Vendimi/ Dënohet shoku i Xhuvanit, 6 muaj burg për shfrytëzim prostitucioni

0
137

gjyqAvokati: Eraldi, i pafajshëm, nuk duhet të dënohet për diçka që s’e ka kryer

 “Xhuvani”, Erald Sida dënohet me 6 muaj burg për prostitucion dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur

Gjykata e Tiranës dënon me 6 muaj burg Erald Sidën, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrim prostitucioni” dhe “Drejtim mjeti në gjendje të dehur”. Burime nga Gjykata bëjnë me dije se dije se i pandehuri Sida ka kërkuar që të gjykohet me gjykim të shkurtuar, duke pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria si dhe aktet që ndodheshin në dosje. Erald Sida, 24 vjeç, njihet si shoku i Kostandin Xhuvanit ditën kur ndodhi masakra në lokalin e natës “Ante Grand”, te Rruga e Elbasanit, Tiranë. Seancën e ditës së djeshme avokati i tij mbrojtës ka dorëzuar konkluzionet përfundimtare duke kërkuar pafajësinë e tij, ku sipas tij klienti i tij nuk duhet të dënohet pasi nuk ka kryer vepër penale. “Unë kërkoj pafajësi për Eraldin. Ai nuk duhet të dënohet për një vepër penale (prostitucion), pasi nuk e ka kryer atë. Ai ka pranuar t’i ketë dhënë lekë vajzës atë natë, por vetëm me dëshirën e saj pasi kishte dy fëmijë për të ushqyer”, – shprehet avokati mbrojtës i të pandehurit Erald Sida. Por, Gjykata nuk ka parë të arsyeshme pretendimet e hedhura nga avokati, duke e dënuar 24-vjeçarin me 1 vit burg, por në bazë të gjykimit të shkurtuar ai dënohet përfundimisht me 6 muaj burg. Mësohet se Gjykata e ka shpallur fajtor Sidën dhe e ka dënuar atë më 9 muaj burg (1/3 ulje dënimi) për kryerjen e veprës penale të prostitucionit, si dhe më 3 muaj (1/3 ulje dënimi) për drejtim mjeti në gjendje të dehur. 24-vjeçari Erald Sida është arrestuar mëngjesin e 4 nëntorit të vitit të kaluar, në ambientet e jashtë të lokalit të natës “Ante Grand”, teksa së bashku me Kostandin Xhuvanin dhe Alban Bllacajn po dërgonin trupin e shokut të tyre Arbër Demiraj në makinë për ta transportuar pastaj në spital. Mësohet se Sida ka shkuar në vendngjarje në kohën kur të gjitha vrasjet nga ana e shokut të tij ishin kryer. Erald Sida është kapur në flagrancë nga strukturat e policisë mëngjesin e 4 nëntori në gjendje të dehur, ndërsa është kallëzuar edhe nga një balerinë e lokalit se i riu kishte kryer marrëdhënie seksuale me të kundrejt pagesës.

 

Kallëzimi nga balerina

Erald Sida është personi i dytë që u mbajt i arrestuar për kryerjen e dy veprave penale ditën kur ndodhi vrasja e katërfishtë në lokalin e natës “Ante Grand”, nga Kostandin Xhuvani. Ky i fundit disa ditë më parë u dënua nga Gjykata e Tiranës me 35 vjet burg (1/3 e uljes së dënimit), vite të cilat do t’i duhet t’i kryejë të plota, pasi nuk përfiton asnjë lehtësim të masës së dënimit. Ndërkohë, Sida i cili duket se nuk ka lidhje me krimin e ndodhur ku mbetën të vrarë katër persona, u ndoq penalisht për shkak të denoncimit të bërë nga një prej balerinave të lokalit “Ante Grand”. 24-vjeçari ndërkohë që miqtë e tij ndodheshin në ambientet e brendshme të lokalit ka dalë për të biseduar me një prej vajzave që punonte si balerinë në lokal, të cilën më parë e kishte qerasur me pije. Sipas denoncimit të bërë në polici nga vajza, mësohet se ajo është larguar me Sidën me makinë për në kodrat e Liqenit Artificial dhe aty ai i ka ofruar para në këmbim të favoreve seksuale. Dhe sipas denoncimit të vajzës, Sida ka kryer marrëdhënie seksuale me të në këmbim të parave. Në nenit 113 të Kodin Penal dhënia e shpërblimit për përfitim personal të prostitucionit dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

 

Durrës, alarm fals për bombë në shkollën “Hysen Çela”

Një alarm për bombë në shkollën profesionale të ganasteromisë “Hysen Çela”, në Durrës, vuri në lëvizje policinë e qytetit bregdetar mëngjesin e djeshëm, ndërsa gjithçka mori fund pas 2 orës pasi alarmi rezultoi fals. Burime nga policia bënë me dije se forcat xheniere nga Tirana shkuan menjëherë në vendngjarje dhe bënë shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë e dyshuar si lëndë eksplozive. Ashtu sikurse rastet e tjera të shënuara së fundmi, alarmi i dhënë mëngjesin e djeshëm në Durrës rezultoi të ishte fals. Sinjali i parë mësohet se u dha përmes një telefonate në sallën operative të policisë rreth orës 7:00 të mëngjesit, ku u përshkrua se një pako e vogël e mbështjellë me natriban dhe me fije plastike gjendej në portën e shkollës profesionale. Frika e policisë ishte për një shpërthim të mundshëm me bombë, pasi mbi pakon e dyshimtë ndodhej një telefon celular. Në këto kushte u desh ndërhyrja e forcave xheniere të mbërritura nga Tirana, të cilat me pajisje të specializuara bënë shpërthimin e kontrolluar të pakos së dyshimtë.

 

Autobusi përplas policin, shoqërohet drejtuesi

Një aksident rrugor me pasojë plagosjen e një efektivi të policisë është shënuar dje në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në zonën e Laprakës ku një autobus i transportit publik në kryeqytet ka përplasur policin e komisariatit numër 2, Ilir Selimi, duke sjellë edhe plagosjen e tij. Mësohet se efektivi i policisë ishte në shërbim, dhe në momentin e aksidentit ka qenë jashtë automjetit të patrullës policore, kur është goditur nga autobusi i transportit publik. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë të cilat kanë shoqëruar në komisariat drejtuesin e autobusit. Ndërkohë efektivi i plagosur është dërguar me urgjencë në spital, ku pas marrjes së ndihmës mjekësore është jashtë rrezikut për jetën. Deri më tani janë ende të paqarta rrethanat e aksidentit, ndërsa vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet iu referuar Prokurorisë për vazhdime të mëtejshme procedurale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency