Kërkesa/ Vrasja e kryekomisarit Lamaj, Prokurori: Burg përjetë Arben Frrokut

0
133

Vrasja e kryekomisarit Lamaj,Zbardhet e plotë skena e vrasjes, dëshmitë e dhëna me dyer të mbyllura në sallën e gjyqit dhe fakti se Arben Frroku ka qëlluar me breshëri kundër Lamajt për shkak të detyrës

 Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi nga Gjykata të deklarojë fajtor dhe të dënojë me burgim të përjetshëm të pandehurin Arben Frroku për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në datën 24 shkurt 2013 në afërsi të shkollës “Vasil Shanto”. Pas një maratone të gjatë gjyqësore dhe grumbullimit të provave, të cilat në të gjitha rastet janë kundërshtuar nga i pandehuri i vetëm në këtë proces, Arben Frroku, Prokuroria duket se i ka dalë që në 26 faqe konkluzione të rendisë faktet kryesore dhe bindëse sipas saj. Dëshmitari i vetëm i këtij procesi, këqyrja e vendit të ngjarjes, verifikimi i tabulateve telefonike, eksperimenti i rrugës Tiranë-Kapshticë janë provat që, sipas Prokurorisë, bëjnë fajtor të pandehurin Frroku. Ajo deklaroi dje se Frroku e ka vrarë Lamajn, për shkak të detyrës, pasi prej disa kohësh para se të ndodhte ngjarja ata kanë qenë në një konflikt gjyqësor, i cili mbeti i pazbardhur. Prokuroria shprehet se Frroku nuk ka qenë i vetëm në këtë ngjarje. Në makinën e përdorur për të kryer ekyekutimin e Dritan Lamajt kanë qenë dhe dy persona të tjerë të maskuar. Ndërkohë që është vërtetuar si nga dëshmitë dhe nga aktet e ekeprtimit se nga makina është qëlluar me dy armë automatike dhe të shkëputura. Por akuya shprehet se deri në këto momente nuk ka arritur të vërtetoi emrat e dy personave të tjerë që kanë marrë pjesë në vrasje, duke kërkuar dënimin e përjetshëm të Arben Frrokut.

 

Ngjarja

Nga gjykimi në tërësi i kësaj çështje penale ka rezultuar e provuar se: Në datë në datën 24.02.2013 rreth orës 18:25, në rrugën “Ibrahim Dervishi”, blloku i banesave “Vasil Shanto” Tiranë, është qëlluar me armë automatike, brenda në mjetin e tij, tip Lancia me targa TR 2564 N, shtetasi Dritan Lamaj, me detyrë Specialsit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. I dëmtuari është transportuar nga personat e pranishëm për në Spitalin e Traumës (Ish Spitalin Ushtarak), ku më pas ka ndërruar jetë. Nga hetimet ka rezultuar se viktima është ndjekur nga autorët nga të cilët njëri prej tyre ishte i pandehuri Arben Frroku, në drejtim të një mjeti tip BMW, ngjyrë gri, me targa DR 1944 F. Në momentin që viktima Dritan Lamaj po parkonte mjetin tip Lancia me targa TR 2564 N, është qëlluar me breshëri nga brenda mjetit tip BMW. I pandehuri së bashku me bashkëpunëtorët e tij të paidentifikuar më pas është larguar nga vendngjarja. Menjëherë nga ana e policisë gjyqësore është vajtur në vendngjarje duke proceduar me këqyrjen ku janë gjetur dhe sekuestruar 3 gëzhoja automatiku model 56 dhe 1 trup predhe, të cilat dërguar për ekspertim. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka marrë 12 plagë arme zjarri me drejtim qitje nga prapa-para, goditje të cilat i kanë shkaktuar vdekjen. Natën e datës 25.02.2015 duke u gdhirë data 26.02.2013 në vendin e quajtur rruga e Dorbës në fshatin Domje, është gjetur i djegur pjesërisht nga brenda një automjetit tip BMW pa targa në të cilën janë gjetur 5(pesë) gjezhoja automatiku mod.56, kal.7.62 mm. Mjeti i cili më pas u verifikua se kishte pasur targa DR 1944 F, rezultonte se i është vjedhur në datë 23.02.2013, ora 19.00 shtetasit Fatmir Lila në qytetin Durrësit. Ka rezultuar e provuar se viktima Dritan Lamaj ka ushtruar disa funksione në Policinë e Shtetit, ku në vitin 2012 ka qenë në detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr.6, Tiranë.

 

Konflikti me Frrokun

Nga hetimet ka rezultuar se viktima ka pasur një konflikt serioz me të pandehurin Arben Froku, i cili ka një biznes në zonën që mbulon ky Komisariat. Konflikti ka filluar në muajin mars të vitit 2012. Ky konflikt është acaruar më shumë në muajin shtator, kur shtetasi Arben Frroku është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.6 dhe ka mbetur ende i pazgjidhur. Sipas mekanizimit të akuzës, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes me një mjet tjetër të paidentifikuar dhe me pas ka hipur në mjetin e tij tip Mercedes GL me targa AA 008 DC, i cili ishte nisur paraprakisht nga zyrat e kompanisë së të pandehurit AML në drejtim të Kapshticës dhe rreth orës 21:27` ka kaluar pikën e kalimit Kufitar Kapshticë për në Greqi.Me rëndësi është për tu theksuar gjetja në bagazhin e mjetit të dosjeve me dokumenta të ndryshëm, një telefon Nokia disa karta telefoni dhe një USB tip Apacer. Sipas aktit të ekspertimit teknik-kompjuterik datë 06.09.2013 lidhur me USB tip Apacer, janë nxjerrë pamjet filmike të ruajtura në këtë USB, pamje që kanë të bëjnë me konferencën për shtyp të bërë nga i pandehuri, shtetasi Edmond Vlashaj dhe tjerë persona kundër viktimës Dritan Lamaj si Shefi i Komistariatit të Policisë nr.6, Tiranë.

 

Dëshmia e Kuliçajt dhe Vocit para gjykatës

 Dëshmitë e dëshmitarëve Agron Kuliçaj e Tonin Vocaj bërë në gjykatë janë në mbështetje të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka. Dëshmitari Agron Kuliçaj në dëshminë e bërë në gjykatë më datë 03.12.2014 ndër të tjera është shprehur: “…Kam pasur detyrën e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit në Sektorin e Krimeve të Rënda. Unë në dt.24.02.2013 kam qenë duke u kthyer nga një varrim bashkë me Muhamet Rrumbullaku dhe Nikolin Bala dhe rreth orës gjashtë, plus, minus dhjetë minuta, në hyrje të autostradës së Tiranës kam marrë informacion nga salla operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë se është plagosur me breshëri armësh komisari Dritan Lamaj, në afërsi të Tiranës së Re. Mbas 10 minutash salla operative më ka njoftuar përsëri dhe më tha që ka ndërruar jetë komisari Dritan Lamaj. Kam folur me Tonin Vocaj, e kam vënë në dijeni pasi ai ishte funksionari përkatës dhe i kam thënë të lidhej me Bujar Hoxhën në atë kohë shef në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe shkoni dhe vihuni në dispozicion të Drejtorisë së Tiranës dhe bashkë me Drejtorin e Tiranës njofto Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ndiq veprimet hetimore. Gjatë rrugës, menjëherë kam komunikuar me drejtuesit e Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe zotin Vocaj dhe jemi takuar tek vendi i ngjarjes. Më pas kam marrë një telefonatë nga punonjësi i gardës së Republikës me emrin Ylli Memia dhe më thotë që ku do të takoj pasi një person që është këtu me mua ka dijeni për ngjarjen. Unë në atë kohë kam pasur dy numra telefoni, njëri numri i punës dhe një tjetër. Kam marrë zotin Vocaj dhe na ka lënë takimin tek bulevardi “Bajram Curri”, afër KESH-it, në një ambient privat. Aty kemi shkuar, kemi marrë takim me këtë person dhe me personin tjetër që nuk e njihja dhe aty e kam parë për herë të parë. Jemi ulur, kemi biseduar me atë person dhe ai na ka shpjeguar, na ka dhënë detaje, fillimisht për mjetin që ka parë. Na tha që kam qenë në vendngjarje, kam qenë 5 metra larg nga vendi i ngjarjes në një pozicion të dukshëm dhe ishte i tronditur për të komunikuar. Fillimisht na dha detajet e mjetit që ishte tip BMW dhe targën. E pyetëm për personin nëse ishte dhe në ç`farë rrethanash arriti ta identifikonte me një shikim jo 100%. Fillimisht na dha këto të dhëna dhe tha do mendohem. Unë u ktheva, e takova dhe aty ai na tha që unë e kam parë, e kam identifikuar dhe ky person që ishte tek mjeti BMW nga ku është gjuajtur me armë zjarri është Arben Frroku.I thashë në ç`farë rrethanash ke arritur ta identifikosh dhe kush është marrëdhënia jote me këtë person dhe më tha që kam pasur njohje me vëllain e tij Mark Frroku dhe me anë të kësaj njohje njoh edhe këtë person. Jam kthyer në Drejtorinë e Policisë Tiranë ku kam vënë në dijeni drejtorin e Përgjithshëm, drejtuesin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, një rreth shumë i ngushtë, për takimin që kisha bërë dhe i`u kam sugjeruar që përderisa është vrarë një drejtues i lartë i policisë së shtetit dhe për të qenë të paanshëm për të marrë një deklarim sa më të plotë, është mirë që ky person të pyetet nga një grup prokurorësh dhe policia të mënjanohet nga ky veprim për shkak të rëndësisë së personit që ishte dhe mesa di unë është pyetur nga një grup prokurorësh dhe ka dhënë deklarime dhe dëshmi. Kuptohet si nga ne dhe nga ana e prokurorëve i janë premtuar të gjitha të drejtat që ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve i jep, për një ngjarje siç ishte ajo. Pastaj policia e Tiranës, grupi hetimor, ka bërë shpalljen e kërkimit policor mbi bazën e të dhënave të para. Është kërkuar nga prokurori urdhër ndalimi dhe mbi bazën e këtyre veprimeve është bërë shpallja e kërkimit policor dhe urdhëri i ndalimit i lëshuar nga prokurori dhe është thënë që ky person që ndodhet jashtë territorit të Shqipërisë të ndalohet dhe të pyetet për ato rrethana dhe fakte që ishin grumbulluar nga kjo ngjarje.Shtetasi Ylli Memia është nga Tropoja. Unë e njoh si bashkëqytetar. Nuk kam marrëdhënie të ngushta me të, thjesht marrëdhënie njohje. Ka qenë punonjës në Gardën e Republikës dhe unë për shkak të pozicionit të punës që kisha, isha më i njohur, por unë nuk e kam pasur numrin e tij të telefonit. Vendi ku jemi takuar ishte një ambient privat afër vendit të ngjarjes. Shtëpi….”. të njëtën dëshmi ka dhënë dhe Tonin Vocaj.

 

Dëshmitari/ Arben Ndoka, dëshmitari i mbrojtur: Dritan Lamajn e vrau Arben Frroku

 Nuk kam asnjë lidhje me Arbenin, njoh vëllain e tij Markun. Arben Frroku qëlloi mbi Lamajn me breshëri. Për ngjarjen kam folur me Tonin Vocin dhe Agron Kuliçajn

 Arben Ndoka i identifikuar me emrin e tij të vërtëtë Fatmir Vladi ka hedhur dritë mbi vrasjen e Lamajt. Është i vetmi person që ka treguar me detaje çfarë ndodhi. Ka qenë vetëm pak metra larg makinës nga ku u qëllua me breshëri. Ka marrë përsipër rriskun duke kërkuar mbrojtje nga shteti. Për herë të parë Prokuroria e Krimeve të Rënda bënë publik dëshmin ëe dhënë në një seancë me dyer të mbyllura nga dëhsmitari i mbrojtur. Dëshmi kjo që është përforcuar nga bashkëshortja e tij.

 

Dëshmia e plotë

“…Më datë 24.02.2013 rreth orës gjashtë pa pak, kam qënë në shtëpi bashkë me fëmijëtt e mi dhe për punë pesë minutash kanë ikur dritat pa dalë nga shtëpia. Kanë ndejt 5 – 6 minuta pa ardhur dritat. Në momentin që kanë ardhur dritat, unë bashkë me bashkëshorten time kemi zbritur shkallët e pallatit ku banoj me të dhe rreth 5 – 6 minuta kur kam dalë përballë me supermarketin e “Korçarit” isha duke ecur me nusen dhe në atë moment kemi dëgjuar 4 – 5 krisma të shkëputuara. Në atë moment pa bërë as 2 – 3 sekonda ka vazhduar edhe një breshëri automatike më e gjatë derisa u mbarua komplet karikatori, aq e gjatë ka qenë. Kam parë një makinë të parkuar ku nga aty dilnin dhe flakët e zjarrit. Në atë moment flakët e zjarrit kanë dalë nga krahu i shoferit, pasi makinën e kisha përballë, në krah të djathtë timin, pra plumbat mund të më kishin godit edhe mua, por kanë ikur në krah të djathtë timin. E kam dalluar nga cili krah kanë dalë plumbat e armës së zjarrit. Aty sa kanë ndodhur krismat e armës, unë e largova nusen nga rruga dhe e lashë të mbështetur në një makinë aty dhe kur ka ardhur kjo makina aty pikë plumbi dhe mirë që s`më mori edhe mua zvarrë dhe shkoi u takua me trotuarin e rrugës, tek i cili, i`ua kam shpjeguar edhe në vendngjarje oficerëve të policisë gjyqësore dhe prokurorëve, se kanë qenë deri vonë shenjat e gomës së makinës në vendngjarje. Aty nga dritat e mëdha kam dalluar tre persona në makinë, ku dy persona kanë qënë të maskuar një në vend të parë dhe një mbrapa. Personi tjetër që ka qënë i pamaskuar, me maskën e ngritur, ka qënë në timon zotëria që bëhet fjalë Arben Frroku. Në atë moment nga shpejtësia e madhe kam nxjerrë telefonin dhe më së pari kam shënuar targën e makinës. Makinën e ndoqa me sy deri në fund të rrugicës, e cila mori kthesën djathtas në rrugën e Selitës që vjen me ra nga lagjia e gabelëve. Aty kam marrë nusen, e kam çuar nusen në shtëpi ngaqë ishte shumë e trembur nga krismat e armës, se një fishekzjarr të bjerë trembet njeriu, e çova në shtëpi dhe zbrita përsëri tek një kafe aty përballë pallatit tim.

 

Telefonata me punonjësin e Gardës

Aty thirra një punonjës të Gardës së Republikës ngaqë e kisha shok dhe e kisha të njohur dhe e thirra se s`kisha numër tjetër kë të thirrja dhe biseduam rreth ngjarjes dhe i tregova komplet skemën. I thashë se dua me thirr një njeri të besueshëm të shtetit t`i japë rrugë kësaj pune se nuk dua të futem me probleme me njeri dhe t`i hap probleme vehtes. Nxorri telefonin ai polici i gardës dhe thirri dy oficera të lartë të policisë së shtetit. Bisedoi sa bisedoi me të në telefon dhe na tha prisni tek shtëpia e zotnisë në fjalë për mua, tek shtëpia ime. Aty pa kaluar asnjë gjysëm ore më erdhën në shtëpi Tonin Voci të cilin e njihja si drejtor se e kam pas drejtor dikur kur kam punuar në polici të shtetit dhe Agron Kuliçi. I pritëm aty siç pritet robi në shtëpi dhe biseduam rreth ngjarjes që i kisha thirrur për këtë punë. I tregova komplet targën e makinës së pari dhe numrin e personave. Kur i tregova targën e makinës, ai zoti Kuliçi u çua dhe më tha mund ta bëj një telefon në korridor dhe bëri një telefon dhe i`ua dha targën e makinës policisë së shtetit siç jepen numrat, që kjo targë ka qënë aty. Kur mbaroi telefonatën u kthye aty prapë dhe po bisedonim. Unë i`u kërkova dy oficerave të lartë të policisë së shtetit, u kërkova për punën që të mos dilte emri im në asnjë vend për të kallëzuar personin që e kam njohur. Masandaj vazhdova jetën normale, i prita sipas premtimeve që më premtuan dy oficerat e lartë të shtetit. Mbas disa ditësh erdha bëra edhe marrëveshjen me zëvendës prokurorin e Krimeve të Rënda Kosta Belurin, bëra edhe marrëveshjen me Kosta Belurin dhe tani jemi këtu ku jemi. Me vendngjarjen mund të kem vetëm një pallat të ri nga shtëpia ime dhe punë 30 – 50 metrash. Pallati aty është.

 

Makina

Makina nga u qëllua kur mori kthesën që u bllokua edhe me trotuarin, pashë që ishte BMW gri me targa Durrësi, me targë DR 1944 F, që se harroj kurrë në jetën time, se desh më shtypi edhe mua. Kur u kthye makina e autorëve në trotuar që ka shkelur trotuarin dhe ka marrë kthesën majtas e kam pasur një metër e gjysëm ose e shumta dy metra. Më erdhi shumë keq kur pashë në timon një person që kisha respekt për të. Ndërsa makina që u qëllua kur shkova te vendi i ngjarjes pashë që ishte një Lancia më duket por sigurt nuk e di se ishte rrethuar me policë. Kur dola nga shtëpia para ngjarjes, kam ecur në trotuarin e krahut të pallatit, domethënë krahu i djathë i rrugës, nga pallati im e deri përballë me supermarketin e “Janit” nga Korça, përballë me supermarketin duke kaluar rrugën pa u futur në rrugë, kam qënë në trotuar pa u futur në rrugë, përballë me supermarketin e Korçarit, aty kam dëgjuar krismat e para jam shtangur dhe pashë që e kisha përballë makinën. I pandehuri Arben Frroku kishte vesh rroba të errëta. Maska ndoshta ka qenë çorape apo maskë por e ka pas të ngritur deri tek balli dhe unë i kam dalluar vetëm fytyrën e tij dhe rrobat dominonin të errëta, gri apo e zezë. Kishte diçka të zezë në kokë, ishte maskë apo kapuç nuk e di. Dy të tjerët e kishin të mbuluar fytyrën, ndërsa shoferi vetë e kishte të ngritur dhe vetëm këtij arrita t`i shoh fytyrën.

 

Fushata në 2009 për Frrokun

 Unë para ngjarjes kam njohur Arben Frrokun dhe vëllain e tij. Në vitin 2009 kam bërë me Mark Frrokun fushatë për Partinë Demokristiane në Laprakë për Nard Ndokën. Kemi bërë fushatë punë tre-katër muaj në vitin 2009, nuk e di mirë saktë sa muaj dhe çdo natë pinim kafe tek lokali i tyre në Misto Mame ku kanë një piceri. Aty e kam njohur Arben Frrokun, e kam parë me miqtë e vet, shokët e vet dhe gjithmonë më thonte Marku, vëllai im Arbeni. Unë me Arben Frrokun nuk kam pirë asnjëherë kafe në jetën time, vetëm përshëndetje ç`kemi, ç`farë bën. Dija që ishte biznesmen dhe vëllai i Mark Frrokut. Në jetën time nuk kam folur me të, vetëm përshëndetje, si jeni, mirëmëngjes, mirëmbrëma, e jo më të kem patur konflikt. Unë jam në dijeni se është biznesmen, di që kanë një hotel në autostradë, di që kanë një lokal në Misto Mame, di që kanë edhe shtëpitë në Unazë të Re, kurse për aktivitete private për ç`farë më bëtë pyetje për “Xhoi Lloto”, unë kam qënë i shkëputur në atë kohë kur është hapur “Xhoi Lloto”. Unë kam ndenjur me Mark Frrokun vetëm 3-4 muaj të fushatës. Unë në jetën time, jam 44 vjeç sot, nuk kam luajtur një mijë lek të vjetra bixhoz në jetën time.

 

Takimi me Meminë, Vocin dhe Kuliçaj

Telefonatën e kam bërë me punonjësin e gardës sa kam zbrit nga pallati, para se të ulesha në kafe. Ai ka ardhur dhe ka biseduar me mua. Në atë moment e kam parë objektin kur është qëlluar. Pa shku në shtëpi kam shkuar tek objekti që ishte qëlluar. Aty kur kam pas shku unë nuk kanë pas ardhur forcat e policisë dhe kur kam shkuar radhën e dytë kishin ardhur. Rradha e dytë ka qënë mbasi kam biseduar në telefon me punonjësin e gardës dhe ai ka biseduar me dy punonjësit e shtetit. Kemi shkuar tek vendi i ngjarjes, më pas kemi shkuar në shtëpinë time dhe u kemi treguar shtëpinë dhe ata erdhën tek shtëpia ime. Punonjësin e Gardës së Republikës e kam thirrur me numrin tim celularë. Ai e ka shtëpinë një pallat ngjitur me mua. Shansi ishte se atë ditë ishte në shtëpi. Numrin e celularit e kam pasur 068xxxxx. Ky është numri im i blerë me pasaportën time. Jam mundur të marr disa numra por nuk kisha besim në asnjë polic të thjeshtë. Mbasi kam biseduar me punonjësin e gardës dhe e dija se nuk kishte lidhje, tentova tek disa miq të lypja numrin e Erzen Breçanit me anë të disa miqve të mi që të gjeja numrin e tij. Nuk ma dha kush dhe më pas erdh ky miku i gardës dhe i`a shpjegova. Ky i thirri ata Tonin Vocin dhe Agron Kuliçin. Kur erdhën në shtëpinë time Tonin Voci dhe Agron Kuliçi e biseduam rreth ngjarjes, unë kërkova nga oficerët e policisë së shtetit shqiptar që të mos më dilte sekreti im se besova se janë shtet. Më premtuam me gjithë forcën e tyre se nuk do dalë sekreti. Natën e ngjarjes që takova drejtuesit e policies ju tregova për autorin. Kur më premtuam që do më siguronin çdo gjë se nuk do dilte sekreti, unë i`u thashë emrin dhe mbiemrin e personit që kisha njohur. E mora vesh kur shkova me punonjësin e gardës që ishte qëlluar Dritan Lame. Di që ka qënë shef komisariati në Kombinat. Në atë momentin që e thirra atë burrin e gardës. Në atë moment mbarova telefonatën me atë të gardës dhe i`a kërkova një mikut tim që punon në polici të shtetit, i`a kërkova numrin e Erzen Breçanit. Kam thirrur personin që punon në gardë dhe sa kam mbaruar telefonatën me të, kam kërkuar një mikun tim, ndërkohë personi i gardës nuk kishte ardhur dhe e pyeta atë mikun tim për numrin e Erzen Breçanit. Vetëm një personi i`a kam kërkuar numrin e tij. Ky person quhet SH.Y, punon tek burgu i Fushë – Krujës, numrin e telefonit nuk i`a mbaj mend se ka një vit e ca që ka ik në Francë. Ylli Memia dhe ka qenë punonjës në gardë. Tani nuk është në punë, por në Tiranë e keni.

 

Dëshmia e rreme për Meminë

Ylli Memia ndonëse ishte përmenduar nga dëhsmitari i mbrojtur dhe nga dy oficerët e policisë, mohoi ngjarjen në Gjykatë. Për këtë qëllim ndaj tij është ngritur dhë një kallëyim penal. Ky dëshmitar është kallëzuar për veprën penale të “Dëshmisë së rreme”, të parashikuar nga neni 306/1 të K.Penal dhe aktet në ngarkim të tij kanë kaluar për gjykim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Prokuroria thotë se tabulatet telefonike, të cilat jo vetëm konfirmojnë faktin se dëshmitari i mbrojtur Arben Ndoka ka qenë në vendin e ngjarjes, natën e ngjarjes më datë 24.02.2013, por ka komunikuar edhe me dëshmitarin Ylli Memia dhe ky i fundit duke qenë në vendin e ngjarjes ka komunikuar me dëshmitarin Agron Kuliçaj. Përgjigje e ardhur nga kompania celulare “AMC”, datë 19.02.2014,. Në bazë të kësaj përgjigjie rezulton se numri i celularit 068 xxxxx, në përdorim të dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka natën e ngjarjes ka kryer komunikime në zonën që mbulohet nga antenat e kompanisë “AMC” që janë “KRISTAL A” dhe “IRFAN TOMINI”, antena të cilat mbulojnë zonën ku ka ndodhur vrasja e viktimës Dritan Lamaj.

 

Prova në pallton e Frrokut

-Në bazë të aktit të ekspertimit kimik faktor plotësues të qitjes datë 27.03.2013 rezulton se në pallton objekt ekspertimi u evidentua prania e nitriteve e nitrateve që janë të pranishme edhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes. Pra në pallton që kishte veshur i pandehuri Arben Frroku natën e ngjarjes u evidentua prania e nitriteve e nitrateve që janë të pranishme edhe tek mbeturinat e faktorëve plotësues të qitjes. Nga pyetja e ekspertit Ndoc Çardaku, me cilësinë e dëshmitarit në seancë gjyqësore u rikonfirmua ky konkluzion, por u shtua dhe argumenti tjetër se krahas qitjes me armë zjarri këto mbetje mund të lihen edhe nga fishekzjarret, etj. Kjo pallto, para se të dërgohet për ekzaminim pranë Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë, i është sekuestruar në kufirin Shqiptaro-Grek në Kapshticë djalit të të pandehurit Arben Frroku, dëshmitarit Grand Frroku, i cili po e sillte më datë 01.03.2013, nga Greqia së bashku me makinën tip “Mercedes Benz” me targa AA 008 DC. Pas takimit me të pandehurin Arben Frroku në Selanik, ai ka marrë prej tij rrobat si dhe autoveturën me qëllim kthimin e tyre në Shqipëri. Nga Selaniku në Kapshticë makina e tyre shoqërohej nga policia greke dhe në Kapshticë ata janë shoqëruar nga policia shqiptare. Ky fakt krahas procesverbalit të sekuestrimit është konfirmuar edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve A.G, Grand Frroku dhe I.D. Siç doli gjatë gjykimit, i pandehuri Arben Frroku kishte të veshur një pallto burrash të tipit “Kashmir”, me mbishkrimin “Amadues”, me ngjyrë të zezë.

 

Eksperimenti nga Tirana në Kapshticë

Së fundi, ajo që vlen për tu përmendur është dhe prova e marrë gjatë gjykimit, kur në datë 25.02.2015, është kryer në zbatim të vendimit të ndërmjetëm të gjykates eksperimenti hetimor, me itinerarin duke u nisur nga pika “A”, vendi i nisjes që është vendi i ngjarjes dhe pika “B” vendi i mbërritjes që është Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë. Ky veprim është kryer në prani të përfaqësuesve të palëve në këtë gjykim të cilët kanë nënshkruar dhe procesverbalin përkatës. Megjithë faktin se kjo provë u kundërshtua nga ana e akuzës për një sërë faktorësh që e bënin këtë veprim të panevojshëm, rezultatin e këtij veprimi vlen ta përmendim jo për rregullsitë apo parregullsitë e këtij veprimi, por atë çka sjell në këtë gjykim ky rezultat.Fakti se në kushtet kur distanca e përshkruar nga mjeti ekspertimental, mjeti i përfaqësuesve të gjykatës, mbrojtjes dhe mjeti prokurorisë me pak më shumë vonesë, është përshkruar në një afat kohor më të vogël se koha nga ndodhja e ngjarjes deri në momentin e daljes së të pandehurit Arben Frroku në Republikën e Shqipërisë, tregon se koha ka qenë plotësisht e mjaftueshme që një drejtues mjeti me aftësi dhe më të zhvilluara ta kryejë distancën për një kohë dhe më të shkurtër.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency