Protesta/ Basha: Rama e Meta e kanë tradhtuar kontratën me zgjedhësit, oferta e re po vjen

0
108

luli bashaaa“Shqipëria në protestë i kumtoi qartë Edi Ramës dhe Ilir Metës se kanë tradhtuar kontratën me zgjedhësit, se qeveria e tyre e ka mbaruar kohën e saj, ka marrë fund”

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha, falënderoi dje të gjithë pjesëmarrësit në protestën e 12 marsit, ndërsa foli për ofertën e re që ofron kjo forcë politike. Sipas Bashës, protesta me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve ishte një thirrje nga ana e tyre për largimin e dy drejtuesve të mazhorancës, Kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta. “Shqipëria e bashkuar në protestë i tha dje Ilir Metës ik, hapi rrugën drejtësisë për akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve”, – theksoi Basha në fjalën e tij të falënderimit.

 

Basha

Kreu i opozitës, Basha, iu rikthye dje edhe një herë protestës së 12 marsit, duke ritheksuar mesazhin për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Opozita kërkon nëpërmjet dorëheqjes të mos i bëjë presion ndaj Prokurorisë dhe drejtësisë në hetimin dhe në vendimet që duhet të marrin. “Me protestën paqësore shqiptarët u treguan dje vendin kukuvajkave të dyshes Rama-Meta që ndollën zi pa pushim, duke tentuar të frikësonin njerëzit. Por qytetarët vërtetuan se të frikësuar, të tmerruar janë qeveritarët, të frikësuar janë Edi Rama dhe Ilir Meta, që dje në ankth e panik mbyllën Parlamentin si asnjëherë më parë në historinë e këtyre 25 viteve, janë bërë me hije, ora e sovranit në këmbë e të vendosur, për shkak të zullumit të pafre ku janë zhytur”, – deklaroi kryedemokrati duke vijuar: “Shqipëria e bashkuar në protestë i tha dje Ilir Metës ik, hapi rrugën drejtësisë, për akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve”. Sipas Bashës, thirrja e protestës ishte edhe për Kryeministrin Rama. “Shqipëria në protestë i kërkoi dje Edi Ramës të heqë dorë nga presioni ndaj Prokurorisë e drejtësisë, të mos u paracaktojë atyre me forcën e pushtetit hetimin dhe vendimet që duhet të marrin, të tërhiqet nga bashkëpunimi në skenarin e vrasjes ose përndryshe të largohet”, – u shpreh kreu i opozitës.

 

Qeverisja

“Pakënaqësia e qytetarëve tregon sot për një qeveri që nuk ka përmbushur premtimet e veta”, – tha Basha. Kjo, sipas tij, e bën qeverinë joekzistuese. “Shqipëria në protestë i kumtoi qartë Edi Ramës dhe Ilir Metës se kanë tradhtuar kontratën me zgjedhësit, se qeveria e tyre e ka mbaruar kohën e saj, ka marrë fund, nuk ekziston më si qeverisje për qytetarët, për popullin, por vetëm për një grusht oligarkësh të lidhur kokë e këmbë me krimin”, – tha ai.

 

Ofertë e re

Kreu i demokratëve, në një intervistë televizive, theksoi se mundësia e zgjedhjeve të parakohshme është një opsion i padiskutueshëm nga ana e opozitës. Ai nuk e artikuloi saktësisht në këtë mënyrë, por u shpreh dje në fjalën e tij se askush nuk “mund të pres më ditën e votimit që të shkëpusin kontratën me popullin”. “Është e qartë se askush nuk mund të presë më ditën e votimit që të shkëpusë kontratën me këta oligarkë besëprerë me popullin. Largimi i tyre është thirrja, është rruga e daljes nga kriza”, – tha Basha. Kryedemokrati foli për ofertë e re politike, ofertë që, sipas tij, po vjen. “Dje (12 mars) shqiptarët masivisht dhe me entuziazëm përqafuan nevojën për ofertën e re ku qytetari të kontrollojë qeverinë, e jo qeveria qytetarin. Oferta e re po vjen. Ajo po farkëtohet çdo ditë në komunikimin tonë me qytetarët. Oferta e re po vjen me qytetarët, prej qytetarëve, për qytetarët”, – tha Basha. Kreu i PD-së u ofroi mirënjohje të gjithë qytetarëve që u bënë pjesë e protestës para dy ditësh. “Mirënjohje të thellë dhe faleminderit nga zemra të gjithë qytetarëve shqiptarë që morën pjesë dje, nga Tirana dhe mbarë vendi, pa dallime politike, në marshimin më të madh të protestës të mbajtur ndonjëherë që nga vitet e para të demokracisë. Mirënjohje të thellë dhe falënderim nga zemra të rinjve, të rejave, familjarëve e kryefamiljarëve, nënave e baballarëve, të moshuarve, që lanë çdo gjë dhe erdhën dje në bashkimin e madh popullor për t’i drejtuar dyshes Rama-Meta fjalën dhe gishtin e akuzës për gjithë të keqen që ka mbërthyer vendin”, – falënderoi kryedemokrati.

 

 Loja “Doshi”/ Videoja, PD: Rama e trajton çështjen si barcaletë, presion ndaj Prokurorisë

Publikimi i videos ku një aktor “Portokallie” po merrte porosi për të vrarë deputetë të Parlamentit Shqiptar, është parë nga Partia Demokratike si një veprim joserioz dhe që mundohet të fsheh të vërtetën e çështjes “Doshi”. “Edi Rama dhe Ilir Meta koordinuan dje një sulm të ri ndaj Prokurorisë, në përpjekje për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën, për akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve, duke keqpërdorur një aktor “Portokallie” për çështjen më serioze dhe më të mprehtë të politikës dhe shtetit në 25 vitet e fundit”, – tha sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani. “Ky presion ndaj drejtësisë për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën u vu në jetë fillimisht nga Edi Rama, i cili publikoi në “Facebook” një video të aktorit të “Portokallisë” që përqesh e bën pazar me jetën e deputetëve. Më tej u mor në dorë nga Ilir Meta, i cili e dërgoi aktorin e “Portokallisë” në dyert e Prokurorisë, me anë të regjisorit të skemave të Sigurimit të Shtetit, Spartak Braho”, – vijoi reagimin Ristani. Ai tha se çështjen më të rëndë të 25 viteve të fundit, Kryeministri Rama e trajton si barcaletë. “Ky akt i Edi Ramës nuk është gjë tjetër vetëm presion ndaj Prokurorisë, përpjekje për të fshehur të vërtetën. Edi Rama po i kërkon prokurorisë ta trajtojë çështjen si barcaletë dhe t’i japë asaj një fund komik, edhe pse bëhet fjalë për një nga akuzat më të rënda të Kodit Penal, siç është bashkëpunimi në tentativë për vrasje”, – u shpreh Ristani. “Dërgimi i estradës tek porta e drejtësisë është një bashkëpunim i ri i Edi Ramës dhe Ilir Metës, për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën”, – vijoi ai. Ristani paralajmëroi Kryeministrin të mos bëjë lojëra me këtë akuzë dhe të distancohet që hetimi të kryhet i pavarur. “Edi Rama do të ketë të njëjtin fat, nëse vazhdon të bashkëpunojë për të ndikuar hetimin e plotë dhe të pavarur, në favor të skenarit mafioz”, – u shpreh ai.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency