Vlorë/ “Cobra III”, bllokohet peshkarexha italiane, shoqërohet ekuipazhi

0
139

peshkarexha peshku cobra itali kobra (3)Kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Katër persona që ndodheshin në bordin e peshkarexhës janë shoqëruar në polici. Bllokohet edhe sasia e peshkut

 Një peshkarexhë italiane është bllokuar nga autoritetet portuale të Vlorës në ujërat tona territoriale. Për pasojë janë shoqëruar në polici katër anëtarët e bordit të peshkarexhës dhe është sekuestruar sasia e peshkut të gjetur në bord. Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se kanë rënë në gjurmët e kësaj peshkarexhe mbrëmjen e së martës, duke e shoqëruar në port. Kanë qenë rojet bregdetare ata që kanë sinjalizuar të parët për vendndodhjen e peshkarexhës, e cila kishte shkelur ujërat tona territoriale në mënyrë të jashtëligjshme. Në njoftimin e dërguar nga policia e Vlorës thuhet se rojat bregdetare kanë marrë njoftim nga QNOD Durrës se në ujërat territoriale shqiptare ndodhej një mjet lundrues i paidentifikuar. Ka qenë i menjëhershëm veprimi i rojeve bregdetare, të cilat ndërhynë duke shoqëruar në port peshkarexhën. Vetëm dje në mëngjes, autoritetet portuale arritën të kryenin procedurat e bllokimit të dokumentacionit dhe sasisë së peshkut që duket ishte kapur në ujërat tona territoriale.

 

Identifikimi

Shërbimet e patrullës që ndodheshin në afërsi të vendit ku dukej mjeti lundrues janë afruar dhe kanë konstatuar një peshkarexhë me mbishkrimin “Cobra III”, me flamur të huaj e regjistruar dhe e nisur nga Mola di Bari, Itali, si dhe shoqërimi i saj dhe ekuipazhit prej 4 personash për në brigjet shqiptare. Në orët e para të mëngjesi të ditës së djeshme u arrit të bëhej dhe inspektimi i peshkarexhës nga autoritetet ligjzbatuese si Kapiteneria e Portit Vlorë, Policia Kufitare Vlorë, Inspektorati i Peshkimit, Antikontrabanda Detare pranë degës së Doganës Vlorë. Këto autoritete përgjegjëse kontrolluan gjithë dokumentacionin e mjetit të peshkimit dhe ngarkesën në bord. Bëhet e ditur se për çdo veprim është mbajtur një procesverbal. Peshku i gjetur në bordin e peshkarexhës është sekuestruar, ndërsa është bërë edhe shoqërimi i katër personave që ishin pjesë e bordit të peshkarexhës italiane. Policia kufitare bënë me dije se pasi bëri të mundur verifikimin e dokumentacionit dhe kreu të gjitha procedurat në bazë të ligjit, plotësoi dokumentet duke kryer veprimet procedurale në ngarkim të kapitenit të anijes. Sipas të dhënave zyrtare veprimet procedurale janë kryer në ngarkim të kapitenit P. Dilorenzo, shtetas italian i moshës 39 vjeçare, banues në Mola di Bari, Itali. P. Dilorenzo, u procedua për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror” parashikuar nga neni 297 i Kodit Penal. Materialet procedurale ju referuan organit të Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

 

Kakavijë/ Ndalohen 39 klandestinë, kishin destinacion vendet e BE-së

Policia e Gjirokastrës ka ndaluar ditën e djeshme pranë pikës së kalimit kufitar të Kakavijës 39 klandestinë nga Siria dhe Sudani. Sipas policisë, ata janë ndaluar në shtratin e lumit Drino ku edhe nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ata pa dokumente kishin hyrë në territorin shqiptar dhe kishin për qëllim Malin e Zi me destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Uniformat blu theksojnë se më herët janë ndaluar edhe 38 persona të tjerë klandestinë nga disa nga vendet e treta. Ndërkohë, policia e Shkodrës ka vënë në pranga ditën e martë dy persona, pasi janë kapur duke tentuar t’i japin ndihmë disa shtetasve sirianë për të kaluar kufirin për në Malin e Zi, në mënyrë të parregullt. Të arrestuarit janë 25-vjeçari Alfons Çelaj dhe 52-vjeçari Mirash Çelaj, banues në fshatin Hot në Malësinë e Madhe. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shkodrës, ndalimi i tyre u bë ditën e martë, nën akuzën e veprës penale të “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” e mbetur në tentativë.

 

 Fushë-Krujë/ Makina del nga rruga, një i vdekur dhe një i plagosur

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në orët e vona të së martës në segmentin Fushë-Krujë – Tiranë, në afërsi të fshatit Arrameras. Burime zyrtare nga Policia e Fushë Krujës kanë bërë me dije se si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një person dhe një tjetër është plagosur rëndë. I lënduar ka mbetur Dritan Lusha 25-vjeç, nga Tirana, i cili u transportua menjëherë për në Spitalin Ushtarak ku dhe mori mjekimin përkatës. Lusha, mësohet se ka qenë dhe drejtuesi i mjetit tip “Citroen” me targë AA 082 KV, i cili ka dalë nga rruga duke përfunduar në kanalin anësor. Viktimë është bërë një person rreth të 60, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur. Viktima ka qëndruar për rreth 2 orë në makinën e përmbysur dhe nuk është nxjerrë fillimisht trupi i viktimës por është tërhequr makina. Grupi i punës i mbërritur në vendin e ngjarjes ka trajtuar në mënyrë jo njerëzore viktimën i cili ka dalë nga makina pas tërheqjes së makinës. Sipas informacioneve, mendohet se shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit.

 

Durrës/ Akuzohen për prostitucion, pranga dy personave të shpallur në kërkim

Policia e Durrësit njofton se ka vënë në pranga dy persona, emrat e të cilëve ndodheshin në listën e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Mësohet se në pranga kanë rënë 51-vjeçari Albert Ali Qafa dhe 48-vjeçari Gani Ahmet Doku. Ndaj këtyre dy personave ishte ngritur një akuzë e rëndë. Prej disa kohësh ata ishin vënë në listën e personave me vijë të kuqe nga Interpol Roma. Ndërkohë që akuza me të cilën janë shpallur në kërkim dhe arrestuar në Durrës është ajo e kryerjes së veprës penale “Favorizimi i imigracionit të paligjshëm me qëllim shfrytëzimi për qëllime prostitucioni në bashkëpunim”. Më 9 mars të këtij viti Qafa e Doku janë shpallur në kërkim me Kartelë të Kuqe nga Interpol Roma. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

 

Shkodër/ IKMT kallëzon penalisht kryebashkiakun Lorenc Luka, shpërdoroi detyrën

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kallëzon penalisht kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka. Kryebashkiaku i qytetit verior akuzohet nga IKMT për shpërdorim të detyrës në bashkëpunim. Bashkë me të kallëzohen edhe ish-anëtarët e KRRT-së si dhe shtetasja Aida Shllaku, aktualisht me detyrë drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit. IKMT bën me dije se janë disa raste kur këta zyrtarë me funksione të larta publike, kanë shkelur parashikimet e detyrueshme ligjore, duke miratuar leje ndërtimi në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, si kur kanë qenë funksionarë të KRRT-së bashkia Shkodër, si dhe tani në detyrat që ushtrojnë aktualisht. Po ashtu IKMT kallëzon penalisht edhe Sezai Kraja me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të kësaj bashkie si dhe Isa Gjonkecaj dhe Arben Llalloçi që kanë ushtruar po këtë detyrë në periudha të ndryshme kohore. Akuza edhe për ta është për “shpërdorim detyre” për shkak të mos respektimit të urdhërimeve ligjore për vazhdimin e procedurave si dhe zbatimit të vendimeve të marra. IKMT kërkon nga institucionet e drejtësisë edhe marrjen e masës së pezullimit nga detyra për shtetasit që ushtrojnë aktualisht funksione publike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency