Gara për Tiranën/ PS zyrtarizon kandidatët, ja 4 emrat. Nisin sondazhet, Rama: Kandidate grua?! Pse jo

0
110

 Gëzim Saliu

majkoMajko, Veliaj, Nikolla dhe Klosi janë kandidatët e PS-së që do të testohen për Bashkinë e kryeqytetit

Partia Socialiste duket se i ka të zyrtarizuara tashmë katër kandidaturat që do të testohen deri në fund këtij muaji për të kaluar më pas në emrin final që do të përfaqësojë koalicionin e majtë në garën për Bashkinë e Tiranës. Pasi u përfolën shumë emra, duke marrë për bazë sondazhet e kryera në këto dy muaj si edhe llogaritë që ka bërë Kryeministri me aleatin qeverisës LSI, PS ka vendosur të testojë, duke i përfshirë në një garë virtuale, katër emra brenda radhëve të saj. Sipas socialistëve, emrat më përfaqësues për këtë garë janë: ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj; sekretari organizativ i PS Blendi Klosi dhe deputeti Pandeli Majko, i cili ka qenë një ndër njerëzit më të kuotuar të çdo sondazhi për socialistët. Për këto emra PS ka nisur sondazhet e saj tek qytetarët si edhe

 

Emrat

Sigurisht ndër emrat e parë të listuar në katërshen e socialistëve është ai i deputetit që kryesoi listën e qarkut të Tiranës në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, Pandeli Majko. Ish-kryeministri, aktualisht anëtar i kryesisë dhe ligjvënës i PS-së në çdo sondazh dhe anketim ka marrë një mbështetje të madhe duke e cilësuar atë si një ndër kandidatët më potencial për të garuar për bashkinë e kryeqytetit. Por krahas kësaj mbështetjes, pika që mund të ndikojë negativisht në përzgjedhjen e Majkos si kandidat mund të jetë ajo që lidhet me mendimin e drejtuesve të lartë të PS-së. Nisur nga fakti se Majko dallohet për temperamentin e tij në shprehjen e lirshme të mendimeve si edhe për rastet jo të pakta të kritikave ndaj qeverisë, kjo nuk do të ishte “e përtypshme” për krerët e partisë, të cilët në krye të bashkisë sigurisht pretendojnë një individ më shumë në kontroll të tyre. Emri tjetër i PS-së është ai i ministres së Arsimit Lindita Nikolla, e cila shihet si një ndër kandidatet më të preferuar nga kryeministri Rama. Po ashtu edhe LSI kur ka profilizuar kandidatin e mundshëm të Tiranës, ka folur për një personalitet jo të theksuar politik, por se më shumë i orientuar drejt aspektit administrative. Në këtë kontekst, si ish-kryetare e njësisë bashkiake nr. 1 për shumë vite Nikolla i plotëson kushtet e aleatëve të socialistëve. Por një pikë negative në kandidimin e saj janë kritikat që kanë marrë nismat e saj, si p.sh. ligji për arsimin e lartë që është kundërshtuar gjerësisht nga pedagogët dhe universitetet. Emri i tretë i listës së PS-s është ai ministrit të mirëqenies Sociale Erion Veliaj, i cili deri më tani i pyetur për këtë çështje ka bërë të ditur se i është përkushtuar detyrës së dhënë. Tek Veliaj një pikë negative në kandidim do të ishin ato që në media e në politikë janë cilësuar si skandalet me fondet publike. Ndërkaq sekretari organizativ i PS-së Blendi Klosi është emri i katërt në listën e socialistëve si kandidat për Tiranën. Edhe në zgjedhjet e 2011-ës kur Rama ende nuk kishte vendosur rikandidimin e tij, Klosi ishte i përfshirë në listën e kandidatëve të mundshëm.

 

Deklarata e Ramës

Ndërkaq, pas takimit me kreun e LSI-së Meta, Kryeministri Rama i pyetur nga mediat nëse kandidati për Bashkinë e Tiranës do të jetë femër, bëri të ditur se nuk e përjashtonte këtë mundësi. “Pse jo! Por sidoqoftë kohën e kemi përpara. Objektivi ynë është që brenda muajit mars ne të kemi përfunduar me kandidaturat për t’i dhënë mundësi të gjithë kandidatëve dhe kandidateve që të fillojnë kontaktet e tyre përpara se sa të fillojë fushata e përgjithshme që përfshin pastaj edhe nivelin e lartë politik dhe për të shfrytëzuar kohën në mënyrë që këto bashki që sot janë territorialisht shumë më të mëdha të jenë territore ku kandidatët dhe kandidatet të kenë mundësi të prezantohen komunë më komunë dhe fshat më fshat”, – tha ai.

 

Kandidatët e PS për bashkinë e Tiranës

Pandeli Majko

Lindita Nikolla

Erion Veliaj

Blendi Klosi

 

Ish-kandidati për deputet i PS/ Ndocaj: Kontribuova 60 milionë lekë për PS, por në këmbim mora pabesinë. Reagimi i degës

Ish kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Lezhës, Eduart Ndocaj shprehu dje zhgënjimin e tij ndaj kësaj partie, duke i kujtuar dhe kontributin financiar që ka dhënë për të e që sipas Ndocajt, arrin në vlerën e 60 milionë lekëve. “Kontribuova nga ekonomia ime me shpresën se do të vinin ditë më të mira për shqiptarët në përgjithësi dhe për popullin e Lezhës në veçanti, por nuk ndodhi kështu; në këmbim mora pabesinë e Partisë Socialiste, ashtu si shumë shqiptarë. Arsyeja që ë bëj publike sot është se ato lekë nuk ishin gjetur në rrugë, ishin lekë djerse dhe pune të ndershme dhe kontributi im nuk di pse duhet të humbë. Nuk janë shpenzuar për gjë tjetër, po për fushatën elektorale të 23 qershorit me bindje se ne do të sillnim dhe diçka të mirë për popullin”, – pohoi Ndocaj. Ai u shpreh se ndihet i tradhtuar nga partia për të cilën financoi, ndaj deklaroi edhe largimin nga kjo forcë politike. Në reagimin e saj dega e PS-së së Lezhës, përmes deputeti Arben Ndoka u distancua nga Ndocaj dhe theksoi: “Ne nuk e dimë saktësisht se me cilën parti është aktualisht zoti Ndocaj, por deklarojmë me përgjegjësi të plotë, se ai asnjëherë nuk ka qenë anëtar i Partisë Socialiste. Pavarësisht kësaj, ne i jemi mirënjohës kontributit të tij dhe shumë mbështetësve tanë. Por Partia Socialiste Lezhë i bën me dije Eduart Ndocajt se ajo që ne na bashkon në familjen tonë të madhe socialiste, është ideali dhe programi i saj dhe jo faturat”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency