Protesta e opozitës, pse u zhgënjyen ata që pritën dhunë. Detajet e plota

0
132

stop terrorit ne protesteProtesta e djeshme ishte paralajmëruar që një javë më parë. Kishte vetëm tri ditë kur deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste bëri deklaratën bombë para selisë rozë se kreu i Kuvendit kishte porositur një person, Durim Bamin, që të kryente vrasjen e dy deputetëve, socialistit Tom Doshi dhe demokratit Mhill Fufi. Demokratë për të enjten e kaluar kishin vendosur të bënin opozitarizimin në Kuvend, duke bllokuar foltoren, por seanca plenare nuk zgjati aq sa ata ndoshta do të donin. Demokratët kërkuan dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, ndërsa ky i fundit “ndërhyri” duke kaluar në rend dite, duke miratuar projektligjet dhe duke e deklaruar të mbyllur seancën. Prej së enjtes së kaluar, demokratët vendosën mbajtjen e protestës së djeshme, duke u bërë thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje të gjerë për të kundërshtuar, sipas selisë blu, lidhjen e pushtetit me krimin dhe kriminelët. Kreu i demokratëve Lulzim Basha, i shoqëruar nga ish-kryeministri Berisha dhe deputetët mbërritën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në orën 11:30 dhe protesta mbaroi në mesditë, rreth orës 12:35. Edhe pse ishin paralajmëruar tensione, protesta shkoi ashtu siç kryedemokrati deklaroi një ditë përpara, e qetë dhe pa incidente

 

Itinerari i protestës

Protesta kulmoi kur zyrtarët e lartë të opozitës mbërritën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku që në orët e para të paradites qytetarët kishin filluar të mblidheshin nën tinguj të muzikës rok. Ndërkohë, në selinë blu ishte parashikuar mbledhja e deputetëve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike. Në fillim ishte ish-kryeministri që u paraqit në selinë blu, rreth orën 10:00 dhe mbas 5 minutash mbërriti edhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha. Berisha dhe Basha u pritën me brohorima nga anëtarët e rinj të PD-së, që kishin filluar të mblidheshin në seli që në 08:00 të mëngjesit. Ish-kryeministri iu drejtua Kuvendit, 5 minuta larg nga selia blu. Ishte ora 10:05, kohë kur seanca e Kuvendit ishte deklaruar e mbyllur nga kreu i parlamentit, Ilir Meta dhe deputetët kishin filluar të dilnin nga salla. Ashtu siç ishte paralajmëruar, demokratët nga selia blu u nisën për tek protestuesit. Fillimisht ishin anëtarët dhe militantët që dolën nga ambientet e selisë dhe pas atyre kreu i opozitës, Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha, nënkryetarët dhe deputetët që ecën në këmbë bashkë deri tek podiumi para Kryeministrisë për të mbajtur fjalimin. Ish-kryeministri Berisha nuk doli në podium. Para mijëra protestuesve mbajtën fjalim sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani, nënkryetari dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, dhe protesta u mbyll me fjalimin gati njëorësh të kryedemokratit Lulzim Basha. Pas përfundimit të fjalimeve, largimit të zyrtarëve demokratë, protestuesit u shpërndanë qetësisht.

 

Protesta e qetë

Policia e Shtetit pas përfundimit të protestës dha një falënderim për të gjithë pjesëmarrësit. Protesta ishte e qetë dhe nuk u shënua as më i vogli incident, përkundër siç qarkullonin zëra se demokratët kishin planifikuar skena të ngjashme si atë të para tre viteve, në protestën e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues. Në reagimin, zyra e Policisë së Shtetit shpërndau një njoftim për mediat. “Protesta e sotme u zhvillua paqësisht. Policia e Shtetit falënderon të gjithë qytetarët për mirëkuptimin e treguar gjatë kontrolleve të paralajmëruara në akset kombëtare si dhe për bashkëpunimin e treguar prej tyre. Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë”, – ishte njoftimi.

 

Pjesëmarrja

Sa herë kur ka protesta elementi që diskutohet më shumë është sa ishte numri i pjesëmarrësve. Në një reagim zyrtar që Partia Demokratike bëri dje, pas përfundimit të protestës, selia blu nxori shifrën për një numër protestuesish rreth 300 mijë. Kjo shifër u kundërshtua nga policia, sipas së cilës numri i protestuesve ishte vetëm 7-10 mijë persona. “E kuptojmë shqetësimin e Edi Ramës dhe Ilir Metës nga 300 mijë shqiptarët që u derdhën në shesh për të protestuar për largimin e Ilir Metës”, – ishte reagimi i zyrës së PD-së për numrin e pjesëmarrësve në protestë.

 

Edhe sa protesta do të bëjë opozita?

Ndërkaq, opozita ka paralajmëruar një valë protestash që do të vazhdojnë deri në largimin e kreut të Kuvendit Ilir Meta, pas akuzave për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Reagimi zyrtar i zyrës së shtypit të PD-së, paralajmëroi “valë protestash”. “Ky ishte vetëm fillimi. Policia të identifikojë personat e thirrur nën armë nga Ilir Meta. Pjesa më e madhe me precedentë kriminal të promovuar në nivelet më të larta të pushtetit”, – ishte reagimi i PD-së. Vala e protestave është deklaruar edhe nga zyrtarët e lartë të PD-së. Gjatë një interviste dy ditë më parë, nënkryetari i Partisë Demokratike, theksoi se protesta do të vijojë derisa Ilir Meta të japë dorëheqje nga kryesimi i Kuvendit, institucionit më të lartë i një sistemi demokratik.

 

Sytë nga protesta

Fotografëve nuk u ka shpëtuar “kurioziteti” i punonjësve në Kryeministri për të parë se çfarë po ndodh para godinës së tyre. Punonjësit në Kryeministri e ndoqën protestën nga dritaret e godinës.

 

Punonjësit e policisë

Ndërkohë, në protestën e djeshme u vu re një numër i lartë punonjësve të Policisë së Shtetit që kishin rrethuar nga të gjitha anët godinën e Kryeministrisë, para së cilës u zhvillua protesta e opozitës. Punonjësit e policisë kishin formuar një kordonë të gjatë para hyrjes së Kryeministrisë, ndërsa forca të shtuara policie u vunë re dhe tek hyrjet e Kryesisë së Kuvendit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency