Takimet në Berlin/ Basha: Të vendosur për dekriminalizimin, qeveria pengon hetimin e çështjes “Doshi”

0
103

basha ne berlinKryedemokrati takim me shefin e kabinetit të Merkelit si edhe këshilltarin për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në qeverinë gjermane

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvilloi dje një vizitë në Berlin, ku gjatë takimeve me zyrtarët e lartë të qeverisë gjermane theksoi domosdoshmërinë e dekriminalizimit të politikës dhe administratës. Në takimet me shefin e Kabinetit të Kancelares Merkel dhe ministër Federal për Çështje të Veçanta, z. Peter Altmaier, si dhe me dr. Christoph Heusgen, këshilltar për Politiken e Jashtme dhe Sigurinë i Kancelares gjermane, Basha ndau shqetësimin e thellë mbarëpopullor për situatën e rëndë të kriminalizimit të politikës, Parlamentit dhe niveleve më të larta të administratës shqiptare. Sipas kryedemokratit, kjo situatë kulmoi me akuzën e bërë ndaj Kryetarit të Parlamentit për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, akuzë që ka ardhur nga brenda mazhorancës. Në këtë kontekst, Basha i njohu dy zyrtarët e lartë të qeverisë gjermane me përpjekjet që po bëhen nga pushteti për të penguar hetimin e për të fshehur të vërtetën mbi çështjen më të mprehtë të 25 viteve të fundit. “Kërkesa e opozitës dhe e mbarë qytetarëve është dorëheqja e Kryetarit të Kuvendit nga posti i tij për t’i hapur rrugën një hetimi të drejtë e të plotë, të painfluencuar nga pushteti”, – u shpreh kreu i opozitës.

 

Takimi

Në takimet e tij, Basha i njohu zyrtarët e lartë gjermanë me faktet që, sipas tij, kanë tronditur opinionin publik, të përfshirjes së zyrtarëve më të lartë në fshehjen e ngjarjes dhe në manipulimin e procesit hetimor përmes presioneve të vazhdueshme ndaj Prokurorisë, dekonspirimin e dëshmive dhe kapjen e dëshmitarëve kyç nga qeveria. Por mbi gjithë këtë ngjarje, kryedemokrati shprehu “angazhimin e opozitës për ta çuar deri në fund dekriminalizimin e politikës dhe për ta çliruar vendin nga sundimi i krimit në pushtet”. Prej dy ditësh, PD në bazë të vendimit të marrë pas mbledhjes së aktivit të saj ka nisur protestat e përditshme, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta. Edhe ditën e djeshme, si paradite ashtu edhe pasdite, të rinj të mbështetur nga deputetët demokratë u mblodhën para Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar me ngulm largimin e Metës. Motoja kryesore e kësaj proteste ishte: “Meta ik!” Ndërkaq, në bazë të vendimit të marrë në qytete të ndryshme të vendit do të zhvillohen protesta duke synuar dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta. Kështu, më 21 mars, në Durrës qytetarët do të protestojnë tek Rruga Tregtare e ndërsa edhe në qytete të tjera mendohet të ndiqet i njëjti skenar.

 

Zëdhënësi i partisë së Merkelit/ Akuzat ndaj Metës, Kiesewetter: Të mendohet mundësia e lënies përkohësisht vakant të postit

Zëdhënësi i CDU/CSU në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut, Roderich Kiesewetter, deklaroi dje se për çështjen “Doshi” mund të mendohet edhe lënia e përkohshme e postit vakant nga Kryetari i Kuvendit, Meta, derisa të mbyllet hetimi. Në një intervistë për “DW”, deputeti gjerman bëri të qartë: “Zgjidhjen duhet ta gjejë politika e brendshme e Shqipërisë”, – tha Kiesewetter. Por ai shtoi megjithatë se në raste akuzash të rënda mund të mendohet mundësia e lënies përkohësisht vakant të postit. I kujdesshëm për të mos u keqkuptuar në fjalët e tij, Kiesewetter përsëriti se “në radhë të parë është gjithmonë një çështje e politikës shqiptare për t’i zgjidhur punët e saj”. Deputeti gjerman i CDU/CSU-së, duke iu referuar bisedës me Bashën, tha: “Ai e sheh veten si shefin përgjegjës të Partisë Demokratike, i cili sigurisht që ende mbështetet te këshillimi i Berishës dhe i të tjerëve, por që vendos theksa të vet dhe që dëshiron një parti të pastër, që ka një lidhje të mirë me popullin. Basha e vë politikën e shtetit mbi politikën partiake dhe për aq kohë sa do t’i përmbahet kësaj linje, politika e tij do të jetë simpatike”. Nga ana tjetër, deputeti gjerman pohoi: “Te Partia Demokratike ekziston ende një nevojë për reforma, por këtë Basha e ka kuptuar dhe ai edhe do ta bëjë”. Po ashtu, duke iu referuar diskutimit që pati me Bashën, ai tha se kryetari i PD-së i kishte bërë të qartë se të gjithë kandidatët për Parlament dhe në nivel lokal ai do t’ia nënshtrojë një kontrolli paraprak juridik, që të verifikohet integriteti dhe të përjashtohen kriminelët.

 

 Gara për Bashkinë e Tiranës/ Anëtarësia e PD-së në kryeqytet zgjedh tre emra: Basha, Bregu e Kosova

Edhe pse procesi i përcaktimit të kandidatëve të Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale të 21 qershorit nuk është mbyllur ende, anëtarësia dhe më pas kryesitë e degëve kanë dërguar në selinë qendrore të PD-së emrat e kandidatëve që janë votuar më shumë nga brenda radhëve. Sa i përket Bashkisë së Tiranës, baza e anëtarësisë së kryeqytetit ka sugjeruar tre emrat e kandidatëve të mundshëm për zgjedhjet lokale, duke vënë në krye të listës kreun e demokratëve, Basha. Pas tij në listë vjen ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, e cila është përfolur edhe më parë si kandidate e mundshme si dhe ish-ministri i Shëndetësisë Halim Kosova. Ndonëse Kryesia e PD-së ende nuk ka formalizuar listën me kandidatët më të votuar, këtë tre emra janë të parët që dalin si rezultat i mbështetjes së anëtarësisë së degës së PD-së në kryeqytet. Nga ana e tij, kryebashkiaku aktual Basha deklaroi të enjten e kaluar në një intervistë televizive se do të shprehet shumë shpejt për vendimin e tij nëse do të garojë apo jo sërish për Bashkinë e Tiranës. Deri në fund të javës, pritet që PD të përmbyllë një sërë konsultash me aleatët e saj për të përcaktuar ndarjen e njësive administrative, ku pritet që koalicioni i djathtë të dalë me kandidatë të përbashkët. Nga ana e tyre, partitë aleate kanë paraqitur tek kryetari Basha një listë me propozimet që ata kanë për bashkitë ku pretendojnë të konkurrojnë. Të përfshira në këto negociata janë Partia Republikane e drejtuar nga Fatmir Mediu, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e kryesuar nga Dashamir Shehu dhe Partia Demokristiane e drejtuar nga Nard Ndoka. Ndërkohë, PDIU mbetet ende e papozicionuar saktë në këtë çështje, pasi deri më tani kjo forcë politike nuk ka ngurruar të flirtojë me mazhorancën, ndonëse deklaratat zyrtare kanë qenë për një parti që militon ende në opozitë. Kryetari i PDIU-së, Idrizi, i cili ka marrë mandatin për të negociuar për zgjedhjet, mësohet se ka paraqitur tek Kryeministri Rama një listë me 5 kërkesa bashkish, mes tyre Rrogozhinën, Shijakun dhe Peqinin. Por duket se Idrizi nuk do t’i ketë të lehta negociatat në raport me marrëdhënien brenda partisë, pasi të paktën një nga 5 deputetët e grupit parlamentar të PDIU-së, Dashamir Tahiri, deklaroi vetëm dy ditë më parë se ai mbetet një ligjvënës në opozitë.

 

 Gara brenda PD-së/ Dogjani sfidon Mziun për Kamzën e Paskuqanin: Thelloj rezultatin e 2013-ës

Gara brenda Partisë Demokratike mes atyre që pretendojnë të përfshihen si kandidatë për zgjedhjet vendore të 21 qershorit ka nisur prej kohësh. Përmes një deklarate publike, Asllan Dogjani shpalli kandidaturën e tij për Bashkinë e Kamzës, ku kërkoi mbështetjen e anëtarësisë në këtë garë. Duke analizuar rezultatet pozitive të arrira në zgjedhjet e 23 qershorit në Kamëz, Dogjani theksoi se duke qenë ai kandidati për këtë Bashki, shanset e fitores do të jenë më të mëdha. “Gjatë zgjedhjeve të shkuara të vitit 2013, ne punuam së bashku dhe morëm një rezultat të shkëlqyer si asnjëherë më parë, ku vetëm në Bashkinë Kamëz morëm 20989 vota, 7500 më shumë se koalicioni i PS-së. Unë kam menduar që të jap kontributin tim, duke u bërë pjesë e garës brenda Partisë Demokratike për të kandiduar për kryetar të Bashkisë Kamëz, ku tashmë në këtë Bashki përfshihet dhe Paskuqani. Për këtë do kërkoja të më propozoni nëpër seksione e grupseksione në raste se ju do ta gjykoni që jam i duhuri dhe që mund të bëj më shumë për ju dhe qytetarët e Kamzës”, – bëri thirrje Dogjani. Duke marrë parasysh se në Kamëz drejton prej shumë vitesh Bashkinë demokrati Xhelal Mziu, duket se gara e Dogjanit brenda partisë nuk do të jetë e lehtë. “Duke qenë i prirë të besoj në një proces transparent dhe demokratik ju siguroj se në raste se do zgjidhem prej jush si kandidat për kryetar Bashkie ne do të marrim votat maksimale dhe do ta thellojmë më tej rezultatin e vitit 2013”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency