Torinos skuadra helvete fitoi ndeshjen 2-1. Që prej atij takimi Spensli luajti vetëm në portë. Në kampionatin e tretë ata fituan edhe titullin e tretë. Kësaj radhe mundën “Società ginnastica sampierdarenese” (pësuan disfatë të rëndë në eliminatore duke u mundur 7-0) dhe Fbc Torinese (që ndërkohë ishte bashkuar me skuadrën International) në finalen 22 prillit të 1900. Edhe në këtë sfidë Xhenova fitoi përsëri 3-1. Më 1901 Xhenova “u njoh” me shijen e humbjes për herë të parë. Kampionët e Italisë (në atë turne që si asnjëherë tjetër mbanin veshur fanella kuqeblu) u dorëzuan për herë të parë përballë Milanit në finalen që u mbajt në Ponte Karrega (0-3). Por djemtë e Spenslit, si për të mos i lënë gjë mangut “mentorit” të tyre, arritën që të hakmerreshin një vit më pas ku po në Ponte Karrega mundën Milanin 2-0. I njëjti skenar u pa edhe në 1903 e 1904. Këto dy kampionate ata i morën përballë Juventusit. Gjithmonë në 1904-ën të rinjtë e skuadrës rezervë së stërvitur nga Spensli fituan edhe kampionatin e parë të skuadrave të dyta.

 

Propozimet dhe kupa

Në 1905 ishte pikërisht mjeku anglez ai që i propozoi Federatës që finalja të luhej me dy takime dhe jo me një. Një tjetër kërkesë ishte dhe ajo që do të detyronte kampionen në fuqi që të merrte pjesë edhe në eliminatore. Më pas ai dha idenë e kupës që u gdhend nga skulptori i famshëm D’Albertis (trofeu mori emrin e Spenslit). Ajo kupë u fitua tri herë nga Milani. Në 1906 – Spensli ishte rreth të dyzetave – la futbollin si lojtar, por nuk u largua nga fushat pasi u bë arbitër. Në 1910 ai u rikthye në Xhenova, pasi qëndroi për pak kohë në Angli (ku u njoh edhe me Baden-Pouellin). Në atë kohë Spensli formoi edhe seksionin italian të bojskautëve.

 

Fundi tragjik… në vijën e parë

Në vjeshtën e 1913-ës ai u bë pjesë e skuadrës së Xhenovas për të zhvilluar dy miqësore: njëra pa përballë kuqebluve një ekip të formuar nga lojtarët e huaj ndërsa takimin e dytë Xhenova e zhvilloi përballë një skuadre të përbërë nga lojtarë italianë. Ato do të ishin edhe dy takimet e fundit, pasi shpërtheu edhe Lufta e Parë Botërore. Në këtë betejë ai nuk u tërhoq dhe shkoi në luftë si mjek. Aty u kap rob dhe u dërgua në një fortesë në Majnc të Gjermanisë. Aty anglezi vdiq më 10 nëntor 1915, pas plagëve që kishte marrë. Fortesa e Majncit u shkatërrua gjatë Luftës së Dytë Botërore pas bombardimeve të aleteve, kështu u mendua se eshtrat e mjekut të famshëm kishin humbur. Në atë kohë gazeta “Il Secolo XIX” bëri publik një lajm ku thuhej se Spensli kishte humbur jetën në Turqi. Nga ky lajm u vonuan për më shumë se 90 vite kërkimet për eshtrat e anglezit. Gjithsesi, pas disa muajsh kërkimet e udhëhequra nga Franko Saveli dhanë frytet e veta pasi në gusht të 1993-shit u zbulua edhe varri i Spenslit. Rreth 100 vite nga krijimi i Xhenovas, në varrezat e ushtarëve britanikë të Niederzvehrenit, pranë Kaselit në Gjermani, dy tifozë të Xhenovas (Franko Saveli që ishte skaut i CNGEI dhe Mario Rixho skaut i AGESCI) gjetën edhe vendin ku prehej trupi i “babait” të futbollit italian.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency