Shpërthimet/ “Bombë për shtetin”, dy alarme false brenda dy orëve në kryeqytet

0
117

bomba tek petro niniAlarmi i parë tek shkolla “Musine Kokalari” dhe alarmi i dytë pak minuta më vonë tek shkolla “Petro Nini”. Policia e kryeqytetit në alarm nga pakot e rreme dhe mesazhet

Kryeqyteti ka rënë pre e alarmeve të rreme për vendosje bombe në çdo rrugë e ndërtesë të mundshme. Dita e djeshme brenda një harku kohor të shkurtër shënoi dy alarme të rreme për bombë. Ndërkohë në njërin prej tyre, pikërisht atë të vendosur në shkollën “Petro Nini”, që ishte alarmi i rremë, ishte shoqëruar dhe me një mesazh kundër shtetit ku thuhej “Bombë për shtetin”. Dy alarme për bombë pranë dy shkollave në kryeqytet kanë alarmuar paraditen e djeshme Policinë e Tiranës në dy orare të ndryshme. Burime zyrtare nga policia e Tiranës kanë bërë me dije se të dyja alarmet për bombë rezultuan false, por ndërkohë është bërë shqetësuese fushata e alarmeve për bomba e ndërmarrë ditët e fundit në Tiranë. Brenda dy orëve, uniformat blu të kryeqytetit kanë bërë me dije se janë njoftuar për dy bomba pranë dy shkollave të ndryshme të kryeqytetit. Por pavarësisht se kohët e fundit të gjitha alarmet kanë dalë të rreme, policia e kryeqytetit duket se është në këmbë për të verifikuar dhe identifikuar autorët e mundshëm. Për këtë qëllim po punohet duke këqyrur kamerat e sigurisë të shkollave apo bizneseve afër tyre.

 

Vendndodhja

Alarmi i parë mësohet se është dhënë rreth orës 8:30 të mëngjesit, në zonën e Kombinatit në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari”. Ndërsa alarmi i dytë për bombë është dhënë orës 10:45 në rrugën “Sami Frashëri”, para shkollës “Petro Nini”, ku u gjet një çantë e dyshimtë me mbishkrimin “Bombë për shtetin”. Menjëherë pas marrjes së këtyre dy njoftimeve, forcat antieksploziv të policisë shkuan në vendngjarje dhe rrethuan zonën, ku pas shpërthimit të komanduar në shkollën e mesme “Petro Nini Luarasi”, brenda në çantë u gjet mbishkrimi, “bombë për shtetin”, teksa në shkollën 9-vjeçare në kombinat nuk u ndoq i njëjti standard, duke e larguar pakon e dyshimtë me dorë nga efektivet e policisë. Sakaq, Policia e Tiranës dyshon se shënimi i gjetur brenda në çantë të jetë lënë nga një nxënës 15-vjeçar i shkollës së mesme “Petro Nini”, teksa gjeti një numër celulari që dyshohet se i përket nxënësit në fjalë, të identifikuar dhe të shpallur në kërkim nga policia. Në të dyja rastet policia është njoftuar në sallën operative nga kalimtarë të rastit. Fenomeni i alarmeve për bombë është një trend i kohëve të fundit e sidomos për nxënësit e shkollave, duke iu referuar rasteve të përsëritura së fundi dhe ashtu sikurse në alarmet e mëparshme, gjithçka rezultoi false. Vlen të theksohet fakti, se edhe në rastet e tjera të alarmeve për bombë, sinjali i parë është dhënë nga qytetarë të cilët kanë telefonuar numrin 129.

 

 Korçë, sekuestrohen 8.5 kg kanabis sativa, pranga poseduesit

Policia e Korçës ka bërë të mundur sekuestrimin e rreth 8.5 kilogramë lëndë narkotike të llojit kanabis sativa gjatë ditës së djeshme, ndërsa ka vënë në pranga edhe poseduesin e saj. Burime zyrtare nga Policia e Korçës kanë bërë me dije se në pranga ka rënë Niko Polloçi, 41 vjeç, ndërsa arrestimi i tij është bërë në kuadër të finalizimit me sukses të operacionit të koduar “Mbrëmja”. Në kuadër të këtij operacioni në lagjen 2, në Korçë, në një banesë është kapur një sasi prej 8 kilogramë e 552.8 gramë lëndë narkotike kanabis sativa. Po ashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 41-vjeçarit, policia ka sekuestruar edhe një automjet tip “Mercedes-Benz” si dhe një aparat celular. Materialet në ngarkim i kaluan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndës narkotike”. Ndërsa policia bën me dije se vijojnë hetimet për këtë person për zbulimin e më shumë të dhënave që e implikojnë 41-vjeçarin në veprën për të cilën akuzohet.

 

Arrestohet 31-vjeçari i kërkuar në Itali për trafik kokaine

Policia e Tiranës ka vënë në pranga gjatë mbrëmjes të së martës një 31-vjeçar, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të autoriteteve italiane. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se në pranga ka rëndë Amarild Tola, 31 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa arrestimi i tij mësohet se është bërë i mundur mbrëmjen e së martës. Sipas policisë, Tola është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos në Itali ka lëshuar në ngarkim të tij urdhrin e arrestit për veprën penale të “Pjesëmarrje në organizatat kriminale me objekt trafikimin e drogës të llojit kokainë”. Por, prej disa kohësh, 31-vjeçari ka mundur të qëndrojë i lirë, ndërsa është vënë në pranga vetëm nga ana e autoriteteve të vendit tonë mbrëmjen e së martës në llogari të drejtësisë italiane, të cilët e kanë shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar. Policia e Tiranës bën me dije se 31-vjeçari pritet që të ekstradohet drejt Italisë për t’u përballur me akuzën ndaj tij.

 

Shkodër, zbulohet një serë me kanabis

 Nis sërish aksioni i policisë për zbulimin e zonave të mbjella me lëndë narkotike. Policia e Shkodrës ka zbuluar në fshatin Mazrek, Gur i Zi, një serë të vogël me përmasa 1.2 dhe 2.4 metra dhe me lartësi 35 centimetra, ku ndodheshin të kultivuar 1.068 kubikë të mbjella me bimë hashashi me një lartësi 5 deri në 7 centimetër. Burime zyrtarë nga Policia e Shkodrës kanë bërë me dije se pas rritjes në serë, rrënjët e hashashit do të vendoseshin në parcela për t’u zhvilluar më tepër. Kjo zonë vitin e kaluar mësohet se ishte një nga zonat më problematike për kultivimin e hashashit, në të cilën gjatë muajve të verës u ndërmor një aksion nga Policia e Shtetit. Uniformat blu të Policisë së Shkodrës bëjnë me dije se materialet lidhur me këtë çështje iu referuar Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa nuk kanë bërë të ditur identitetin e personit që kishte në pronësi parcelën ku ishte e ndërtuar sera ku brenda saj ndodheshin një numër i konsideruar rrënjës lënde narkotike.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency