Statistikat/ Prokuroria, në një vit 3140 përgjime, çështja “Santo” më shumë

0
128

ProkuroriaPërfundon raporti vjetor i punës së Prokurorisë së Përgjithshme. Dorëzohet në Kuvend. 700 çështje penale janë bërë pjesë e përgjimeve. Shumë çështje të pazbardhura

Prokuroria e Përgjithshme deklaron së për vitin 2014 në të gjitha prokuroritë e rretheve gjyqësore janë dhënë leje për 3140 përgjime, me qëllim zbardhjen e disa çështjeve të rëndësishme. Burime të Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë me dije se përgjatë vitit 2014, me autorizim të saj, është realizuar një numër i madh përgjimesh për afro 700 çështjesh penale. Përgjimet, sipas burimeve të Prokurorisë, janë kryer për zbardhjen e një sërë veprash penale dhe për parandalimin e disa veprave të tjera penale. Të gjitha detajet janë përmbledhur në një raport, i cili është dorëzuar në Kuvend. Përgjimet janë realizuar nga çdo prokurori në rrethe, ndërsa një pjesë e madhe e tyre është realizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

 

Çështja “Santo”

Në statistikat e Prokurorisë së Përgjithshme rezultojnë shumë çështje të pazbuluara. Janë dhjetëra krime të rënda që mbeten në fokusin e hetuesve dhe për të arritur zbardhjen e tyre duhet patjetër të përdoren metodat e përgjimit. Kështu një nga ngjarjet e cila vazhdon të mbetet mister për akuzën dhe për mbarë opinionin është vrasja e bankierit Artan Santo. Prokuroria ka realizuar dhjetëra përgjime për këtë çështje, por deri tani nuk ka asnjë detaj që mund të hedhë dritë. Duket se puna e Policisë dhe Prokurorisë ka çaluar në këtë drejtim. Një tjetër çështje ku është përdorur metoda e përgjimit është edhe ajo e rekrutimit të xhihadistëve për në Siri. Sipas Prokurorisë, numri i përgjimeve është rritur për shkak të shtimit të hetimeve për krimin e organizuar. Çështja e trafikut të lëndëve narkotike gjithashtu ka kërkuar lejimin e përgjimeve. Falë përgjimeve kjo çështje ka pasur më tepër rezultate. Janë vënë në pranga disa persona, ndërsa hetimet vazhdojnë për të identifikuar të tjerë të përfshirë në trafik. Një ndihmesë të madhe në shkatërrimin e rrjetit të trafikut të kokainës nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhanë autoritetet Gjermane. Por prokuroria ka renditur në raport edh enjë sërë kërkesash të cilat i ka shtruar herë pas herë pas komisionit të ligjeve. Një nga këto kërkesa lidhet me shtimin e kapaciteteve njerëzore si pasojë e shtimit të numrit të çështjeve. Por kështu kërkohet edhe një laborator kriminalistike për të kryer analizat në kohë reale. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, mungojnë aparaturat të cilat do të bëjnë të mundur kryerjen e akteve të ekspertimit në laboratorin e kriminalistikës dhe deri në këto momente ekspertizat janë kryer me ndihmën e ndërkombëtarëve.

 

Vendimi/ Tritoli ndaj familjes së ministrit, mbeten në burg të dyshuarit

Gjykata e Apelit pranë Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për 3 nga shtatë të dyshuarit si të përfshirë në atentatet terroriste me tritol ndaj biznesit të babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta dhe Emirjon Gjuta kërkuan nga Apeli ndryshimin e arrestit me burg dhe lirinë me argumentet se ata nuk kanë lidhje me këtë ngjarje, por apeli ka vendosur të lërë në fuqi vendimet e shkallës së parë. Prokuroria e Krimeve të Rënda për aktet terroriste të 10 shkurtit nxori 7 urdhër arreste, ndërsa në pranga u vunë Lumjan Matmuja, Ernest Gjuta, Emirjon Gjuta, Kamber Bruka, Erjon Dule si dhe janë shpallur në kërkim Baftjar Bruka dhe Vladimir Gjuta.

 

 Kukës, gjendet një foshnjë e pajetë, policia shoqëron një grua

Policia e Kokësit më datë 12 mars të këtij viti ka gjetur një foshnjë të porsalindur të pajetë në fshatin Manëz, pranë rezervuarit. Burime zyrtare nga Policia e Kukësit kanë bërë me dije se foshnja i përket seksit mashkull. Lajmi për gjetjen e foshnjës është konfirmuar nga burime të policisë, ndërkohë që kjo e fundit ka shoqëruar një grua të moshës 25-30 vjeçe, por nuk e ka bërë të ditur identitetin e saj. Banorët e zonës të pyetur nga policia kanë mohuar të kenë dijeni në lidhje me këtë rast ndërkohë që çështja është marrë nën gjykim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Policia bën me dije se ngjarja është mbajtur e fshehtë për arsye hetimi, ndërsa foshnja i pajetë është dërguar menjëherë për në Tiranë ku edhe po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Paraprakisht dyshohet se foshnja të jetë mbytur, ndërsa policia gjatë këtyre ditëve ka marrë në pyetje disa nga banorët e fshatit Manëz. Vendi ku u gjet trupi i pajetë i foshnjës mësohet se ndodhet shumë larg zonave të banuara, ndërsa nuk bëhet e ditur se nga cili fshat është gruaja e shoqëruar në polici

 

Kakavijë, kapen 57 klandestinë sirianë të ardhur nga Greqia

 Nuk kanë të ndalur ardhja e klandestinëve sirianë në vendin tonë me qëllimin për kalimin në vendet e Bashkimit Europian. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë me dije se gjatë orëve të vona të së hënës policia ndaloi 57 shtetas të Vendeve të Treta, kryesisht sirianë. Sipas informacioneve në Policinë e Shtetit, sirianët kishin ardhur nga Greqia drejt Shqipërisë. Personat e kapur në kushtet e flagrancës ishin klandestinë që kalonin përmes kufirit shqiptar për në vendet e Evropës. Mësohet se uniformat blu të Kakavijës kanë arritur t’i ndalojnë ata, pranë pikës doganore të Kakavijës në fshatin Glinë. Ende nuk është bërë i ditur destinacioni që kishin sirianët pas kalimit të kufirit shqiptar, por mbetet i sigurt fakti se ata do të udhëtonin në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkaq, disa ditë më parë Policia e Gjirokastrës ndaloi një numër të konsiderueshëm klandestinësh, kryesisht sirianë, mes të cilëve ndodheshin edhe dy gra.

 

 Vlorë/ Pranga dy personave, kapen me 6 kg marijuanë

 Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë lidhur me lëndën narkotike të zbuluar në qytetin e Vlorës, e cila ishte destinuar për në Itali. Gentian Guda 45 vjeç me profesion shofer pranë shoqërisë së transportit të udhëtarëve “Hermes” dhe Mario Gjyzari, 34 vjeç, banues në Vlorë, i punësuar si kontrollor i bagazheve që jepen pranë agjencisë si porosi. Arrestimi i tyre u bë pasi nga hetimet e kryera, dyshohet se janë përgjegjës të trafikimit të 5.8 kilogramë marijuane, e cila u sekuestrua ditën e djeshme. Nga ana e policisë bëhet e ditur se droga e sekuestruar ishte menduar të trafikohej në Itali. Lënda narkotike ishte e paketuar ne 34 cilindra, të cilët ishin vendosur brenda një bidoni plastik 30 kg, i cili krahas lëndës narkotike ishte mbushur me vaj ulliri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency