Arrestimi/ Vrasjet me pagesë, në pranga i katërti i bandës së Tafilit

0
154

Admir TafiliDëshmia e Kristi Pines, arrestuar në fillim të shkurtit pas shpërthimeve me tritol në kryeqytet, çoi policinë drejt emrit të anëtarit të katërt të grupit të vrasësve me pagesë

Policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një 22-vjeçar, akuzuar si pjesëtar i grupit të vrasësve me pagesë, që dyshohet se drejtoheshin nga i dënuari me burgim të përjetshëm Admir Tafili. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, bëhet me dije se në pranga ka rënë shtetasi Dhimitër Zito, 22 vjeç. Ndalimi dhe më pas arrestimi i tij u bë sapo ka zbritur në aeroportin e Rinasit, ndërsa konfirmohet se ishte shpallur në kërkim që prej gati një muaji. Burimet e policisë pohojnë se Zito sapo ishte futur në aeroportin e Rinasit dhe efektivët, të cilët emrin e tij e kishin të skeduar, i kanë vënë menjëherë prangat. Zito rezulton të jetë autori kryesor i vrasjes së mbetur në tentativë ndaj kushërinjve Andi e Edmond Çakmashi, ngjarje kjo e ndodhur në Shkozë të Tiranës. Si pjesë të kësaj bande, policia e Tiranës ka arrestuar dhe Alfred Qefaliajn dhe Kristi Pinen dhe ka shpallur në kërkim Adrian Uzunin. Zito akuzohet se së bashku me Qefaliajn, Uzunin dhe Pinen janë autor të tentativës së vrasjes ndaj kushërinjëve Çakmashit, por po ashtu ata hetohen dhe për një sërë veprash të tjera penale disa prej tyre të rrëfyera nga i penduari Pine. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi do t’i kalojnë Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78-25-22 dhe 278/4 të Kodit Penal. Policia e Tiranës është duke punuar për arrestimin e shtetasit Adrian Uzuni të shpallur në kërkim.

 

Identifikimi

22-vjeçari Dhimitër Zito u fut në listën e personave të shpallur në kërkim pas arrestimit të Kristi Pines dhe Alfred Qefalisë në 10 dhe 11 shkurt të këtij viti, pikërisht pas shpërthimeve që ndodhën në kryeqytet. Policia mori në pyetje Pinen, i cili sip stë dhënave ishte i pari që rrëfeu se si funksiononte grupi i vrasjeve me pagesë që sipas tij drejtohej nga Admir Tafili që ndodhet i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Fillimisht Kristi Pine dhe Qefalia u akuzuan se ishin urdhëruar nga Tafili për të vendosur tritolin në biznesin e familjes së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Por pas hetimeve të gjatë dhe të zgjeruara rezultoi se Pine dhe Qefalia ishin të përfshirë në krime të tjera. Pine nxori emrin e Qefalisë dhe të Zitos i cili u vu dje në pranga sapo mbërriti në aeroport. Ndërsa në kërkim është shpallur dhe shtetasi Adrian Uzuni. Prokuroria e Krimeve të Rënda është duke hetuar për disa ngjarje për të cilat dyshohet se janë kryer nga katër anëtarët e kësaj bande, që sipas dyshimeve të para rezulton se urdhërat i merrnin nga burgu, pikërisht nga Admir Tafili.

 

Atentatet e kryera nga grupi kriminal

  1. Vrasjes me armë zjarri të shtetasit I. M., ngjarje e ndodhur me datë 25.6.2014 në qytetin e Shkodrës në vendin e quajtur “Shtëpia e Mushkonjës”.
  2. Vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit E. Ç., ngjarje e ndodhur më datë 5.9.2014 në qytetin e Tiranës në lagjen Shkozë.
  3. Vrasjeve të mbetura në tentativë me vendosje lëndë eksplozive të shtetasve A. C., J. C., dhe A. SH., ngjarje e ndodhur më datë 26.2.2014, në rrugën “Budi”, Tiranë, ku si pasojë e shpërthimit mbetën të plagosur rëndë shtetasit e mësipërm si dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
  4. Vrasjes së mbetur në tentativë për shkak të cilësive të veçanta me vendosje lëndë eksplozive në automjetin e shtetasit A. S., drejtor i Burgut Fushë-Krujë.
  5. Marrje porosi me 25 mijë euro, për vrasjen e shtetasit L. M., ngjarje e ndodhur më datë 18.11.2014, në qytetin e Durrësit.
  6. Marrje porosi me 50 mijë euro, për vrasjen e dy biznesmenëve në qytetin e Pogradecit.(ngjarje e parealizuar).
  7. Marrje porosi me 20 mijë euro, për vrasjen e hasmit të shtetasit Aleksandër Gora, me inicial A. V., (ngjarje e parealizuar).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency