Ballafaqimi/ Durim Bami në Prokurori, 8 orë përballë Doshit dhe Tonit të Kombinatit

0
152

Durim Bami në Prokurori, 8 orë përballë Doshit dhe Tonit të KombinatitBami paraqitet me antiplumb në mjediset e Prokurorisë. E heq sapo futet në sallën e gjyqit dhe pas largimit e vendos sërish. Nuk dihet se çfarë qëndrimi ka mbajtur

 Tom Doshi është paraqitur sërish dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndryshe nga tri paraqitjet e para, ku Doshi ishte në cilësinë e personit ndaj të cilit ishte përgatitur një atentat që mbeti në tentativë, dje Doshi ishte në një përballje me personin që dyshohet se është paguar për këtë qëllim, Durim Bamin. Doshi u përballë me Bamin për gati 2 orë e 30 minuta dhe pas largimit, nuk pranoi të fliste për mediat. Por ndërsa Doshi la mjediset e Prokurorisë, Durim Bami vazhdoi të qëndronte aty për një tjetër përballje. I dyti që u fut në zyrat e prokurorit ishte Fatjon Skënderi ose i njohur ndryshe me emrin Toni i Kombinatit. Me këtë të fundit përballja zgjati më shumë. Por në të dyja rastet nuk dihet se cili ka qenë qëndrimi që ka mbajtur Durim Bami. Ndërkohë, për personat të cilët ndodheshin përballë tij dihet se çfarë kanë deklaruar në seancat e kaluara. Burime jozyrtare bëjnë me dije se personat gjatë ballafaqimit u kanë qëndruar versioneve të para. Pra, ka dyshime se Durim Bami të ketë mohuar ekzistencën e një atentati të mundshëm. Ndërkohë, nuk dihet asgjë se çfarë është thënë mes tij dhe Tonit të Kombinatit, i cili del nga të dhënat e deritanishme se është personi që ka porositur vrasjen e deputetit Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Bëhet me dije se Tom Doshi sot rreth orës 09:00 do të paraqitet sërish në Prokurori dhe kjo do të jetë hera e pestë, kur ai do të jetë përballë prokurorëve.

 

Akuzat

Durim Bami, i cili aktualisht ndodhet me masën e sigurimit me burg, u arrestua pas deklaratave publike të bëra nga deputeti Tom Doshi se ishte paguar nga Kryeparlamentari Ilir Meta për ta vrarë, përmes vendosjes së tritolit. Madje, Doshi publikoi edhe një video ku dukej qartë se Durim Bami, i vendosur përballë tij, tregonte personat dhe mënyrën se si do të veprohej për ta hedhur në erë. Në skenë dolën shumë emra personash të përfshirë në këtë skemë. Sipas Doshit, personi që kishte porositur vrasjen në emër të Ilir Metës ishte pikërisht Fatjon Skënderi ose i njohur ndryshe me emrin Toni i Kombinatit. Ky i fundit erdhi para pak ditësh nga Gjermani, ku ndodhej prej disa muajsh, ndërsa njihet si person me precedent të mëparshëm penal. Por nuk ishin vetëm këta. Në prokurori u thirrën për të dëshmuar edhe personalitete të larta të politikës, emrat e të cilëve u përmendën në deklaratat publike të Doshit. Durim Bami duket se në dëshminë e parë ka mohuar të ketë pasur një tentativë për të eliminuar Doshin. Por nga ana e tij Doshi në të gjitha deklaratat shprehet se historia nuk është sajesë dhe për të vërtetuar gjithçka duhej të ketë ndihmën e të gjithëve. Madje, Doshi ka kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe kryerjen e një ekspertize ndërkombëtare. Ai është shprehur se nuk beson tek Prokuroria Shqiptare për faktin se në këtë ngjarje kanë dalë emrat e prokurorit të krimeve të rënda dhe kryeprokurorit, si të përfshirë.

 

 I zhdukur prej 17 shkurtit, gjendet i mbytur te Liqeni Artificial

 Një 31-vjeçar i sëmurë, me aftësi të kufizuara, që rezultonte i zhdukur prej gati një muaji, u gjet i mbytur mesditën e djeshme në pjesën lindore të Liqenit Artificial në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë me dije se Ervis Saraçi, banues në Tiranë u gjet i mbytur rreth 30 metra larg bregut të liqenit, ndërsa ishte konstatuar nga disa kalimtarë të rastit. Ende nuk dihet nëse i riu është mbytur aksidentalisht, apo nëse është vetëmbytur. Pas kërkimeve të polumbarëve, trupi i të riut u gjet jo shumë larg vendit të njoftuar. Ervis Saraçi, sipas burimeve të policisë ishte njoftuar i zhdukur nga familja e tij më 27 shkurt, ku prej 10 ditësh (nga 17 shkurti) nuk kishin asnjë kontakt prej tij. Familja dha një përshkrim të tij si dhe veshjen që ai kishte pasur ditën e largimit. Pavarësisht kërkimeve, gjetja e tij nuk u bë e mundur deri sa në mesditë trupi i tij u konstatua i pajetë në Liqenin Artificial. Ndërkohë, vijojnë hetimet nga ana e policisë për të zbardhur shkaqet e mbytjes së tij.

 

Kanosi gjyqtarin në Lezhë, arrestohet avokati Guri

Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e djeshme avokatin Dedë Guri, i shpallur në kërkim për kanosjen e një gjyqtari në Lezhë. Burime zyrtare nga policia e Tiranës kanë bërë me dije se në pranga është vënë 48-vjeçari Dedë Guri, për të cilin Prokuroria e Lezhës kishte lëshuar urdhër-arresti. Mësohet se më 11 mars të 2015, 48-vjeçari kishte kanosur një gjyqtar, por pas dy ditësh arrati nga policia, ai u vu në pranga ditën e djeshme. Sipas të njëjtave burime mësohet se avokati kanoste gjyqtarin e Gjykatës së Lezhës me anë të mesazheve kërcënuese, por, mësohet se nuk ka qenë kjo e vetmja mënyrë kërcënimi ndaj gjyqtarit, por bëhet me dije se avokati e ka kërcënuar edhe gojarisht, çka e ka detyruar gjyqtarin të bëjë edhe kallëzim ndaj tij. Arrestimi i avokatit është bërë i mundur pas dy ditës, pasi ishte shpallur edhe në kërkim. Ndalimi i tij u bë në Tiranë pas një punë të mirorganizuar nga komisariati i policisë Lezhë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency