Debati në takimin BE-Shqipëri/ Përplasje mes PS-së, PD-së dhe eurodeputetëve. Përfaqësuesja e BE-së: E palumtur që jam në Shqipëri

0
120

Gëzim Saliu

 takimi BE-ShqiperiDebate në tryezë, Bumçi përplasje me Ballën dhe drejtuesen e Komitetit, Macovei: Flasin katër ministra dhe opozita duhet të bëjë vetëm pyetje?

Tensioni mes palëve politike në vend pas çështjes “Doshi” u përcoll dje edhe në tryezën e djeshme të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri. Në takimin e 8-të të këtij Komiteti, përfaqësuesit e PD-së kundërshtuan formatin e paraqitur, duke e cilësuar atë si qesharak dhe jodemokratik, pasi në këtë takim, sipas demokratëve, opozitës nuk iu dha koha e mjaftueshme. Ndërsa replikoi me deputetin socialist Taulant Balla, ligjvënësi i PD-së, Aldo Bumçi, iu drejtuar bashkëdrejtueses së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit BE-Shqipëri, Monica Macoveit, duke i kërkuar që përfaqësuesve të PD-së t’u lihej koha për të dhënë qëndrimin e tyre. Kjo e fundit, duke u përpjekur të ulte tonet e debatit në tryezë, tha se opozita mund të shprehte qëndrimin dhe shqetësimin e saj nëpërmjet pyetjeve drejtuar ministrave të qeverisë, gjë që nuk u pranua nga demokratët. “Nuk jam shumë e lumtur që jam në Shqipëri, jam e palumtur se shoh se pas 15 vitesh po humbisni një tjetër mundësi. Keni humbur shumë kohë”, – tha Macovei.

 

Debati

Pasi në nisje të takimit BE-Shqipëri morën fjalën me radhë katër ministrat e qeverisë, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të deputetëve të mazhorancës, opozita kundërshtoi formatin e tryezës duke e cilësuar atë si qesharak. “Për herë të parë kemi 4 ministra në këtë takim. Mendojmë se nuk është një format i duhur dhe as i balancuar. Nuk mund të vijojmë me këtë format që të bëjmë vetëm pyetje. Na lini të marrim fjalën dhe të flasim për çështjen tona”, – tha Bumçi. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu, i cili pohoi: “Jonormale që në këtë takim diskutojmë me ministrat kur duhet të diskutonin përfaqësues të Parlamentit Shqiptar dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian. Do të ishte më mirë të kishim informacion me shkrim sesa të dëgjonim ato që kemi dëgjuar prej kohësh”. Në reagimin e saj, bashkëdrejtuesja e takimit, përfaqësuesja e BE-së, Monica Macovei, tha: “Është koha për të bërë pyetje. Kemi ardhur si miq të mbështesim Shqipërinë për integrimin. Nëse keni kritika bëjini. Bëni pyetje! Ju lutem bëni çfarë doni. Ministrat janë këtu. Po u japim fjalën të gjithëve”. Ndërkohë, deputetja demokrate, Majlinda Bregu, ngriti përpara eurodeputetëve një prej shqetësimeve të kahershme të opozitës, emërimet në administratë. “Në më shumë se një vit e gjysmë premtime për reformat, asnjë nga prioritetet nuk është plotësuar. Nuk është plotësuar kriteri i kërkuar për administratën publike. Nuk është realizuar depolitizimi dhe as reformimi i administratës, pra ka pasur vetëm premtime dhe asnjë veprim”, – deklaroi Bregu. “Dështimi” i tryezës së djeshme, pritet të ndikojë edhe në takimin e 24 marsit në Tiranë në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë BE-Shqipëri.

 

Debati Bumçi-Macovei-Balla

Aldo Bumçi: Ministrat shprehën qëndrimin e tyre. Na lejoni edhe ne të vijojmë me këtë diskutim. Nuk mund të vijojmë me këtë format që të bëjmë vetëm pyetje. Na lini të marrim fjalën dhe të flasim për çështjen tona. Nëse do të vijohet me këtë format, opozita nuk do të thotë asgjë. Ne kemi kohën tonë për të paraqitur qëndrimet tona. Kjo është qesharake, mazhoranca po i bën pyetjet. Ky nuk është debati ndërparlamentar. Kjo nuk është demokraci. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në traditën e takimeve të këtij Komiteti.

Taulant Balla: Është koha për të bërë pyetje.

Monica Macovei: Është koha për të bërë pyetje. Kemi ardhur si miq të mbështesim Shqipërinë për integrimin. Nëse keni kritika bëjini. Bëni pyetje. Ju lutem bëni çfarë doni. Ministrat janë këtu. Po i japim fjalën të gjithëve.

Aldo Bumçi: Opozita dëshiron të flasë. Nuk është momenti që ministrat të tregojnë se çfarë kanë arritur. Unë kam nevojë të prezantoj qëndrimin tim. Momenti për të prezantuar arritje ka kaluar.

Monica Macovei: Është momenti i pyetjeve.

Taulant Balla: Do të kemi edhe një pyetje të fundit, pasi të tjerët nuk po e marrin fjalën. Ministrat do të përgjigjen.

Aldo Bumçi: Për herë të parë në 10 vjet kemi katër ministra që i drejtohen këtij Komiteti.

Monica Macovei: Përdoreni këtë kohë për pyetje.

Taulant Balla: Nuk ka 10 vjet, jo kur është firmosur, por kur ka hyrë në fuqi Aldo, se ke qenë edhe ministër i Jashtëm.

Aldo Bumçi: Zonja Macovei, duhet të na kuptoni, duhet të na lini edhe ne të flasim për çështjet tona.

Monica Macovei: Nuk jam shumë e lumtur që jam në Shqipëri, jam e palumtur se shoh se pas 15 vitesh po humbisni një tjetër mundësi. Keni humbur shumë kohë.

Ben Blushi: Luks i madh që kemi një opozitë që s’ka pyetje, kam unë një pyetje për ministrin e Jashtëm. Ai përdori termin aktor i tretë, ça kishit parasysh me këtë, të huaj, çfarë mund të jetë ky aktori i tretë që mund të dëmtojë BE në Shqipëri?

 

Vijimi i debatit pas largimi të ministrave

Taulant Balla: Kalojmë në pikën e katërt të axhendës.

Monica Macovei: Çdokush do të ketë 1 minutë kohë për të folur.

Aldo Bumçi: Kjo po bëhet qesharake, po arrihen nivele të paprecedenta më parë.

Monica Macovei: Duam që çdokush të ketë mundësinë për të folur.

 

 Ministrat në tryezën BE-Shqipëri sjellin debate

Në tryezën e djeshme BE-Shqipëri për herë të parë morën pjesë edhe katër ministra të qeverisë “Rama”, ai i Jashtëm, ministrja e Integrimit, ministri i Brendshëm si edhe ministri i Drejtësisë. Deklaratat e tyre si edhe përgjigjet ndaj pyetjeve të deputetëve socialistë kanë sjellë pakënaqësi të mëdha tek deputetët demokratë të pranishëm në tryezë, të cilët e cilësuan këtë modul të takimit si qesharak dhe propagandues nga ana e mazhorancës. Ndërkaq, në fjalën e saj, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, tha se janë shtuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, ndërkohë që është rritur edhe bashkëpunimi me vendet e BE-së dhe me Europolin në luftën kundër aktiviteteve të paligjshme. Pas Gjoshës fjalën e mori ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili paraqiti disa reforma të ndërmarra nga qeveria si edhe foli për Byronë Kombëtare të Hetimit, duke pohuar se detyra e saj do të jetë hetimi në sektorë të veçantë në mënyrë specifike, përfshirë këtu edhe krimin pasuror. Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Nasip Naço vuri theksin te reforma në drejtësi e ndërsa ministri i Jashtëm theksoi se Shqipëria është e fokusuar për të plotësuar pikat kyçe për hapjen e negociatave me BE-në.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency