Protesta e opozitës/ Basha: Pjesëmarrja e bashkimi i shqiptarëve rrëzoi moralisht qeverinë, Meta ik

0
115

Basha, Ramës: Mos bëj hesape me Metën, po me popullin ose shporru

protesta nga larg “Shqipëria e pa, bota e pa, të gjithë e panë se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh mbylli Parlamentin dhe e pushoi Ilir Metën nga detyra e Kryetarit të Kuvendit”

 Para hyrjes së Kryeministrisë, kreu i opozitës, Lulzim Basha, i bëri thirrje Kryeministrit Rama të mos bëjë marrëveshje me kreun e LSI-së dhe të Kuvendit, Ilir Meta, i cili është akuzuar drejtpërdrejt nga deputeti Tom Doshi për porositjen për eliminimin fizik të tij dhe të një deputetit demokrat. Në protestën që zgjati rreth një orë, kreu i demokratëve, Basha, para mijëra njerëzve deklaroi se kërkesa e shqiptarëve sot është largimi i Kryeparlamentarit Meta nga kryesimi i Kuvendit. Kreu i opozitës i shoqëruar nga ish-kryeministri Sali Berisha, zyrtarët më të lartë të PD-së dhe deputetët marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke u ndalur tek foltorja e ngritur para Kryeministrisë. Në protestë morën pjesë mijëra qytetarë, jo vetëm kryeqytetas, por nga e gjithë Shqipëria.

 

Protesta

Protesta e planifikuar që para një jave u zhvillua dje plotësisht e qetë dhe pa asnjë incident. Qytetarët kishin filluar të mblidheshin para Kryeministrisë në orët e para të paradites së djeshme, ndërsa zyrtarët e lartë demokratë mbërritën aty nga ora 11:30. Kryefjala e protestës ishte dorëheqja e kreut të Kuvendit, Ilir Meta, por kreu i opozitës Basha nuk la pa përmendur edhe shqetësimet dhe arsyet e qytetarëve për të larguar këtë qeveri nga drejtimi i pushtetit. “Sot çdo familje shqiptare është nën rrethim nga gjithë të këqijat e mundshme. Çmimi i energjisë është rritur, faturat janë të papërballueshme. Kurrë më parë s’ka pasur mes nesh kaq shumë të papunë. Varfëria është thelluar, qindra mijëra familje mezi mbijetojnë. Shumica e shqiptarëve sot vuajnë. Kokulur janë sot çdo mëngjes prindërit se nuk i blejnë dot librat e shkollës fëmijëve. Kokulur janë se nuk marrin dot ushqimet në dyqane e markete, se listat e borxheve nuk mbajnë më. Kanë ulur kokën, të rinjtë e të rejat, studentët, prindërit, kryefamiljarët, të moshuarit, të gjithë, sepse nuk munden më. Pas çdo fature të rritur, pas çdo vështirësie, qëndron ikona e së keqes, dyshja Rama Meta”, – deklaroi Basha para mijëra qytetarëve në bulevard të ardhur nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.

 

Pjesëmarrja

Për demokratët pjesëmarrja e madhe e qytetarëve ishte triumfi i protestës. Basha tha se numri i madh i njerëzve në bulevard ishte zëri i lartë që kërkon largimin e Metës nga funksionet e larta të pushtetit. Pakënaqësia e qytetarëve, vijoi Basha, ishte thirrja e tyre për largimin edhe të Kryeministrit Edi Rama nga drejtimi i qeverisë. “Shqipëria e pa, bota e pa, të gjithë e panë se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh mbylli Parlamentin dhe e pushoi Ilir Metën nga detyra e Kryetarit të Kuvendit. E panë bashkimin e shqiptarëve. Shikojeni bashkimin e shqiptarëve. Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve. Meta ik! Rama ik!”, – theksoi Basha nga podiumi para Kryeministrisë.

 

Marrëdhëniet Meta-Rama

Akuza e deputetit të përjashtuar nga PS-ja se Meta ka porositur vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi, nuk janë fillimi i akuzave nga ana e demokratëve se pushtetarët janë të lidhur me krimin. Akuza të këtij lloji janë artikuluar që kur demokratët kanë erdhën në pushtet dhe në shumë raste janë dhënë edhe emra personash që kanë qenë të lidhur me krimin dhe sot janë të punësuar në administratë. Këtë Basha dje në protestë e vlerësoi si mënyra e “drejtimit të dyshes Rama-Meta”. “Ka një arsye pse rendi dhe pasiguria janë më keq se kurrë. Të stampuar si autorë të këtij krimi të madh, sepse nuk ka krim më të madh se sa të mos u garantosh qytetarëve rend e siguri, janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në pushtet me krimin dhe qeveris me krimin. Në Shqipëri, krimi nuk ka pasur asnjëherë lidhje më të forta me qeverinë se sa pas 23 qershorit të vitit 2013. Bandat e Ilirit, të Edit apo të Saimirit kanë dorë të lirë, territore nën kontroll dhe janë bërë të paprekshëm”, – deklaroi kreu i demokratëve.

 

Akuza ndaj Metës

Akuzat ndaj Metës janë më të rëndat që kur vendi filloi të qeverisej nga sistemi demokratik. Basha tha se zyrtarët më të lartë të mazhorancës ishin në dijeni të këtyre akuzave për vrasje të dy deputetëve, por nuk reaguan, në të kundërt, tha ai, në zyrat më të larta të shtetit është bërë pazar me jetën e dy deputetëve. “Për 6 muaj, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë mbajtur të fshehtë krimin, për 6 muaj jepnin e merrnin me njëri-tjetrin në errësirë, me dorasin e porositësin, me shënjestrën, me oborrtarin ministër që synon të fshehë gjurmët. Për 6 muaj janë përpjekur t’ia faturonin këtë opozitës, Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. 6 muaj të zhytur në krim, 6 muaj duart me gjak. Në zyrat më të rëndësishme të shtetit, në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, në zyrën e Kryeministrit, të ministrit të Brendshëm, është bërë pazar me jetën e dy deputetëve, është negociuar mes bandave. Janë bërë shantazhe e matje forcash. Secili grup ka thirrur nën armë banditët e tij”, – deklaroi kryedemokrati, duke vijuar lidhur me ngjarjen: “Jemi sot të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, më e rënda në 25 vite, sepse kumbarët në pushtet nuk vendosën dot paqe, nuk u morën vesh për ndarjen e tortës së pushtetit, nuk u morën vesh për ndarjen e tenderave dhe koncesioneve, të bizneseve të pista, të trafiqeve dhe shpërndarjes së privilegjeve. Ligji dhe Kushtetuta, të shkelura me përdhunë, si në republikat e krimit”, – u shpreh Basha.

 

Thirrja për qeverinë

Kreu i opozitës, në fund të fjalës së tij, përsëriti thirrjen e protestës. “I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë: Ik jep dorëheqjen! Jep dorëheqjen dhe përballu me akuzat si porositës i vrasjes së dy deputetëve! I kërkojmë me një zë Edi Ramës të ndalë menjëherë trysninë brutale ndaj organit të akuzës dhe të çojë ministrin e tij të Brendshëm për ndjekje penale, për mbajtjen fshehtë për gjashtë muaj të këtij denoncimi të paprecedent monstruoz”, – theksoi Basha. “Ky bashkim i madh, ky bashkim i paprecedentë që nga ditët e zjarrta të demokracisë është shenja e parë se qeveria Rama-Meta është rrëzuar moralisht. Dëgjojeni zërin e qytetarëve! Ilir Meta dëgjoje zërin e qytetarëve. Jep dorëheqjen! Edi Rama, mos bëj hesape me krimin, mos bëj hesape me bandat, mos bëj hesape me Ilir Metën. Bej hesape me popullin, përndryshe shporru dhe ti”, – ishte thirrja e kreut të opozitës, Lulzim Basha. Në protestë foli edhe sekretari i përgjithëhm i PD-së, Arben Ristani dhe kreu i grupit parlamentar Ii PD-së, Edi Paloka.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency