Zbardhet marrëveshja/ Ku garon PS, LSI merr çerekun e “tortës” vendore. Emrat e 15 bashkive të partisë së Metës

0
126

Gëzim Saliu

rama pa kollare meta po PS merr qytetet e mëdha si Tirana, Durrësi, Vlora, Korça, Fieri e Elbasani. LSI merr kandidatët në Berat, Lezhë e Gjirokastër

 Rama: Do jem unë negociatori me partitë e tjera, të hapur për PDIU-në, Milon e Gjinushin

Dy forcat kryesore të koalicionit të majtë, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, mbyllën dje marrëveshjen për ndarjen e bashkive në të cilat do të kandidojnë emra të përbashkët. Pas një takimi 80-minutësh në selinë e PS-së, kryesocialisti Rama dhe kreu i LSI-së Meta bënë të ditur se forca e drejtuar nga Kryeparlamentari do të ketë kandidatët e saj në 15 bashki, nga 61 gjithsej. Në këtë ndarje, që i jep LSI-së, si forcë e dytë e koalicionit të majtë, thuajse çerekun e të gjitha njësive vendore, dy partitë do të kenë të drejtën qe të refuzojnë kandidaturat e sjella, nëse i gjykojnë emrat si të papërshtatshëm. Ndërkaq, Partia Socialiste, si forcë e parë politike në vend dhe në kryesim të koalicionit të majtë, do të ketë kandidatët e saj në bashkitë e mëdha si Tiranë, Durrësi, Elbasani, Feri apo Korça.

 

Takimi dhe marrëveshja

Kryeministri Rama mbërriti në selinë e Partisë Socialiste rreth orës 10: 45 minuta dhe pak minuta pas tij në oborrin e saj u shfaq kreu i LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit kthehej në selinë e PS thuajse pas dy vitesh, pas takimit që zhvilloi në atë kohë me kryesocialistin Rama për marrëveshjen paraelektorale mes PS dhe LSI për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Në katër javët e fundit, takimet mes kreut të qeverisë dhe Kryeparlamentarit Meta kanë qenë të shpeshta dhe në fokus të takimit ka qenë pikërisht çështja e ndarjes së kandidatëve për 61 bashkitë, ndonëse nuk është lënë pas edhe diskutimit i çështjes “Doshi”. Nisur nga këto takime të shpeshta, ai i ditës së djeshme, ku kryetarët e partive kryesore shoqëroheshin nga krerët e grupeve respektive parlamentare, Ruçi dhe Vasili si edhe nga nënkryetari i PS-së Balla, dukej më së shumti një konfirmim i atyre çështjeve të diskutuara më parë. Por pavarësisht konsensusit, zgjatja e tij për 80 minuta tregoi se palët hasën jo pak vështirës në disa pika të marrëveshjes, të cilat në fund u mbyllën me konsensus. Kështu mësohet se LSI këmbëngulte në marrjen e bashkisë së Fierit apo të Elbasanit, ndonëse nga ana e saj PS i cilësonte të dyja këto bashki së prioritare të saj. Në këto kushte LSI u detyrua të “kënaqej” me Beratin, Lezhën e Gjirokastrën si bashki të mëdha, ndonëse kandidimi në 15 njësi vendore për partinë e Metës ishte një “pazar” me jo pak përfitime. Po ashtu edhe kushti i marrëveshjes sipas së cilave emrat e propozuar nga dy partitë për kandidatët në zonat përkatëse do të duhet të marrin konsensusin e palëve përbën edhe më shumë një “kushtëzim” të LSI-së ndaj PS-së, nisur nga fakti se kjo e fundit do të ketë kandidatë në më shumë se 40 bashki. “Për bashkitë Berat, Lezhë, Gjirokastër, Kukës, Pogradec, Kuçovë, Skrapar, Vorë, Bulqizë, Cërrik, Mallakastër, Delvinë, Përrenjas, Selenicë e Kolonjë. LSI ka përgjegjësinë të përgatisë propozimet që do të konsultohen me PS dhe anasjelltas PS pasi të përmbyllim edhe formulën përfundimtare të koalicionit”, – tha Rama. Nga ana e tij Kryeparlamentari Meta theksoi: “Ne jemi gjithmonë të prirë nga konsensusi, nuk jemi të prirë nga numrat. Nuk kemi paragjykime për emra, por kemi preferenca për cilësitë e kandidateve dhe të kandidatëve”.

 

Aleatët dhe PDIU

Sa u përket tratativave me aleatët e tjerë të koalicionit të majtë si edhe partitë e tjera që do të duan të bëhen pjesë e tij, Kryeministri Rama bëri të ditur se do të jetë ai negociatori. “Unë kam marrë dhe miratimin e bashkëkryetarit të Aleancës, për të negociuar me forcat e tjera politike të përgatisim propozimet për t’i vënë në shqyrtim në tryezën e përbashkët ku do kërkojmë konsensusin e LSI-së pasi pavarësisht gjerësisë së koalicionit është një koalicion që ngrihet mbi një bosht strategjik PS-LSI”, – tha Rama. I pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me PDIU, Rama theksoi se PS dhe LSI mbetet të hapura për diskutime. “Për sa i përket marrëveshjes me partitë e tjera, ne kemi hapur diskutimet me të gjitha partitë e tjera, përveç PD-së kuptohet, dhe atyre satelitëve ballisto-republikanë që janë përfundimisht të ndarë nga rruga e historisë së re të këtij vendi dhe do të shikojmë hap pas hapi me të njëjtën logjikë. Ne nuk duam që të justifikohemi përpara asnjë komuniteti se këtë bashkinë e ka partia tjetër dhe partia tjetër ka bërë një zgjedhje për të cilën ne nuk mbajmë përgjegjësi. Jo! Përgjegjësia jonë është e përbashkët”, – tha ai. Lidhur me dy aleatët tradicionalë, kreun e PSD-së Skënder Gjinushi dhe atë të PDS-së Paskal Milo, të cilët edhe kanë bërë presion përmes mundësisë së krijimit të një poli të ri të majtë, Rama tha se mbeten të hapur për të gjithë. “Ne jemi në bisedime me të gjithë dhe sigurisht të gjithë kanë hapësirën për të kontribuuar në këtë proces pa kthim, që është procesi i modernizimit të pushtetit vendor”, – u shpreh Kryeministri.

 

Bashkitë që merr LSI, emrat e përcaktuar të kandidatëve deri tani

Berat – Gledion Rehovica

Lezhë – Viktor Tushaj

Kukës – Hasan Halili

Pogradec – Roshi Tollozhina

Gjirokastër

Kuçovë

Skrapar

Vorë

Bulqizë

Cërrik

Mallakastër

Delvinë

Përrenjas

Selenicë

Kolonjë

 

Bashkitë që merr PS, emrat e përcaktuar të kandidatëve deri tani

Tiranë – ( e papërcaktuar, ndahet mes Lindita Nikollës, Erion Veliajt, Pandeli Majkos dhe Blendi Klosit)

Vlorë – ( e papërcaktuar, ndahet mes Sadrit Danaj, Dritan Leli dhe Eltjona Hoxhës)

Durrës – Vangjush Dako

Shkodër – Keti Bazhdari

Elbasan – Qazim Sejdini

Korçë – Sotiraq Filo

Lushnjë – Fatos Tushe

Kavajë – Evis Roshi

Fier – (Salarjon Toto ose Kreshnik Tërnova)

Peqin – Bukurosh Maçi

Librazhd – Kastriot Gurra

Shijak – Indrit Buka

Gramsh – Dritan Bici

Tepelenë – Tërmet Peçi

Kurbin – Artur Bardhi

Mat – Adelina Farrici

Mirditë – Adrian Leka

Roskovec – Flamur Mato

Këlcyrë – Klement Ndoni

Pustec – Edmond Themelko

Kolonjë – Ali Laho

Libohovë – Vladimir Hide

Kuçovë

Divjakë

Belsh

Ura Vajgurore

Poliçan

Rrogozhinë

Maliq

Përmet

Devoll

Himarë

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency